Kryetari i partisë socialiste Edi Rama ndonëse ende nuk ka dalë në një prononcim lidhur me rezultatet e zgjedhjeve ka shprehur me një postim në Facebook qëndrimin e tij lidhur me këto rezultate.


Në një status të shoqëruar me një hartë të ngjyrosur pothuaj tërësisht me ngjyrën tipike të Partisë Socialiste dhe me një numër 75+, duke nënkuptuar mandatet e fituara, Rama shkruan:


“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të bukur me këtë kryevepër ende të pambaruar të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.


Po ashtu edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar në rrjetin social, ku ka falënderuar qytetarët e shumtë që kanë votuar Edi Ramën.


Le t’i japim dorën njeri-tjetrit dhe ecim përpara. Kjo ishte një fitore masive e punës mbi fjalët, ndaj me përulësi e mirësi të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë që duam!


Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike në numërim të vazhdojnë procesin dhe të mos dorëzohen para temperaturave të larta dhe presioneve të kundërshtarëve.


Ndër të tjera, në mesazhin Bashës thuhet:


Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajës politike dhe qytetare”.


Ndërkohë ende asnjë politikan i lartë nuk ka dalë në deklarata zyrtare për shtyp, për t’u prononcuar mbi rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse ende nuk është përfundimtar.


/Ora News.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter