Temperaturat verore me të cilat thuajse u mbyll dhe vjeshta morën fund dhe dimri ka përqafuar këtë fundjavë Shqipërinë, teksa rryma të ftohta ajrore kanë bërë që nga sirtarët të dalin xhupat dhe ombrellat.


Sipas Meteoalb dimri i vërtetë është këtu dhe i ftohti që erdhi papritur është rezultat i një qendre të presionit të ulët atmosferik në Itali, që sjell mot të paqëndrueshëm në vendin tonë. Vranësirat janë prezente në të gjithë territorin, më të dukshme në zonar jugore dhe pjesërisht në qendër duke rrezikuar shira të izoluar.


Temperaturat e ajrit këtë të dielë ulen lehtë në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat termike ditore nga -6 deri në 17 gradë celcius.


Ndërkohë në zonat juglindore ka nisur bora dhe era pritet të fryjë deri në 35 km/h nga Veriperëndimi ndërsa në det do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.


Reshjet e dëborës e kanë zbardhur pjesën më të madhe të zonës malore në qarkun e Korçës, me Dardhën që ka arritur edhe shifër rekord të trashësisë së borës, me 40 cm.

































Rruga e Dardhës aktualisht është e kalueshme vetëm me zinxhirë, por nuk raportohen probleme në akset e tjera dhe në qytet. Edhe Voskopoja e Kapshtica janë zbardhur nga bora, që ka arritur trashësi deri në 10 cm.


Ndërkohë, reshjet e dëborës kanë shfaqur problemet e para në disa zona të thella të qarkut të Elbasanit.  Gjatë natës së kaluar kanë rënë reshje dëbore në Kukur, Kodovjat, Rovje, Lenie, Poroçan në Gramsh. Në Rovje të Gramshit trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm dhe janë shfaqur probleme në qarkullimin në rrugë.


Aktualisht nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë.


Ndërkohë në Prrenjas dhe Librazhd ka pasur reshje të dëborës në lartësitë e Polisit, në Rrajcë, Sopot, Stravaj dhe Fushë Studen. Në këtë trevë ka vështirësi në qarkullimin rrugor në rrugën që lidh Librazhdin me Peshkopinë, dhe në disa fshatra të thellë malorë, por rrugët janë të kalueshme me zinxhirë.


Në Elbasan dëborë ka rënë në lartësitë e Bukanikut dhe Labinotit Mal, por nuk ka asnjë problem me qarkullimin.  Ndërkohë në Prefekturën e Elbasanit është ngritur shtabi i emergjencës që mban lidhje me njësitë vendore dhe thuhet se situata është nën kontroll.


18 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)