Nga Dorian Agolli


Ka shënuar 14 gola në fillim të këtij kampionati dhe është shndërruar në makth për kundërshtarët


Në kampionatin e 19-vjeçarëve, këtë sezon po spikatin skuadrat që përfaqësojnë Durrësin, Teutën dhe Shkëndija Dr. Rivaliteti për kreun është i ashpër, por në qytetin bregdetar shpresohet shumë në fitimin e titullit. Gjatë 8 javëve të para ka rënë në sy shpërthimi i një sulmuesi të Shkëndijës, i cili është golashënuesi më i mirë i kësaj grupmoshe, me 14 gola të shënuar në këtë fillim sezoni. Ai është Ermir Rezi, 17-vjeç, i cili shpreson dhe beson se shumë shpejt do të jetë pjesë e rëndësishme e përfaqësues U-19.


Sa vjeç ke qenë kur ke nisur të luash futboll?


6 vjeç. Kur kam mbushur 13 vjeç, kam luajtur me skuadrën e Tiranës të kësaj grupmoshe. Më pas prindërit më regjistruan më skuadrën e Shkëndijës së Durrësit, pasi aty frekuentoj shkollën e mesme.


Sa i vështirë ka qenë fillimi dhe sa të kanë mbështetur prindërit?


Për çdo fëmijë fillimi i futbollit nuk është i lehtë. Shpeshherë bëja me kokën time, i mërzisja prindërit, por me mbështetjen e madhe të tyre, për të cilën dua ti falënderoj, besoj se kam arritur diçka.


Sa gola ke shënuar me Shkëndijën U-17?


Deri në përfundim të sezonit të kaluar kam luajtur me U-17-n dhe kam shënuar 19 gola.


Po me U-19 këtë sezon?


Në 8 ndeshjet e para kam shënuar 14 gola, por sdua të tregohem egoist, pasi pa ndihmën dhe lojën e mirë të shokëve të ekipit nuk do të kisha shënuar kaq shumë. Arritjet personale lidhen me lojën e skuadrës dhe me punën e mrekullueshme që ka bërë trajneri ynë.


A ke marrë pjesë në seleksionimet që ka bërë minifederata e Durrësit?


Po, kam qenë në këto seleksionime dhe shpresoj të jem kandidat për kombëtaren e grupmoshës sime.


Këtë sezon Shkëndija Dr. U-19 është ndër skuadrat petendente dhe ju keni shënuar pjesën më të madhe të golave


I kemi shfaqur ambiciet tona qysh në javët e para dhe mendojmë të ecim me këtë ritëm. Besojmë se do të jemi pretendentë deri në fund. Konkurrenca është e madhe, por me punë serioze dhe përkushtim mund ta mbyllim të parët në fund të sezonit


Cila është arma juaj më e fortë?


Më thonë edhe të tjerët që jam i shpejtë dhe nuhatës para portës. Besoj se këto janë cilësitë që më bëjnë superior ndaj kundërshtarëve. Në çdo ndeshje kam të paktën 2-3 raste të pastra për të shënuar.


A merziteni kur nuk shënoni dhe pse?


Kam shënuar 14 gola në 8 ndeshje dhe shpesh kam shënuar tripleta. Natyrisht që mërzitem, sepse kur nuk shënoj unë, që jam sulmues, edhe skuadra nuk merr rezultatin që duam. Kur shënojnë të tjerët dhe skuadra jonë fiton, sigurisht që skam pse të mërzitem.


Beson se një ditë mund të bëhesh pjesë e kombëtares?


Të gjithë futbollistët e rinj e kanë ëndërr të luajnë me bluzën kuqezi, por janë të paktë ata që e bëjnë realitet këtë ëndërr. Unë shpresoj që trajneri i U-19-s thjesht të më japë mundësinë që ta tregoj veten në seleksionimet që bëhen për të nxjerrë futbollistët më të mirë, pastaj gjithçka do tia lëmë kohës.


Cilit “yll” të futbollit botëror beson se i ngjan më shumë dhe cili është idhulli yt?


Idhulli im është Kristiano Ronaldo i Realit të Madridit. E kam të vështirë ta krahasoj veten me yje të futbollit. Do të më duhet shumë punë dhe eksperiencë për tu ngjarë atyre.


Skuadrat për të cilat bëni tifo?


Në Shqipëri për Teutën, në Itali më pëlqen shumë Interi, sa u përket kombëtareve jam me Brazilin. Kuptohet, kur luan Shqipëria smund të jem me asnjë skuadër tjetër.