Në fushatë zgjedhore e këshilluan të shmangte Berishën. Pas fushatës zgjedhore tha se do ndërtonte një bashki të gjithë të qytetarëve. Vetëm pak kohë e pamë të ishte i vetmuar. Tani e kemi siç e kemi parë gjithmonë për gjashtë vjet, si nuse pas Berishës, duke qeshur sa herë thotë një batutë Berisha e duke mbajtur seriozitetin sa herë që shefi është duke sulmuar opozitën. Këto dy fotot e mëposhtme janë realizuar brenda një dite, vetëm të dielën, kur Basha si një nuse e mirë qëndron pas Berishës siç jemi mësuar gjithmonë ta shohim, në rastin e parë në një ekspozitë dhe në rastin e dytë në një takim me një zyrtar kinez. Natyrisht e dimë që kryebashkiak kemi Berishën, por diçka të habit tek ky Lulzim Basha, mënyra se si i bën gjërat duke shpërfillur ligjin. Po ashtu terrorizues është fakti se si i trajton me papërgjegjshmëri paratë.
Kështu, ndryshoi projektin e Sheshit Skënderbej dhe nuk tha se kë pyeti, kush ia miratoi dhe sa shpenzoi për diçka të tillë. Tha se do bënte një buxhet të ri, tre herë më të madh se të Ramës, dhe njësoj si Berisha pret që arka të mbushet me magji. Më pas u shfaq në ndërtimin e një lulishte dhe nuk kishte haberin më të vogël sa kushtonte ajo. Së fundmi u shfaq në krah të një biznesmeni të familjes Berisha dhe nënshkroi një kontratë të pavlefshme, pa u miratuar më parë në Këshillin Bashkiak.