Ende pa u shëruar plagët e asaj humbjeje me pasoja në Loro Boriçi ndaj Turqisë, që presupozohej skuadra për tu lënë pas për ëndrrën Europian, Shqipëria do të zbresë sërish në fushë, këtë herë me një kundërshtare modeste përballë, Andorrën, që më shumë se një pengesë në këtë rrugëtim të ri të nisur keq nga kuqezinjtë, mund të shpërbejë si një pit-stop i shpejtë për të rregulluar pjesët e dëmtuara në një aksident të paparashikuar në start.


Tashmë pa Christian Panuccin në stol, skuadra do të drejtohet nga dyshja Bulku-Mema, që me siguri i kanë kthyer skuadrës atë kimi që i ka munguar për thuajse dy vjet me italianin. Në orën 20:45, në Stadiumin Kombëtar të Andorrës, duhet kthyer shpresa për një kualifikim të mundshëm në Euro 2020. Sigurisht që humbja me Turqinë peshon shumë, por nuk ka arsye për të ulur armët pas vetëm një betejë të humbur, kur lufta është e gjatë të jepet mundësia për të rikuperuar besimin, entuziazmin dhe pikët që të duhen për ta mbyllur të dytët këtë fushatë eliminatore.


Në Andorrë vlen vetëm fitorja, presioni është i gjithi në krahun tonë dhe nuk duhet marrë kurrsesi lehtë ky kundërshtar që në 3 përballjet e fundit në këtë stadium ka arritur të barazojë me Gjeorgjinë (1-1) dhe Letoninë (0-0) si dhe ka humbur 0-2 me Islandën.


Por cilat do të jenë ndryshimet në formacion pas largimit të Panuccit?


Sigurisht që me pezullimin e Strakoshës nga ish-trajneri, porta do ti besohet Etrit Berishës. Në mbrojtje nuk pritet të ketë ndryshime, me Gjimshitin e Ismajlin në qendër e Hysajn e Veselin nga krahët. Në treshen e mesfushës , duke marrë në konsideratë faktin që kërkohet më shumë fantazi ndaj një kundërshtari që do të parkojë autobusin do të aktivizohen Basha-Kaçe-Xhaka. Sa i përket sulmit, Uzuni dhe Grezda do të jenë në mbështetje të Sadikut. Gjithsesi, deri kur të bëhet zyrtar formacioni mund të ketë ndonjë ndryshim të minutës së fundit.


Po në Grupin H, ku bën pjesë Shqipëria do të luhen edhe dy takime të tjera. Në orën 18:00, Turqia do të presë Moldavinë, ndërsa në 20:45 Franca luan përballë Islandës në Paris.


Ndërkoha kombëtarja tjetër e kombit shqiptar, Kosova ndodhet para provës së vërtetë.


Pas barazimit premtues 2-2 me Danimarkën Dardanët zbresin sërish në tapetin e Fadil Vokrrit, këtë radhë përballë Bullgarisë, në sfidën e parë kualifikuese të Euro 2020. Koha për eksperimente ka përfunduar, asgjë në vlen më shumë se pikët në një grup ku skuadra e Bernard Challandes konsiderohet e fundit në letër për nga rëndësia.


E pikërisht për ti treguar botës se Kosova nuk është në këtë fushatë eliminatoresh për të respektuar pjesëmarrjen, por për të lënë shenjë e pse jo për të surprizuar, kërkohet fitorja ndaj një ekipi që më shumë se forca i ka mbetur emri.


Dardanët po e presin me padurim dhe plot entuziazëm përballjen me Bullgarinë, ekip që vetëm pak ditë më parë barazoi 1-1 në Sofje me Malin e Zi. Një rezultat që favorizon Kosovë, që në rast suksesi në Fadil Vokrri pritet të katapultohet menjëherë në vendin e dytë, pasi fqinjët e Malit të Zi kanë një provë shumë të vështirë me Anglinë në Podgoricë, ndërsa Çekia është pushim


Është hera e parë që Kosova dhe Bullgaria përplasen në futboll, e me gjithë përvojën dhe emrin më të madh të Bullgarisë, Kosova konsiderohet favorite.


Dardanët janë të pamposhtur në 11 ndeshjet e fundit, më saktë që nga nëntori i vitit 2017, kurse në shtëpi nuk kanë humbur që nga tetori i 2017.


Stadiumi Fadil Vokrri do të jetë si një vullkan që pritet të shpërthejë nga momenti në moment, por përtej dëshirës dhe entuziazmit të tifozëve të besuarit e Challandes duhet të jenë tepër të kujdesshëm të mos rrëmbehen, pasi bullgarët mund të mos kenë cilësi të madhe individuale, por kanë shumë më tepër eksperiencë në arenën ndërkombëtare.


Por si do të rreshtohet Kosova në këtë takim?


Challandes do tia besojë portën të talentuarit të Manchester City-t, Arijanet Muric. Në mbrojtje Vojvoda, Rrahmani, Aliti dhe Kololli; në mesfushë Shala, Celina, Kryeziu, Zeneli e Rashica, ndërsa në sulm do jetë i vetëm Vedat Muriqi.