Pas një dekade të injektimit të parasë së lirë në ekonomi, bankat qendrore më të mëdha në botë do të nisin përfundimin e këtyre stimujve. Që prej krizës financiare, institucionet i kanë mbajtur normat e interesit pranë zeros dhe disa prej tyre kanë blerë triliona dollarë në tituj borxhi qeveritar dhe të korporatave. Me këtë aksion, politikëbërësit synonin inkurajimin e shpenzimeve nga konsumatorët dhe investimeve nga bizneset. Edhe pse disa ekspertë nuk janë dakord mbi efektshmërinë e këtyre stimujve monetarë në rimëkëmbjen e gjerë të ekonomisë botërore, dy rezultate lënë pak vend për interpretim: stimujt monetarë kanë luftuar krizën financiare globale dhe kanë çuar vlerat e titujve të kapitalit e të borxhit në nivele rekord. Tashmë, politikëbërësit argumentojnë se, ekonomitë e tyre janë fuqizuar mjaftueshëm, duke u bërë më pak të varura nga stimujt. Në Shtetet e Bashkuara, Rezerva Federale ndërmori lëvizjen e parë në tetor të këtij viti, ku vendosi të ndalojë riinvestimet në obligacionet që maturohen, në përpjekje për të reduktuar bilancin prej rreth 4.5 trilionë dollarësh.


Në dhjetor të 2015, FED rriti për herë të parë normën bazë të interesit në një dekadë. Banka Qendrore Europiane po blen ende tituj borxhi qeveritar dhe të kompanive, megjithatë ka lajmëruar se, në muajin janar do të përgjysmojë sasinë që do të blejë, derisa programi të përfundojë në shtator të vitit që vjen. Politikëbërësit në Kinë pritet të frenojnë rritjen e kreditit në 2018, ndërkohë që presidenti Xi Jinping do të fokusohet në trajtimin e rreziqeve financiare. Banka e Anglisë rriti normën e interesit për të parën herë në një dekadë, në takimin e muajit nëntor, por lajmëroi një cikël tepër gradual të tkurrjes monetare. Banka e Japonisë ka gjasa të vazhdojë programin, megjithatë nuk pritet të ketë ndikim të madh në reduktimin e stimujve në mbarë botën nga bankat qendrore, event që shumë ekonomistë e presin rreth mesit të vitit 2018. Analistët thonë se, kjo lëvizje do ti tensionojë shumë investitorët, për shkak se nuk janë të përgatitur. Në sondazhe, investitorët globalë e identifikojnë nisjen e tkurrjes monetare si shkaktarin kryesor të recesionit të radhës.



Kujdesi i Bankës Qendrore Europiane


Presidenti i institucionit në Frankfurt, Mario Draghi, premtoi 5 vite më parë se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të shpëtuar euron. Deri më tani, banka ka zgjeruar bilancin me 2 trilionë euro, duke blerë obligacione të qeverive dhe korporatave. Në takimin e tetorit, BQE lajmëroi se programi i blerjeve do të vazhdojë deri në shtator të vitit 2018, megjithatë, sasia do të reduktohet në 30 miliardë euro në muaj duke nisur nga janari, apo sa gjysma e blerjeve aktuale. Politikëbërësit europiane kanë qenë të  hapurit në fushatën e tyre për të ulur kostot e huamarrjes. Ata eksperimentuan me norma negative të interesit, gjë që i la investitorët e borxhit të qeverive me më pak para, se sa kur e nisën investimin e tyre. Ndryshe nga Rezerva Federale, që ka kufizuar blerjet në tituj qeveritar dhe hipotekarë, BQE ka blerë edhe borxh të korporatave. Duke bërë këtë, institucioni i dha nxitje veprimtarisë së bizneseve europiane, që në të kundërt, do të ishin subjekt i ristrukturimeve. Kjo qasje aktive nuk është pëlqyer nga zyrtarët në Gjermani, që kanë favorizuar tradicionalisht kontroll më të ashpër për të mbajtur inflacionin në nivele të ulëta. Mandati i Draghit skadon në tetor të 2019-ës dhe një gjerman mund tia zë vendin, duke qenë se ekonomia më e madhe e Europës nuk ka patur ndonjëherë një zyrtar të vetin në krye të bankës qendrore të rajonit.


Rezerva Federale do të vazhdojë me shtrëngimin monetar


Sistemi bankar qendror në SHBA, ka injektuar rreth 3.6 trilionë dollarë në ekonomi, që nga viti 2008 deri në 2014-ën. Lidhja mes stimujve monetarë dhe tregjeve ka qenë e ngushtë, pasi çdo rritje në indeksin e titujve të kapitalit, S&P 500, në këtë periudhë, ka ardhur në ditët kur FED ka lajmëruar vendimet mbi politikat. Prandaj edhe shefja e bankës, Janet Yellen, pavarësisht sigurimeve mbi reduktimin e bilancit, ka thënë se është e pamundur të përjashtosh reagimin e tregjeve. Banka Qendrore në SHBA ndaloi riinvestimin në titujt që maturohen, në muajin tetor. Thuajse 50 miliardë dollarë në muaj do të fshihen nga tregu kombëtar i borxhit, deri në tetor të vitit që vjen.  Mandati katërvjeçar i Janet Yellen përfundon në muajin shkurt të 2018-ës.


Banka e Japonisë, më tepër stimuj


Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda, dhe bordi i tij, kanë premtuar se do të vazhdojnë të aplikojnë stimujt monetarë deri sa inflacioni të arrijë në 2%, një nivel që ekonomistët nuk e shohin në të ardhmen e afërt. Megjithatë, norma e krijimit të parasë do të ngadalësohet. Një arsye është se Banka e Japonisë ka grumbulluar një stok gjigant të obligacioneve qeveritare më shumë se 40% të të gjithë tregut sa që nuk do të duhet të blejë më aq shumë për të mbajtur yieldin 10-vjeçar afër zeros, që është objektivi i adaptuar në 2016-ën. Mandati 5-vjeçar i Haruhiko Kuroda, përfundon në muajin prill të 2018-ës. Që kur ai u zgjodh në vitin 2013, ka qenë tejet aktiv në një institucion që është kritikuar prej kohësh për aksionet e pakta në trajtimin e stagflacionit. Tashmë, konservatorët fiskalë në vend janë të tensionuar. Sipas tyre, politikat lehtësuese të Bankës së Japonisë kanë shmangur trajtimin nga kryeministri, Shinzo Abe, të borxhit më të madh publik në botë.


Banka Popullore e Kinës angazhohet të ulë borxhin


Banka Qendrore e Kinës është më pak e hapur se homologët. Megjithatë, politikëbërësit e vendit kanë thënë se do të rrisin veprimet e tyre, për të trajtuar rritjen gjigante të borxhit në sistemin financiar që prej krizës globale. Në Kongresin e Partisë Komuniste, që zhvillohet çdo 5 vite, presidenti Xi Jinping përsëriti se, trajtimi i rreziqeve financiare do të ketë prioritet. Pavarësisht masave të kontrollit të kapitalit, veprimet e Bankës së Kinës mund të ndikojnë në tregjet financiare globale. Lëvizja e muajit gusht 2015, me zhvlerësimin e juanit, ishte aq shqetësuese saqë Rezerva Federale u përmbajt nga rritja e normës së interesit që planifikohej në muajin pasardhës. Guvernatori, Zhou Xiochuam, ka mbajtur vendin e punës për thuajse 15 vite. Megjithatë, në kongresin e fundit të partisë ai sinjalizoi se është gati për tu larguar, duke ngritur pyetjen se kush do ta zëvendësojë. Edhe pse Banka Qendrore merr instruksione në mënyrë direkte nga qeveria, zgjedhja për postin kryesor ka rëndësinë e vet.


Nga Klevis Llaha/SCAN Magazine