Në kuadër të 10-vjetorit të aktivitetit me sukses në Shqipëri, "Emporiki Bank" organizoi dje një ceremoni të veçantë në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Adrian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Alain Strub, drejtor ekzekutiv i "Emporiki Bank" dhe Bruno-Marie Charrier zv/drejtor ekzekutiv i "Emporiki Bank" Greqi, si edhe përfaqësues të lartë të qeverisë Shqiptare. "Emporiki Bank" është një nga bankat e para private në Shqipëri. Që nga viti 1999 e deri më sot, ajo ka krijuar një rrjet të fuqishëm me 20 degë dhe 3 departamente. Ky zgjerim nisi në vitin 2004 dhe arriti kulmin në vitin 2006, me mbulimin e 90 për qind të territorit të Shqipërisë. "Emporiki Bank" në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me bankën mëmë në Greqi, gjatë 10 viteve operimi ka ndjekur një strategji të mirëmenduar zgjerimi. Nga njëra anë intensifikon aktivitetet në tregun bankar të retail (individë dhe ndërmarrje të vogla e të mesme) dhe nga ana tjetër forcon praninë në komunitetin e biznesit (Corporate Banking). Banka është në proces të vazhdueshëm zhvillimi, duke arritur në 25000 depozita dhe me një personel prej 236 punonjësish. Banka ka një potencial të jashtëzakonshëm në zhvillimin e aspekteve konkurruese, si aftësia e punonjësve, transparenca, saktësia dhe përgjegjshmëria. Një nga përparësitë e mëdha të "Emporiki Bank" është përfshirja e saj në "Credit Agricole Group", një nga grupet bankare më të rëndësishme në botë dhe një lider në tregun bankar për sa i përket aktivitetit të retail në Francë. Kryeministri Berisha përshëndeti përvjetorin e kësaj banke dhe theksoi kontributin që ka dhënë "Emporiki Bank" në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë Shqiptare. Ai shtoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për partnerë seriozë financiarë dhe "Emporiki Bank" e ka treguar këtë vlerë gjatë gjithë aktivitetit të saj 10-vjeçar në tregun shqiptar. Kurse Alain Strub tha se "prioriteti ynë kryesor, si ‘Emporiki Group‘, për ‘Emporiki Bank‘ Shqipëri dhe degët tona të tjera, është rritja e qëndrueshme dhe e sigurt e të ardhurave. Ky proces është në rrugën e duhur dhe do të ketë një kontribut të drejtpërdrejtë në arritjen e objektivave afatgjatë të zhvillimit dhe rritjes së ‘Emporiki Bank‘".