Lëvizja Qytetare "Zgjohu" e mbështetur nga pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare dhe disa institucione dhe OJQ të shumta, nëpërmjet një konference për shtyp kërkoi largimin e redaktorit kryesor Bllazhe Ristevski nga Akademia e Shkencave si dhe tërheqjen e këtij botimi dhe t'i kërkojë falje popullit shqiptar për fyerjet e bëra.

Përfaqësuesi i Lëvizjes "Zgjohu", Adrian Limani theksoi se enciklopedia rrezikon karakterin multietnik kushtetues të Maqedonisë, nxit urrejtje ndëretnike, falsifikon historinë e popullit shqiptar dhe i përvetëson figurat më të ndritura të kombit shqiptar siç është Nënë Tereza. OJQ-të dhe partitë politike shqiptare kërkojnë që edhe kryeministri i Maqedonisë publikisht të tërhiqet nga enciklopedia, në të kundërtën do të thotë se ai dhe qeveria i mbështesin qëndrimet e Akademisë Maqedonase. Por ndërkaq redaktori kryesor i Enciklopedisë maqedonase, akademiku Bllazhe Ristovski, në një deklaratë të dhënë për BBC-në ka deklaruar se nuk do ta tërheqin nga qarkullimi këtë enciklopedi, përkundër reagimeve të ashpra nga faktori shqiptar dhe ai ndërkombëtar.

"Qëndrimi ynë është thënë në atë Enciklopedi maqedonase. Ne nuk e bëmë atë që dikush ta tërheqë, por që të shërbejë si produkt shkencor nga shkenca maqedonase në tërësi dhe të shërbejë si dëshmi për Maqedoninë dikur, e tani dhe nuk mund të mendojmë që ta tërheqim. Për sa i përket ndryshimeve, ...le të urdhërojnë, por vetëm atëherë do të flasim për atë. Në tërë botën bëhen enciklopedi", deklaroi Ristovski. Qeveria e Maqedonisë deri më tani nuk është prononcuar për përmbajtjen dhe reagimet rreth enciklopedisë. Kryeministri Nikolla Gruevski ka refuzuar t'i komentojë reagimet, duke thënë se për këtë çështje duhen pyetur akademikët