Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pësoi një goditje të rëndë nga zgjedhjet lokale të së dielës, kur partia e tij në pushtet, AKP humbi kontrollin e kryeqytetit Ankara, ndërsa në qytetin më të madh të vendit Stamboll, kandidati i opozitës kryeson me numër votash.
Është hera e parë që partia e Erdogan humb kontrollin e kryeqytetit. Sipas rezultateve paraprake, Mansur Yavas, kandidati i Partisë Popullore Republikane, CHP, forca kryesore opozitare, fitoi 50.9 të votave në Ankara, ndërsa kandidati i AKP-së, Mehmet Ozhaseki aktualisht ka 47.1 për qind.
Një zyrtar i AKP-së tha se partia e tij do të sfidojë rezultatin në Komisionin e Zgjedhjeve, pasi kishte identifikuar gabime në rezultate.
Por ndoshta humbja më e rëndë, nëse konfirmohet është ajo në Stamboll, ku Erdogan ka filluar karrierën e tij politike.
Ka shumë gjasa që AKP-ja të sfidojë rezultatin edhe në Stamboll, ku partia në pushtet tha se ka mbi 300 mijë vota të pavlefshme.
Erdogan, i cili ka mbizotëruar politikën turke që kur mori pushtetin para 16 vjetësh, bëri një fushatë të pareshtur për dy muaj para zgjedhjeve të së dielës, fitoren në të cilat i kishte përshkruar si të rëndësishme për mbijetesën e vendit.