RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 28 maj – Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë ndërmjet Rabotnicki Kometall dhe Milanos nga Kumanova (2:0) ishte ndjekur nga menaxherë të ndryshëm futbolli. Në tribunën kryesore të stadiumit të qytetit të Shkupit pati edhe specialistë futbolli nga Shqipëria, respektivisht nga klubi i Dinamo nga Tirana, të cilët kishin ardhur për t'i parë në vepër aftësitë e Nexhipit dhe Demirit. Edhe pse skuadra e Dinamos ka pëlqyer lojtarët në fjalë, këta dy të fundit kanë nuk mund të jenë pjesë e "bluve" nga kryeqyteti shqiptar, pasi Nexhipi tashmë është lojtar i ri i Lokerenit të Belgjikës, ndërsa edhe Demiri është pranë skuadrës së re. Mesfushori shkatërrues i Rabotnickit, Ertan Demiri, pranon se pas përfundimit të ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë, ka pasur një takim me menaxherin e Dinamos nga Tirana, Adrian Aliaj (ish-lojtar i Shqipërisë). "Po jam takuar me menaxherin e Dinamos, Aliajn. Ata më ofruan kushte shumë të mira, mirëpo për momentin unë kam kontratë tre vjecare me Rabotnickin. I falënderoj drejtuesit e Dinamos që kanë shprehur interesim për mua, megjithatë tash për tash nuk jam lojtar i lirë, prandaj nuk mund të shkojë në Shqipëri", deklaroi Demiri, duke shtuar se në të ardhmen ka ambicie të luaj në ndonjë kampionat më të fortë të Evropës, pa përjashtuar edhe Shqipërinë. Ndryshe, nga lojtarët shqiptarë të Maqedonisë te skuadra e Dinamos së Tiranës, aktualisht luan Artim Pollozhani, kurse më herët pjesë e këtij klubi kanë qenë Ardian Nuhiu dhe Suat Zendeli. Dinamo e Tiranës në sezonin e ri do ta përfaqësojë futbollin shqiptarë në kualifikimet e Ligës së kampionëve.