Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të zgjedhin mes Turqisë dhe Gylenit. Ultimatumi vjen nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pas kërkesës së Ankarasë mbi ekstradimin e ish-imamit, i akuzuar se ka organizuar grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrikut.
Herët a vonë SGBA-të duhet të bëjnë një zgjedhje. Ose Gylenin ose ne, – ka thënë Erdogan përpara mijëra mbështetësve në Ankara.
Sipas asaj që shkruan agjencia e lajmeve turke Anadolu, Erdogan e ka cilësuar atë të Gylenit një organizatë terroriste dhe iu drejtua Uashingtonit me një apel: Vendos, nëse kërkon të mbështetësh një grup terrorist si ai i Gylenit, apo një vend demokratik si Turqia.
Ndërkohë, dy ushtarakë të lartë turq që janë arratisur mund të jenë në Itali pas grushtit të dështuar të shtetit. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka konfirmuar zhdukjen e dy atashehëve ushtarakë që ishin me shërbim në ambasadën turke në Greqi dhe që lëvizja e tyre e fundit e regjistruar, ka qenë nisja në Itali.
Sipas autoriteteve greke, dy kolonelët kanë lënë Greqinë në 6 gusht me familjet e tyre në drejtim të Italisë. Njëri është një atashe i Marinës dhe një tjetër i Aviacionit, Halis Tunç e Ilhan Yasitli. Ky i fundit mund të jetë larguar edhe drejt Holandës, ku jeton i vëllai.
11 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)