Erzen Shkololli do të mbajë postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai do të zëvendësojë në këtë post Artan Shabanin.


Erzen Shkololli ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2015.


Nën udhëheqjen e tij, Galeria e Kosovës pësoi transformim të plotë, duke u shndërruar në një urë përmes së cilës skena artistike e Kosovës, që deri vonë ishte e margjinalizuar dhe e izoluar nga komunikimi kreativ me skenat artistike evropiane dhe botërore, depërtoi fuqishëm përtej kufijve të Kosovës.


Si drejtor i Galerisë, Shkololli avokoi suksesshëm për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke shërbyer njëkohësisht si komisioneri i parë i Kosovës në edicionin e 55 të Bienales.


Së fundmi, në rolin e këshilltarit të drejtorit artistik të Documenta 14 ekspozitës më prestigjioze botërore të artit bashkëkohor Shkololli siguroi pjesëmarrjen e parë historike të artistëve shqiptarë në këtë ngjarje.


Gjithsej 17 artistë nga Kosova dhe Shqipëria ekspozuan veprat e tyre në edicionin e fundit të Documenta që u mbajt në Athinë dhe Kassel, duke dëshmuar kështu edhe përkushtimin e Shkolollit për të promovuar dhe përfshirë artistë dhe vlera të çdo gjenerate nga dy shtetet në mozaikun evropian dhe botëror të artit bashkëkohor.


Gjatë karrierës së tij, Shkololli ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë pozitën e drejtorit të Fondacionit Unë e du Kosovën, fondacion privat që inkurajon zhvillim shoqëror përmes teknologjisë dhe artit, si dhe pozita të larta menaxheriale në festivale të ndryshme që kanë pasuruar jetën artistike në Kosovë dhe kanë promovuar artistë të rinj.


18 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)