Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, duke e falënderuar atë për mbështetjen në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lidhur me Jeruzalemin, transmeton Anadolu Agency.


Sipas burimeve presidenciale, Erdogan falënderoi Putinin për votimin në favor të rezolutës së OKB-së që refuzoi vendimin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, hap ky që ka tërhequr reagime nga e gjithë bota arabe dhe muslimane.


Dy liderët kanë përshëndetur miratimin e rezolutës në OKB, e cila shfaqi paligjshmërinë e vendimit të SHBA-ve për Jeruzalemin.


Erdogan dhe Putin gjithashtu kanë rënë dakord për të pasur marrëdhënie të ngushta në të ardhmen e afërt, duke folur edhe për bisedimet në Astana lidhur me Sirinë si dhe bashkëpunimin në fushat e industrisë së energjisë dhe të mbrojtjes.


Ndër shtetet që votuan në favor të rezolutës në OKB ishin Rusia, Kina dhe disa aleatë të SHBA-ve, veçanërisht Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Greqia dhe Japonia.