Kamza u ka dhënë fund dilemave dhe ka emëruar tashmë trajnerin e ri, i katërti në këtë sezon, pas italianit Vierchowood, Bledar Devollit dhe Klodian Duros, me të parin që u largua pa ardhur mirë dhe nuk drejtoi skuadrën asnjë ditë në stërvitje.


Kështu ndonëse u përfol shumë se do të ishte italiani Salvattore Ciullo, ai që do të merrte vendin e Klodian Duros në pankinën e skuadrës nga periferia e kryeqytetit, në mbrëmje është marrë një vendim tjetër, deri diku i befasishëm.


Presidenti Qarri ka vendosur ti besojë drejtimin e skuadrës, trajnerin Ernest Gjoka, ndërsa lajmi është konfirmuar edhe nga vetë faqja e ekipit të Kamzës, në rrjetet sociale.


Gjoka do të vijë me misionin e shpëtimit të skuadrës nga rënia, gjë të cilën e provoi edhe në sezonin që sapo lamë pas me Vllazninë, por nuk ia doli dhe zgjodhi të largohej nga shkodranët dy javë para fundit të sezonit.


Aktualisht Kamza ndodhet në pozita të vështira, pasi në 13 javët e para të kampionatit, ka grumbulluar vetëm 8 pikë, një më tepër se Kastrioti i vendit të fundit dhe ka nevojë për pikë, që ti largohet zonës së ftohtë.


16 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)