"Jetë koti, kam jetuar kot... Nga burgu i shtëpisë u futa në burgun e shtetit...". Këto ishin disa nga thëniet tronditëse të disa prej grave që vuajnë dënimin për krimin e vrasjes. Thënie të shkëputura nga 10 intervista të realizuara nga gazetarja Eni Vasili, mbledhur nën një titull, "Unë kam vrarë", që bëhen edhe më tronditëse kur vijnë me zërin e tyre. Dialektet tregojnë se janë nga e gjithë Shqipëria, sepse krimi, mjerimi, dhuna fizike e psikologjike, shtypja seksuale nuk njohin krahinë gjeografike.

12705508_745181332282716_6599883175818161660_n

Dje në mbrëmje, nën praninë e kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, ministrave, deputetëve, gazetarëve, Eni Vasili promovoi librin e saj, një botim i "UET Press", paraprirë nga një parathënie e shkrimtarit Ismail Kadare.

E quajti një "Mea Culpa", jo vetëm për ato gra, që rrëfejnë të vërtetat e tyre (jo të vërtetën absolute), por për të gjithë ata që ndodheshin në atë promovim, për politikëbërësit, për të gjithë lexuesit, indiferenca e të cilëve, siç do të thoshte një nga të dënuarat, kishte ndikuar që ato të ishin në qeli.

Nuk kishte qenë e thjeshtë për Eni Vasilin të realizonte këto intervista. E pranon se i ishte dashur këshillimi me një psikolog, jo vetëm për mënyrën se si të komunikonte me këto gra, por edhe për të ndarë gjendjen emocionale që krijonin këto rrëfime.

"Nuk arrija ta kuptoja që kjo ndodhte vetëm pak kilometra nga kjo sallë ku ne jemi mbledhur", tha ajo, teksa rrëfeu se si kishte lindur ky libër, shkëndijën e të cilit e kishin dhënë pikërisht shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, të cilët u bënë nismëtarë të një fushate për faljen e Nazime Vishës. Për Presidentin e Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, gazetarja në këtë libër nuk merr pozicionin as të avokates dhe as të gjykatëses, ajo përpiqet të jetë e paanshme, duke na dhënë këto rrëfime që tregojnë përse një grua, krijuese jete, arrin të ta heqë atë, duke u kthyer në një vrasëse. Sepse, siç do të thoshte dhe vetë Vasili, ajo as nuk i justifikon, por as i gjykon këto gra, por u jep një mundësi rrëfimi, pse jo, edhe pendese.

I pranishëm në këtë promovim edhe ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning, u shpreh se ky libër do t'u vlejë edhe politikëbërësve për të kuptuar se çfarë e shtyn një grua të vrasë, e në këtë mënyrë, të mund ta parandalojë atë.

"Jam ndër lexueset e para të këtij libri dhe teksa lexoja, m'u duk sikur u futa në rrethin e nëntë të ferrit", u shpreh redaktorja e librit, shkrimtarja Diana Çuli. Sipas saj, ky libër nuk tregon ngjarje, por mënyra jetese, çka të bën të reflektosh edhe më tepër mbi gjendjen e grave dhe vajzave në Shqipëri.