kastruiPamje qesharake në Krujë gjatë fitores 2-1 të vendasve


Ermal Kuka


Kategoria Superiore nuk arrin të shkëputet dot nga hijet e dyshimeve për përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve. Për më tepër, skuadrat shqiptare gjejnë mënyrën më qesharake për të bërë që të lindin këto dyshime, siç ka ndodhur në ndeshjen e djeshme mes Kastriotit dhe Bylisit, të vendosur nga një gol qesharak i minutave të fundit nga ana e Shetës.


Ndeshja e luajtur në stadiumin e Krujës po shkonte drejt barazimit, me vendasit që kishin kaluar të parët në avantazh me anë të Sefës, ndërsa miqtë kishin barazuar me anë të Bakiut në minutën e 74-t. Goli i fitores së ekipit vendas, i ardhur në minutën e 88-të të ndeshjes, është tejet qesharak. Qendërmbrojtësi Sheta merr topin dhe shkon drejt portës i pashqetësuar nga prapavija kundërshtare, ndërsa edhe portieri i ballshiotëve e bën më të lehtë realizimin, duke u hedhur në anën e kundërt, kur lojtari as që kishte provuar të gjuante topin. Kapiteni i krutanëve shtyu lehtësisht topin në rrjetë dhe i dha tre pikët skuadrës së tij, por pakkush në stadium ka festuar këtë estradë të turpshme, ndërsa lojtarët dhe stafi i Bylisit pretendonin se nuk kishin reaguar ndaj depërtimit të Shetës pasi e kishin menduar në pozicion jashtë loje.


Duke parë se shfaqje të tilla të dukshme kanë filluar që në javën e 13 të Kategorisë Superiore, duket e pashmangshme ndërhyrja e shtetit shqiptar. Pak ditë më parë, përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme u takuan me ekspertë të UEFA-s për të diskutuar luftën ndaj trukimeve. Tashmë organi i akuzës duhet të tregojë se e ka ndërmarrë seriozisht këtë luftë dhe jo vetëm për të dalë herë pas here për publicitet në media. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Komisioni i Etikës në FSHF, që nuk ka dhënë ende asnjë dënim domethënës për trukime apo tolerime, ndonëse UEFA vazhdon të dërgojë në mënyrë të vazhdueshme dosje me prova manipulimesh në zyrat e institucionit që drejton futbollin shqiptar.


Nëse fitorja e Kastriotit ndaj Bylisit ka shkëputur krutanët nga fundi i klasifikimit, aty vazhdon të mbetet Tirana, që u mposht me rezultatin 2-1 nga Lushnja. Çanka dhe Mihani çuan në 2-0 rezultatin kur shënohej minuta e 40-të, por Pashaj shkurtoi diferencën në 2-1 para fundit të pjesës së parë të ndeshjes. Në pjesën e dytë, Tirana u hodh krejtësisht në sulm, në kërkim të një barazimi të mundshëm, por nuk ia arriti qëllimit para portës së Spahos i cili neutralizoi çdo tentativë të miqve në adresë të tij. Në fund, lushnjarët u gëzohen tri pikëve që i largojnë nga zona e ftohtë e klasifikimit, ndërsa Tirana mbetet e betonuar në vendin e fundit. Bardheblutë pritet të zgjidhin brenda javës së ardhshme çështjen e trajnerit, para se të jetë tepër vonë dhe rënia nga Kategoria të kthehet në realitet të pashmangshëm.


Ndërkohë, lufta për titull ka njohur një tjetër hap fals të Teutës, që regjistroi ndeshjen e 4-t radhazi pa fitore. Italiani Sorrentino duket se nuk po arrin të kthejë tendencën negative të skuadrës durrsake, e cila u mund në shtëpi me rezultatin 1-0 nga Besa. Në një ndeshje shumë të luftuar, miqtë kanë gjetur rrjetën në pjesën e dytë me anë të Berishës, ndërsa më pas kanë arritur të mbrojnë mjaft mirë këtë avantazh. Një ndihmë të madhe atyre ua ka dhënë portieri Bejte, i cili ka neutralizuar çdo tentativë drejt katërkëndorit të tij, përfshirë këtu edhe penalltinë e Osmanit në minutat e fundit të sfidës. Me këtë sukses, Besa ngjitet në kuotën e 15 pikëve, duke rihapur plotësisht luftën për mbijetesë.


Ky shkrim Estradë në Kastrioti-Bylis, rishfaqen hijet e trukimeve u publikua me pare te Gazeta SHQIP.