Nga Mero Baze

Shumë vëzhgues të politikës po vërejnë se ka një entuziazëm të tepruar kryesisht nga opozita për fitoren e Trumpit dhe nxitojnë të qetësojnë të entuziazmuarit. Në tërësi entuziazmi shikohet si një sforcim për fushatën zgjedhore që po afron dhe si një përpjekje për të krijuar një klimë artificiale entuziazmi tek mbështetëst e tyre, përmes faktorit të jashtëm. Duket pak a shumë ajo që Berisha tentoi të bënte në vitin 2001, kur thoshte se koalicioni i Tre B, (Bush, Berluskoni, Berisha) do fitojë.


Por e vërteta është se entuziazmi i këtyre që po gëzojnë për Trump, ka një kuptim, por nuk ka lidhje me zgjedhjet. Fitorja e Trumpit dhe portreti i tij kontravers, ardhja nga bota e biznesit, evazionit fiskal dhe mungesës së skrupujve moralë, ka ngjallur një shpresë të re në Shqipëri, një shpresë që tejkalon dëshirën për të fituar zgjedhjet përmes këtij faktori.


Ajo që i ka bërë entuziastë opozitarët në Tiranë, nuk është fitorja e mundshme e zgjedhjeve për shkak të Trump. Atë e dinë që nuk e arrijnë dot.


Ajo që ka ngjallur shpresa tek ata, ka të bëjë me frustrimin që ky enturazh politik ka pasur gjithë këto kohë me SHBA, për shkak të presionit të hapur dhe shpesh të pacipë të saj, për të miratuar reformën në drejtësi. Politikanët që u përballën me ambasadorin Donald Lu në Tiranë, për shkak të reformës në drejtësi, tani shpresojnë se ardhja e Presidentit Trump, mund ti zhbëjë gjërat. Ata shpresojnë se janë mu në vijën e kuqe, nga ku gjërat mund të rikthehen njësoj siç ishin dhe ndjehen paksa të penduar që ju nënshtruan presionit të administratës së SHBA për ta votuar reformën.


Me sa duket edhe ata, nuk kanë shpesuar,  që do të fitonte Trumpi, ndryshe nuk kishin pse shkonin në Konventën e Klintonit.


Kjo shpresë e cila tashmë është reale dhe e shprehur në opinionet e tyre, ka filluar forcohet dhe me një paranojë që po kjo racë po përhap për multimiliarderin, po ashtu kontravers, Xhorxh Soros, meqë kanë dëgjuar që Trumpi ka armiqësi me të.


Me një lehtësi të papërballueshme, këta tipa e kanë konvertuar skenën politike amerikane, në kafe Rognerin dhe i kanë gjetur Donald Trumpit, armiqtë që duhet të eleminojë në Shqipëri dhe reformat që duhet të anullojë.


Me shpresë se rendi i ri botëror pas kësaj do të vijë, në Tiranë ka një shpresë reale se Trump është një pikë kthese dhe për fatin e tyre politik dhe ata kanë filluar të ndryshojnë fjalor. Njësoj si serbët që shpresojnë se pas Trumpit, Kosova do tu rikthehet dhe për këtë nuk duruan dot, por e nisën trenin para inaugurimit, edhe të ngrohurit shqiptarë nga fitorja e Trumpit, po bëjnë gjeste të tilla tragji-komike, që nisin me fotot nga Uashingtoni dhe vazhdojnë me gjestet publike në Tiranë.


Sali Berisha për shembull dje për herë të parë ka thënë dy gjëra që nuk i ka thënë kurrë më parë. Ka lavdëruar miliarderët që kanë hyrë në politikë duke marrë Trump si modelin e suksesit të tyre, për të cilin ka thënë se i përfaqëson, dhe ka sulmuar Xhorxh Sorosin. Për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend, Xhorxh Sorosin e ka sjellë në Shqipëri, Sali Berisha, ka mbështetur gazetat opozitare në vitin 1991 e në vazhdim, dhe ka qenë mysafir i rregullt në zyrën e Sali Berishës. Ka pasur acarime të pjesëshme me të për shkak të stafit të tij në Tiranë, por Soros i ka hapur rrugë dhe kurrë nuk janë përballur publikisht. Dje ishte hera e parë që Berisha e theu agjërimin kundër tij, duke thurrur lavde me këtë rast, dhe për milardierët që po hyjnë në politikë.


Thellë-thellë, në Tiranë besojnë se Trump është një mundësi për tu rikthyer gjendja e para reformës në drejtësi dhe po përpiqen tia faturojnë Donald Lu, presionin për reformën si një akt personal kundër politikanëve të Tiranës dhe jo si vendim të Uashingtonit. Dhe për ta bërë qesharake si çdo gjë, kanë shpikur që reforma është paguar nga Soros, meqë në programin e drejtësisë të Sorosit parashikohej dhe reforma në drejtësi. Sa i përket donacioneve për reformën honoraret e Fondacionit Soros për disa specialistë të saj  nuk janë  as 1/20 e donacioneve për reformën, ku peshën kryesore e mban BE dhe SHBA.


Pra entuziazmi për Trumpin tek opozitarët e Tiranës, nuk është bash çështje elektorale, dhe as shpresë për ndryshim politik, por shpresë për një politikë m evemendje më të vogël amerikane për Tiranën. Ajo që duan opozitarët që po gëzohen nga fitorja e Trumpit është ajo që Trumpi pak a shumë ka shprehur, një vemendje më të vogël për vendet e Ballkanit, një vlerësim më të madh për Rusinë, një shkelje syri për putinizimin, çka në Tiranë përkthehen si një shpëtim nga zgjedha e Donald Lu dhe një pendesë e madhe që iu dorëzuan atij disa metra para finishit të fitores së Donald Trumpit.


Më tej akoma kjo racë politikanësh në Tiranë, janë ata që po mbajën peng një vendim të shqiptarëve në Maqedoni kundër Gruveskit, duke e parë atë si njeri që i ka rënë më qafë administrata e Obamës dhe duhet mbështetur si pro rus, meqë ka ardhur Trump. Dhe në këtë pikë, sërisht ka dalë në skenë teoria se për Ballkanin është më i rrezikshëm depërtimi i Sorosit, se sa i Rusisë. Këtu bile i japin të drejtë dhe Gruevskit dhe po e mbrojnë më shumë nga gruaja e Bledi Çuçit se mos e rrëzojë nga pushteti, se sa nga Ali Ahmeti dhe partitë e tjera shqiptare.


Janë këto sinjale që i japin kuptim entuziazmit të opozitarëve shqiptarë për fitoren e  Trumpit. Është kjo arsyeja që dje u bë aq popullore fotografia e dy personazheve emblematikë të politikës shqiptare që i kanë ikur drejtësisë me procedurë, Fatmir Mediut me mushama në kokë, dhe Lulzim Bashës me kapuç në kokë, që dukej sikur fluturonin nga gëzimi. Nuk e kanë tek votat, se ata e dinë sa vota kanë. E kanë tek shpresa se askush nuk do tua kujtojë më të shkuarën. Bile dhe më shumë akoma. Tek shpresa se mund ta zhbëjnë atë që e bën me gjysëm zëri e zemre, ngritjen e dorës më 22 korrik gjatë natës, nën dëshpërimin që shkaktonte ndërhyja brutale amerikane, për ta vendosur drejtësinë në Shqipëri.