25/02/2005  Sa kohë akoma do të mbijetojë Epitafi i rrallë...?


Në simpoziumin shkencor të organizuar dje, në Muzeun Historik Kombëtar, specialistët shqiptarë dhe ata të huaj, tundën këmbanat e alarmit për veprën e rrallë, Epitafin e Glavenicës, të krijuar 7 të shekuj më parë, restaurimi i plotë i të cilës mund të realizohet në shumën maksimale të 50 mijë eurove


Një simpozium shkencor, i cili në thelb nuk bëri gjë tjetër, vetëm se u ra këmbanave të alarmit për degradimin e plotë të Epitafit të 7-të shekullor të Glavenicës, këtë kryevepër mesjetare në rrafsh evropian, një ndër trashëgimitë e shumta kombëtare, që rrezikohen të shkatërrohen përfundimisht. Të pranishëm në këtë simpozium ishin edhe dr.Marta Jaro, kimiste në Departamentin e Konservimit të Muzeut Kombëtar hungarez, në Budapest dhe dr.Jan Wouters, kimist dhe shef i departamentit analitik për ngjyrat dhe tekstilet në Institutin Mbretëror të Pasurisë Kombëtare të Belgjikës, në Bruksel. Në vitin 1999, Jan Wouters analizoi ngjyrat e përdorura në fillin e tekstilit të Epitafit. Duke folur për "Metropol", Wouters ka theksuar se restaurimi i këtij objekti të rrallë, nuk është çështje e një specialisti të vetëm, por e një grupi shkencëtarësh, jo vetëm e një instituti apo laboratori, por e një bashkëpunimi ndërkombëtar, që del nga kuadri evropian. Ai beson se restaurimi i plotë i kësaj vepre të rrallë, realizohet në një periudhë kohore 3-5-vjeçare dhe mund të kushtojë nga 25-50 mijë euro.


A keni patur rastin të studioni objekte të ngjashme me Epitafin e Glavenicës?


Sigurisht. Kam studiuar edhe objekte të tilla, që i përkasin tekstileve të një cilësie shumë të lartë, si për shembull mëndafshi, që, në përgjithësi, janë prodhuar në kontekstin evropian, kryesisht në rajonin mesdhetar. Madje, kemi gjetur edhe përdorimin e ngjyrës së verdhë, si kjo e këtij Epitafi në Rumani, apo edhe në rajone të tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore.


Pra, në aspktin teknik kemi të bëjmë me një objekt të rrallë?


Përsa i përket këtij aspekti, pa dyshim kemi të bëjmë me një cilësi shumë të lartë. Deri tani janë gjetur rreth 100 objekte që kanë të njëjtat karakteristika, si ngjyra e kuqe, të gjitha të periudhës së Mesjetës. Por edhe nga literatura e vjetër e dimë se objekte të tilla kanë qenë shumë të çmuara dhe shumë të kushtueshme.


A është e mundur të përcaktohet koha e saktë e prodhimit të Epitafit?


Sigurisht. Por ky është një vendim i personave përgjegjës për Epitafin dhe të mos bëhet thjesht për kënaqësinë e shkencëtarëve, pasi, në thelb objekti është klienti ynë.


A mund të thoni se sa do të kushtonte, me përafërsi, restaurimi i Epitafit dhe sa kohë do të duhej për këtë?


Natyrisht që nuk mund të them shuma ekzakte, pasi ka një mori ndërhyrjesh që duhet të bëhen. Duhet të dimë me saktësi se cilat do të jenë analizat suplementare që duhet të bëhen, cilat institucione do të merren ekzaktësisht me këtë punë, por personalisht, nga eksperienca ime mund të them se do të duhej një shumë nga 25 mijë deri 50 mijë euro. Natyrisht është e rëndësishme të theksohet se një objekt i tillë nuk mund të restaurohet, as nga një njeri i vetëm, as një laborator i vetëm, institut i vetëm dhe, madje, as nga një shtet i vetëm. Eksperienca ime e gjithë këtyre viteve është se për një objekt kaq të rëndësishëm si ky Epitaf, me një kompleksitet kaq të madh në aspektin e prodhimit me kaq shumë elementë përbërës, kërkohet këshillimi dhe ndërhyrja e shumë specialistëve evropianë, por edhe nga kontinente të tjera. Me pak fjalë, që të restaurohet një objekt i tillë, duhet të ngrihet një bord shkencëtarësh nga të gjitha fushat, të cilët do të hartojnë një program të detajuar për mënyrën se si do të operohet për restaurimin e këtij objekti të rrallë. Për sa i përket kohës së restaurimit, vlerësimi im është se duke nisur nga niveli zero, pra vendosja e kontakteve dhe ndërtimit të bordit që thashë më lart, do të duhet një periudhë kohore nga 3-5 vjet. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se kjo kohë është ajo e restaurimit fizik, por e të gjithë operacionit në tërësinë e tij, ku koha më e madhe do t'i takojë të menduarit dhe mënyrës se si do të operohet.


Frederik Stamati: Epitafi po "humbet" çdo ditë


Epitafi i Glavenicës është një objekt tepër delikat, i cili ka patur fatin t'i rezistojë kohës. Prezenca e luterlimës dhe komponentëve të tjerë ngjyrues, ngre alarmin e rrezikut që i kanoset nga zbardhja. Ekspozimi i tij në Muzeun Historik Kombëtar, ku, pavarësisht se ndriçimi është i ngrohtë, përmban rrezatim ultraviolet në zonën e spektrit elektromanjetik nga 380-400 nm. Të gjithë treguesit janë në parametra maksimalë dhe rrezikojnë çdo çast zbehjen e ngjyrave të këtij objekti unikal. Epitafi 630-vjeçar ka jetuar deri në ditët tona, si rezultat i ekspozimit shumë të pakët në dritë. Pavarësisht nga kjo, energjia e akumuluar e ka bërë punën e saj. Shumë shpejt, ngjyra e verdhë do të zhduket fare, ndërsa jeshilja do të kthehet në blu. Vënia në funksionim e unazës së vogël të Tiranës, do të vërë në rrezik jo vetëm Epitafin, por edhe të gjithë objektet që ndodhen në Muze, si rezultat i ndotjes së mëtejshme të ambientit në zonë.