Dështimi në Euro 2012 ka bërë që përfaqësuesja e Holandës të vihet nën hetim. Në fakt, kreu i Federatës Holandeze të Futbollit, KNVB, Bert van Ostven, ka konfirmuar se institucioni që ai drejton ka nisur një hetim të brendshëm për paraqitjen shumë të dobët të skuadrës.
Van Ostven është takuar me trajnerin Bert van Marvijk për të diskutuar se çfarë nuk funksionoi në fazën e grupeve, ku Holanda regjistroi tre humbje, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në 108 vjet histori të futbollit me këtë skuadër.
Presidenti i federatës, ka bërë të ditur se procesi i shqyrtimit të dështimit do të vazhdojë dhe krerët e futbollit nuk do të nxitojnë që të marrin një vendim, për atë që nuk funksionoi dhe se cilët ishin përgjegjësit. Van Ostven ka larguar edhe spekulimet për trajnerin Van Marvijk, që cilësohet si drejt largimit, duke theksuar se tekniku ka kontratë deri në vitin 2016.
Problemet e Holandës në Kampionatin europian ishin të shumta. Arjen Roben ishte një futbollist që shokët e skuadrës nuk e durojnë dot, sepse është arrogant dhe nuk pason asnjëherë. Probleme kishte edhe në lidhje me formacionin, apo zëvendësimet, me lojtarë si Van der Vart, De Jong, Afellai, Van Bomel e Huntelar, ndërkohë që Van Presi nuk fliste me Sneijder, që teorikisht duhej të ishte furnizuesi i tij kryesor me topa.
Sikur këto të mos mjaftonin, një burim brenda skuadrës holandeze ka bërë të ditur se lojtarët kanë konsumuar alkool gjatë grumbullimit për Euro 2012. Por, duket se konsumimi i alkoolit në ditët e pushimit mes ndeshjeve ka ardhur me lejen e trajnerit Van Marvijk.