Aksioni Të pastrojmë Shqipërinë që duam këtë herë ka udhëtuar drejt Krujës.


Këtë të premte dhe të shtunë, hapësira nga Rruga e Rinasit dhe deri në Kalanë e Krujës u pushtua nga 3000 vullnetarë që pastruan terrenin nga mbeturinat. Rruga e Rinasit është përballja e parë që turistët e huaj, që vijnë me linja ajrore, kanë me vendin tonë. Nga ana tjetër Kalaja e Krujës është ndër më të vizituara në vend nga turistët dhe kësaj ngrehine gjigante nuk i shkon aspak fakti që  është e rrethuar nga mbeturinat.


Me siguri, po të ishte Skënderbeu gjallë do të turpërohej nga kjo pamje.


Këto janë vetëm dy ditë intensive pastrimi, por nuk mjafton. Kërkohet një ndërgjegjësim më i madh nga ana e qytetarëve që të mos ndotin ambientin.


Operacioni i Pastrimit të Shqipërisë ka nisur në 24 nëntor dhe do të përfundojë në 24 maj të 2018. Në 6 muajt e punës në mbarë vendin, operacioni do të jetë i ndarë në disa faza dhe fasha të ndërhyrjes, duke nisur nga aksionet vullnetare në terren, deri tek kontrolli rigoroz i zbatimit të lejeve mjedisore nga subjektet apo sipërmarrjet e vogla dhe të mëdha.


Operacionin 6- mujor Të pastrojmë Shqipërinë që duam drejtohet nga ministri i Turizmit dhe i Mjedisit,  Blendi Klosi.