TIRANE - Ndërsa Eno Koço u jepte tinguj mbrë-mjeve londineze, një 'anonimat' rus, e pyeste nga San Peterburgu i largët, nëse Shqipëria pati muzikë klasike para luftës. Me gjysmë habi e gjysmë inat, 'sfidës' së paqëllimshme të ardhur nga rreth Moskës, dirigjenti shqiptar do t'i përgjigjej: Sigurisht që ka pasur muzikë klasike para luftës. Në letrën e dytë, nga Moska i vjen një kërkesë: Nëse ajo muzikë ekziston, atëherë unë mund t'jua bëj në CD. Kështu, nisi rrugëtimi i gjatë i realizimit të kolanës muzikore me 7 CD - "Klasikët muzikorë shqiptarë", të përgatitur nga Dr. Eno Koço, me regjistrime të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Anonimati rus, nuk qe i vetmi që vinte në dyshim muzikën klasike shqiptare në vitet para lufte. "Ungjilli i muzikës s'ka qenë predikuar gjer më sot në Shqipëri. Ca këngë të varfra, të hequra zvarrë nëpër hundë, ca avaze vulgare të Italisë, të ardhura me anë të Greqisë dhe të shkallmuara dy herë nga dy popuj ballkanikë - kjo është tërë muzika e shqiptarëve. Një fjalë e mirë mund të thuhet ndofta për vallet tona, muzika e të cilave ka një shije popullore të veçantë. Po edhe në këto sa larg jemi nga muzika e vërtetë!", kishte thënë Faik Konica, në fillim të shekullit XX. Teksa citon këto radhë, muzikologu Vaso Tole, shënon se kjo kolanë (e përgatitur nga Dr. Eno Koço, njëkohësisht edhe dirigjenti i të gjitha pjesëve muzikore të përfshira në kolanë), është unikale për nga rëndësia dhe shpërfaq vlerat e krijimtarisë dhe të interpretimeve muzikore të realizuara ndër vite nga Orkestra Simfonike e RTSH. Në promovimin e CD-ve, që u bë dje në Akademinë e Shkencave, morën pjesë: drejtori i RTSH-së, Martin Leka, studiuesja Mikaela Minga dhe ish-ministri kosovar i Kulturës, Valter Beqiri.
Profesor, sa kompozitorë shqiptarë vijnë në këto regjistrime?
Janë më shumë se 20 kompozitorë. Por nuk matet puna me ta, pasi janë edhe instrumentistët e vokalistët si Edit Mihali e Gaqo Çako. CD-ja e parë i përket periudhës së para luftës. Unë me këtë CD mund t'u them rusëve se ne kemi muzikë klasike shqiptare, prandaj në kolanën "Albanian music clasic", janë përmbledhur të gjithë klasikët muzikorë shqiptarë, që nuk njiheshin dhe nuk rekomandoheshin shumë në atë kohë. Për shembull, Martin Gjoka ka qenë prift, ai bëri simfoninë në dy kohë, "Dy lule në dy vorr të Skënderbeut", kështu quhet vepra e tij. Për ta bërë këtë unë kam vajtur në Arkivin e Shtetit, sepse nuk ishte shumë e rekomandueshme edhe për shkak të pikëpamjeve biografike. Murati nuk njihej në Amerikë shumë, Fan Noli njihej dhe ishte më i sigurt, tjetër ishte Thoma Nasi. Ka një histori të veçantë Murat Shehu, që erdhi nga SHBA me dy baule, një me partitura e një me parte. Iku, pa i dëgjuar të incizuara ato, por rusëve ai u pëlqeu më shumë se Noli.
Thoma Nasi, në çfarë vitesh ka ardhur në Shqipëri?
Ai ka qenë një kompozitor shumë interesant dhe ka ardhur në vitet 1920 me atë grupin e madh, që erdhën nga Amerika me bandën e tij, dhe shkuan në Luftën e Vlorës në Front. Pasi përfundoi Lufta e Vlorës, ata erdhën dhe u vendosën në Korçë deri në vitin 1924-'25, mandej erdhi në Pallatin e Zogut dhe u largua pastaj. Kjo periudhë është fillimi e muzikës klasike shqiptare, kjo është CD-ja e parë.
Një tjetër CD është për nënën tuaj, Tefta Tashko Koçon...
Këngët e nënës sime i kisha në kaseta të vogla, por unë e bëra të plotë, me cilësi shumë të mirë nga pikëpamja e dëgjimit. Mandej mendova për muzikën orkestrale dhe bashkova muzikën e Çesk Zadesë, Tish Daisë, Tonin Arapit, Gjon Simonit. Pastaj duheshin CD për instrumentistët, vokalistët dhe kompozitorët kosovarë. Regjistrimet e para kanë qenë në vitin 1977-'78. Para dy vitesh bëra një regjistrim shumë të mirë të "Skënderbeut", të muzikës së filmit. Së fundmi, është kjo e Gaqo Çakos me rastin e 80-vjetorit, për të sjellë një disk me disa këngë popullore dhe arie shqiptare, të Shqipërisë së Veriut, të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme. Asokohe kemi qenë një treshe, së bashku me Gaqon që i këndonte, Gjonin që i orkestronte dhe unë i dirigjoja.
Janë edhe këngët klasike, sepse nuk lejoheshin që të këndoheshin në italisht, por këto këndime origjinale tashmë dalin si thesare. Sot operat i këndojnë normalisht, ndërsa në atë kohë ishin të gjitha të përkthyera, që publiku t'i merrte vesh. 18 kemi vënë në disk, por janë 36 në total.
Pas 1990-ës, orkestra e humbi karakterin që kishte. Sot, ç'formë ka marrë ajo?
Pas vitit 1991, orkestra mori një karakter më shumë koncertal, vinin dirigjentë të huaj dhe nuk regjistrohej më si më parë. Duhet bërë një politikë kombëtare për këtë. Ne kaq jemi, po ama kemi edhe ne artin tonë. Ia vlen të kemi muzikë që mund t'ia tregojmë botës.
Profesor, me ç'financa janë bërë këto CD?
Me paratë e mia dhe me ndihmën e bizneseve. Këto të Çakos, janë me ndihmë nga shteti. Promovohen libra pa fund, por është hera e parë që promovohet muzikë me Orkestrën e Radios, me muzikë shqiptare, të regjistruar, me kompozitorë dhe artistë shqiptarë.
Pas Tiranës, ku do udhëtoni?
Pas këtij aktiviteti do të shkoj në Kosovë, do të bëj një koncert shumë të bukur me veprat e Rexhep Mulliqit, që kemi dashur që ta bëjmë që në vitet '80, por nuk u bë në atë kohë dhe do ta bëj tani. E kam me shumë dëshirë, sepse është pjesë e jetës sime kjo lloj muzike.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)