Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i kërkoi liderëve të shteteve myslimane të njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e pushtuar të Palestinës.


Duke folur në samitin e organizatës për bashkëpunimin Islamik ai e quajti të pavlefshëm vendimin e SHBA për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.


Kreu i shtetit turk e përkufizoi Izraelin si shtet te terrorit.


Ftoj të gjitha vendet që respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e pushtuar të shtetit të Palestinës. Ata që luftojnë me miqtë e tyre harrojnë të luftojnë kundër armiqve. Nevojitet një zgjidhje diplomatike. Duhet të ndalim Izraelin, i cili po i merr Palestinës çdo ditë e më shumë tokë.


Presidenti palestinez


Gjatë takimit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të zhvilluar në Stamboll me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare, presidenti palestinez Mahmoud Abbas, tha se vendimi i SHBA-së kërcënonte paqen dhe stabilitetin dhe se e gjithë bota e ka kundërshtuar vendimin e presidentit Trump.


Ne nuk do të pranojmë asnjë rol të SHBA në procesin e paqes. Vendi tregoi se është plotësisht i njëanshme në favor të Izraelit, u shpreh Abbas.


Abbas deklaroi sot se SHBA-ja e ka humbur rolin e saj në procesin e paqes izraelito-palestineze, pas vendimit të Uashingtonit për njohjen e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit.


Trump dëshiron ti dhurojë Izraelit Jeruzalemin, njësoj sikur po i dhuron një nga shtetet amerikane, sikur të ishte i vetmi person që zotëron autoritetin për të vendosur, shtoi Abbas


Statusi i Jeruzalemit


Statusi i Jeruzalemit është në qendër të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.


Qyteti strehon disa prej vendeve më të shenjta për hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët.


Izraeli pushtoi Jeruzalemin lindor, që më herët ishte në duart e Jordanisë në 1967 dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqendrën e tij të pandashme.


Palestinezët nga ana tjetër thonë se Jeruzalemi lindor është kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm, dhe se statusi përfundimtar i tij duhet të diskutohet në faza më të vonshme të procesit të paqes.