18 janar 2011

Tepelenë



Të nderuar qytetarë të Tepelenës,

Të nderuar personalitete,



Natyrisht është një gëzim i veçantë për mua që ndodhem sot në këtë qytet historik, por dhe qytetërimi njëkohësisht. Kam ardhur për të realizuar një vizitë pune në qytetin e Tepelenës, për të takuar autoritetet lokale, për të takuar banorët e Tepelenës, për të diskutuar me ata rreth asaj që është arritur, por edhe rreth projekteve që do të shoqërojnë zhvillimin e kësaj zone mjaft të bukur dhe me resurse të jashtëzakonshme. Sigurisht ndodhemi këtu së bashku sot për ta shfrytëzuar këtë moment për të përkujtuar dhe nderuar një nga figurat më të shquara, më emblematike që ka nxjerrë kjo zonë, për t’i dhënë atij dimensionin që ai meriton edhe nëpërmjet një dekorimi me një titull të lartë. Për ta respektuar këtë figurë, më lejoni që të shpreh të gjithë emocionet e mia duke i bërë atij një vlerësim të karakterit qytetar, të karakterit historik, të karakterit atdhetar për të cilin ai meriton edhe vëmendje.



Të nderuar Zonja e Zotërinj,



Rruga jonë nëpër histori nuk ka qenë e lehtë, ajo ka qenë heroike dhe populli i kësaj treve nuk është kursyer në sakrifica sa herë shqiptarëve u është dashur t’i bënin ato. Nga gjiri juaj kanë dalë shembuj frymëzues, siç është rilindasi Sali Nivica, personalitet ky që idetë e mëdha i shëndërroi në histori.



Ndërgjegjësimi që vjen nga kujtesa na bën të pohojmë sot njëzëri se krahina juaj e krejt Labëria kanë qenë gjithmonë një pishtar i ndezur në luftrat patriotike për zgjim kombëtar, pavarësi e konsolidim të saj. Sa herë jepej kushtrimi ata ishin rojtarë të fateve të atdheut.



Sali Nivica ishte një nga ideatorët dhe dëshmorët e kësaj lufte. Ai me pushkë e pendë ishte një nga nxitësit dhe ideologët më në pah të kryengritjeve antiosmane. Pedagogu i Robert Kolexhit, me gazetat që themeloi e në ato në të cilat shkroi gjatë gjithë jetës, ishte një nga farkëtuesit kryesorë të ndërgjegjes kombëtare e të prosperitetit shqiptar.



Mbrojtës i zjarrtë i integritetit territorial përkrah Luigj Gurakuqit në Kancelaritë Evropiane, zë i parreshtur i Kosovës së martirizuar, intelektual e mendimtar, i vrarë pabesith nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar të vitit 1920, me të drejtë do të meritonte përkufizimin e të madhit Gjergj Fishta “Sali Nivica ishte portë e shtyllë e të thuesh nji shkam të cilit tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujt me e brejtë kurrkund, burra të cilët rrallë i lejnë nanat!



“Mësuesi i popullit” Sali Nivica ishte dhe mbetët një shembull i vlerave patroitike, intelektuale e morale, të cilin ne sot e vlerësojmë, si një nga mendjet e ndritura të asaj Shqipërie që sunonte të shkëputej nga e kaluara duke fituar lirinë e duke parë nga modernitet, si një nga themeluesit e gazetarisë, arsimit e fjalës së lirë në Shqipëri.



“Nderi i Kombit” është një dekoratë e merituar për ata që e udhëhoqën kombin drejt lirisë, shtetformimit dhe modernitetit, pë rata që sakrifikuan jetën për idetë, për idenë e madhe e të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve evropiane.



Të gjithë ne, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të formohen intelektualisht me parime të drejta historike sepse historia gjithmonë konfirmohet si mësuese e jetës! Ata duhet të dinë se mbijetesa e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nga idealizmi dhe sakrifica e dëshmorëve si Sali Nivica!



Burra të tillë i dhanë gjithçka Shqipërisë pa interes, duke sakrifikuar edhe jetën e duke na lënë ne pasardhësve të tyre pasqyrën morale ku të shihemi çdo ditë, modelin etik të sakrificës, ndershmërisë dhe idealizmit, bashkëpunimit dhe dialogut që vendi ynë natyrshëm të realizojë ëndrrën e madhe: Shqipërinë e përparuar, Shqipërinë Evropiane.



Nder dhe mirënjohje për jetë Sali Nivicës, Nderit të Kombit.



Ju falemnderit!