4 skuadra shqiptare do të zbresin sot në fushë me një objektiv të qartë të lenë shenjë në turin e parë kualifikues të Europa League dhe pse jo të tentojnë kualifikimin. Mundësitë më të mëdha i ka Prishtina e Mirel Josës që pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë ndaj luksemburgasve të Fola Esch do ti mjaftonte një fitore në sfidën e sotme në Mitrovicë për të kaluar më tej. Edhe Laçi e Partizani kanë shanset e tyre ndërkohë një mision pothuajse të pamundur ka Luftëtari për të avancuar më tej. Bluzinjtë në Elbasan Arena në orën 20:00 duhet të përmbysin humbjen 5-0 të ndeshjes së parë ndaj letonezëve të Ventspils, një mision në kufijtë e të paarritshmes.


Shorti nuk i buzëqeshi aspak Partizanit, duke i rezervuar një kundërshtar me potencial të rëndësishëm si Maribori, megjithatë të kuqtë në takimin e parë nuk u shfaqën aspak të dorëzuar, madje ua vështirësuan jetën sllovenëve dhe humbja 1-0 ishte e pamerituar, për më shumë që demat mund edhe të polemizojnë për një 11-metërsh të munguar.


Në takimin e kthimit që do të luhet të enjten në orën 20:15 në stadiumin Ljudski të Mariborit, trajneri Skënder Gega do të jetë i detyruar të bëjë pa mbrojtësin e qendrës Egzon Belicën, i cili nuk arriti të rikuperohej nga një dëmtim në gju, vendin e tij ka gjasa ta marrë futbollisti i ardhur nga Tomori gjatë merkatos së verës, Eneo Bitri, pjesa tjetër nuk do të ndryshojë me Ibrahimin në të djathtë, Gojgoviç e më tej Kalarin në të majtë.


Në mesfushë me shumë mundësi do të vendosen Hila, Esat Mala e Telushi, kurse Asani, Progni e Trashi do të përbëjnë tredhëmbëshin ofensiv. Në anën tjetër trajneri Milaniç do ti besoj sërish dyshes sulmuese Luca Zahovic-Tavares. Demat nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të kërkojnë deri në fund mrekullinë kundër një skuadre si Maribori, që sezonin e shkuar ishte pjesë e fazës së grupeve në Champions League.


Një kualifikim i vështirë, por jo i pamundur për Laçin. Kurbinasit, të paktën në letër, janë e vetmja skuadër shqiptare që ka shanse për të shkuar në raundin tjetër të Europa Leagues.


Përballja kundër Anorthosis nuk do të jetë aspak e thjeshtë për bardhezinjtë, megjithatë goli i realizuar nga Hoxhallari në takimin e parë mund të shërbej shumë në kuadër të sfidës së kthimit, pasi kujtojmë që laçianët u mposhtën 2-1 në Larnaca.


Trajneri Besnik Prenga e ka të plotë grupin e lojtarëve dhe nuk pritet të kryejë ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë, pra mbrojtja me 4 lojtarë do të formohet nga Hadroj, Gjoni, Hoxhallari e Sefgjini. Mesfusha do të plotësohet nga treshja Lushkja, Eller e Jonuzi, me Shtubinën e Uzunin në krah të sulmuesit kryesor Vice Kendes.


Në krahun tjetër Anorthosis ka ardhur me idetë e qarta, nuk kërkon të mbrojë fitoren e marrë në Qipro, por do të synojë një tjetër sukses në Laç. Skema që do të përdor tekniku do të jetë e njëjta me Mikelaxen, Rayon e Cissen në mbështetje të qendërsulmuesit Michal Duris.


Laçi do të kërkoj të rishkruajë historinë duke u kualifikuar edhe një herë në raundin e dytë të Europa Leagues, ashtu si bëri më 2015-ën kur eliminoi sllovenët e Rudar Velenjes.


Nëse kalojnë më tej, kurbinasit përfitojnë edhe 240 mijë euro nga UEFA. Përballja mes Laçit dhe Anorthosis do të zhvillohet të enjten në orën 17:00 dhe do të transmetohet live në Supersport.


19 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)