Mes Italisë dhe Tiranës, dirigjenti Ermir Krantja ka arsye të forta të kthehet në skenën shqiptare. Është kujtimi i të atit dhe uni i tij artistik që u rrit në këto ambiente. Bashkëpunimi me balerinin e njohur Ilir Kerni për baletin "Kopelia" është arsyeja që gjendet në Teatrin e Operës. Në këtë institucion ka kaluar më shumë se 20 vite punë e përveç të tjerash ka kujtime e nostalgji. Por në të njëjtën kohë, Krantja gjykon për zhvillimet e fundit artistike dhe për domosdoshmëritë që koha shtron.



Bashkëpunimi me Ilir Kernin është arsyeja e vizitës suaj të radhës në Tiranë. Keni punuar më parë me balerinin?



Me Ilir Kernin takohemi pas bashkëpunimit në "Don Kishoti", i vënë në skenë në vitin 1989. Kemi realizuar edhe disa gjëra të vogla në vitin ‘90 dhe prej shumë kohësh nuk jemi takuar. Bashkëpunimi me të është kënaqësi dhe unë jam optimist se do të realizojmë diçka të bukur, pavarësisht disa vështirësive e mungesave që gjejmë këtu. Është normale që gjatë punës të ketë edhe sakrifica. Artistët janë si fëmijët, në çfarëdolloj situate e ndiejnë detyrë morale të bëjnë atë që u takon.



Si e shihni profesionalisht pas kaq shumë vitesh Kernin?



Këtë radhë ai vjen si koreograf dhe shikoj që ka bërë punë të lavdërueshme me baletin. Ka ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme seriozitetin e tij profesional. Duke parë mënyrën se si ai punon, kupton që ka jetuar në një ambient shumë të kulturuar, siç është Zagrebi, ku ka punuar me intensitet.



Aktualisht ju jetoni në Itali, por jeni gjithnjë i pranishëm për bashkëpunime. Çfarë ju shtyn të ktheheni?



Unë nuk mund të quhem artist i larguar. Gjatë këtyre 10 viteve që jetoj jashtë, rreth 4-5 herë në vit jam gjithmonë i pranishëm me produksione shtetërore apo private. Edhe po të isha këtu, nuk do të kisha bërë më shumë, ose do të bëja gjëra pa ndonjë interes. Ka një qëllim që më bën të vij. Së pari është im atë. Ai ka themeluar këto institucione artistike. Së dyti, unë si personazh u krijova këtu dhe autoriteti im u rrit në këtë vend. Janë dy gjëra shumë të forta që i përkasin traditës, të cilat nuk mund t‘i mohoj. Nuk hyj në detaje nëse këtu kanë nevojë për mua apo të tjerë si unë. Pa asnjë xhelozi mund të them që Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë artistët, ndonëse është e vërtetë që janë larguar shumë artistë të zotë. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria bën pa ata që janë jashtë. Duhet të ketë ftesa të herëpashershme për t‘i sjellë publikut zhvillime të reja.



Ju keni punuar për rreth 30 vjet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Si e gjeni sot?



Pas viteve ‘90 janë realizuar shumë gjëra të suksesshme dhe me sakrifica. Atëherë kur çdo javë artistët iknin me shumicë, na u desh që ta rinovonim shumë herë korin me të rinj që kishin mbetur ende këtu e më vonë edhe me studentë. Për ato që ndodhën unë u largova në 1997. Ndërsa tani më vjen mirë që ky teatër po rritet dalëngadalë. Është bërë një punë marramendëse në repertorin tonë. Por tani, ndoshta ka ardhur momenti që të bëhet një përzgjedhje mes shfaqjeve, për të përcaktuar ato që do të mbeten si pjesë e repertorit të teatrit. Krahas premierave, mund të ftohen dirigjentë, këngëtarë apo regjisorë për të sjellë variante të reja të pjesëve të repertorit.



Keni nostalgji për vitet që keni kaluar këtu?



Tani unë përjetoj atë moment, uroj të mos jetë pleqëri, kur sa herë që dëgjoj një muzikë, sidomos në udhëtimet e gjata, më kujtohen momente të bukura të jetës time, momente të hidhura ose intime. Ka shumë çaste për t‘u kujtuar. Edhe sakrifica. Kishte raste kur dritat iknin 10-15 herë në një shfaqje e ne detyroheshim të prisnim që të vazhdonim sërish. Kujtoj se kur bëheshin demonstratat dhe ra busti i Enver Hoxhës, në teatër luhej "Berberi i Seviljes". Turma e njerëzve, e ndjekur nga policët, theu xhamat e derës dhe u fut në shfaqje. Publiku u habit. Por shfaqja vazhdoi. Si policët dhe demonstruesit mbetën në qetësi. Në këtë pikëpamje artistët kanë qenë më modestë, më tolerantë dhe gjithnjë të lidhur me sakrificat.



Aktiviteti juaj artistik vazhdon edhe jashtë. Si ndjeheni në këto bashkëpunime dhe cilat janë projektet e ardhshme?



Aktivitetit tim artistik i kam shtuar kolona zanore në filma për "Mediasat", "Canale 5", "Rai uno" etj., dhe vazhdoj të punoj në Itali, në Evropën Lindore, Pragë, Moskë. Tashmë e kam realizuar një cd me Orkestrën Simfonike të Pragës, e cila ka 110 veta në organikën e saj, dhe në projekt janë dy cd me muzikat më të mira të filmave. Kompozitori kërkon që në vitin 2009 të realizohen me orkestrën e London Symphony. Janë ende në tratativa. Ndërkohë do të jem dirigjent në disa koncerte simfonike me orkestra italiane.



Unë nuk bëj pjesë në ata artistë që duan të jenë botërorë, të jenë patjetër numri 1. Njeriu duhet të ketë kënaqësi të japë maksimumin e vet, por edhe të jetë i qartë në mesazhet që u përcjell të tjerëve kur ngjitet në skenë. Besoj se ky është vlerësimi më i madh. Do të kisha dëshiruar që viti ‘90 të më gjente në moshën e konkurseve që të kisha mundësi të bëja karrierën e duhur. Ne na zuri pak pleq, por me shumë sakrifica ia kemi dalë dhe unë jam i lumtur që jetoj me profesionin tim. Edhe në Itali më respektojnë dhe jam i kënaqur që kam gjetur terren.



Babai juaj, dirigjenti i njohur Mustafa Krantja, sa ndikoi në rrugën tuaj?



Ka ndikuar kaq shumë, pa më thënë asnjë fjalë. Jam ndikuar nga shembulli i tij. I jam mirënjohës për rrugën që më dha. Që i vogël studiova violinë dhe pianoforte, shumë të rëndësishme për një dirigjent. Si shumë fëmijë të tjerë artistësh, unë dhe Zhani Ciko, miq që të vegjël, të veshur me pantallona të shkurtra vinim të bënim figurantë në shfaqje të ndryshme. Ne u bëmë artistë në shtëpi më shumë se në shkollë. Një pjesë të mirë të librave me interes e që ishin të ndaluar i merrnim e i lexonim në mënyrë klandestine.



Po ju te fëmijët tuaj?



Fëmijët e mi kanë studiuar muzikë, por nuk u bënë muzikantë. Në fillim u mërzita shumë, por ata e vendosën kur ishim në Itali. Pasi u shkëputëm nga ambienti i këtushëm, menduan të ndiqnin të tjera rrugë, megjithëse djali im ishte shumë i talentuar.



Mendoni se kjo dëshirë mungon edhe te të rinjtë këtu?



Unë nuk i njoh shumë të rinjtë, ndonëse i ndjek edhe nga larg zhvillimet artistike. Por mendoj se duhet të ndërrojë mënyra e të prodhuarit të një artisti dirigjent. Një shkollë katërvjeçare nuk vlen më. Një instrumentist duhet të vazhdojë kurse private me disa pedagogë e të specializohet. Të jesh dirigjent është veti e lindur, jo çdokush mund ta bëjë. Për fat të keq, këtu është një tokë shumë e lulëzuar për pseudovipat. Çdo mëngjes mund të dëgjosh që kanë lindur nja 100 VIP-a që s‘vlejnë fare.



Ju keni mjaft vite karrierë. I ruani partiturat apo objektet e tjera të shfaqjeve që realizoni?



Im atë më ka dhënë 2 këshilla. Për herë të parë më shtrëngoi dorën kur u diplomova dhe më tha: "Ti duhet të mbash një arkiv tëndin. Çdo fletëvolante të vogël që del në koncertet e tua, çdo afishe e madhe, çdo gazetë, çdo letër që i dërgon një kolegu ose fotografi, ruaji". Sot unë kam 4 arkiva, një në Teatrin e Operës me 5-6 dosje, tjetri diku këtu në një shtëpi tonën dhe dy në Itali. Këshilla e tij e dytë ka qenë që të studioja shumë repertor. Këtë ma thoshte në vitin 1969, kur shumë nga këto vepra ne nuk i luanim dot. I thosha pse duhet t‘i studioja kur ne s‘na lejohej të bënim asgjë. Por ai më përgjigjej: "Ti do të mendosh sikur nesër, në çdo moment, mund të të hapet rruga dhe do të të kërkohet që me dy prova të bësh një koncert". Për fat të mirë nuk u tregova kastravec dhe më vlejti shumë pas ‘90-ës.



Shkruani?



Gjëra të vogla. Kam ditarë që kur kam qenë 16-17 vjeç. Dikur shënoja rregullisht përshtypje të kohës, shënime që kishin lidhje me profesionin dhe ndonjë ese. Do t‘i hap vetëm nëse ndonjëherë do të më duhet për të përmbledhur diçka.



Cila është dëshira juaj?



Të mos ndaloj kurrë, të jem gjithnjë në lëvizje. Dëshiroj të mos kem fatin e keq të entuziazmohem për punën që bëj. Entuziazmi është armik i profesionistit dhe mik i diletantit, sepse nuk të lejon të shohësh veten tënde me sy kritik.