Epidemia e gripit të derrave mund të ketë efekte të ndjeshme mbi ekonominë botërore, vlerësoi sot një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, cituar nga agjencia e shtypit Kyodo.



''Rreziqet e sjella nga gripi i derrave për rritjen ekonomike mbeten megjithatë të vështira për t'u parashikuar", shtoi John Lipsky, zëvendësdrejtor ekzekutiv i i FMN-së.



Lipsky iu drejtua gazetarëve në Tokio, ndërsa ekonomistët shqetësohen për pengesat që mund të frenojnë rritjen e ekonomisë botërore në krizë.



Zyrtarë të qeverisë dhe të Bankës Botërore kanë shprehur tashmë dyshimet e tyre lidhur me pasojat e epidemisë së gripit të derrave mbi tregtinë ndërkombëtare.



Në bilancin e saj të fundit të botuar të dielën, Organizata Botërore e Shëndetësisë numëroi 8.480 persona të infektuar nga virusi në 39 vende dhe 72 të vdekur për shkak të kësaj sëmundjeje.