“Për Shqipërinë ka qënë një ditë demokracie, që u zhvillua në një klimë pozitive në krahasim me çka ndodhte në të kaluarën”.


Kështu ka deklaruar për agjensinë italiane të informacionit Ansa, eurodeputetja Elly Schlein, zëvëndës kryetarja e delegacionit të PE për raportet e stabilizim asocimit mes Bashkimit Europian e Shqipërisë.


“Edhe pse ka pasur dyshime mbi raste parregullësish, ato nuk janë shumë të ndryshme nga ato që mund të verifikohen dhe në vende të tjera të BE”, tha ajo.


“Raste e dyshimta kanë të bëjnë kryesisht me votën familjare, me votën e shumëfishtë dhe me praninë e konsiderueshme të personave jashtë selive të disa qëndrave të votimit”, është shprehur eurodeputetja.


Përsa i përket pjesëmarrjes së ulët në votime, Elly Schlein u shpreh se kjo ka të bëjë me mungesën në votë të mbi 1.2 milonë emigrantëve shqiptarë rezidentë jashtë kufirit shqiptar e që rezultojnë të regjistruar në listat elektorale.


Në lidhje mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë, eurodeputetja në cilësinë e zëvëndeskryetares së delegacionit të Parlamentit Europian për raportet e stabilizim asocimit mes Bashkimit Europian e Shqipërisë për agjensinë Ansa u shpreh se “BE u impenjua të thjeshtojë proçedurat për zgjedhje sa më të lira e demokratike, por tashmë rruga e Tiranës drejt Brukselit varet nga ajo çka do ndodh në ditët e ardhshme.”


“Shpresa është, tha ajo, që të krijohet shpejt qeveria e re dhe bashkarisht të punohet për zgjerimin e reformave, në mënyrë të veçantë në atë të drejtësisë për një sistem gjyqësor të paanshëm e që gëzon besimin e qytetarëve.”


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter