Shumë familje të pasura korçare kanë punuar fort për çështjen kombëtare. Shumë prej tyre shkrinë pasurinë që kishin për Shqipërinë. Dihet se jetesa e tyre ishte prej borgjezi. Fisnikët e Korçës të shekullit të kaluar, një element të dukshëm të pasurisë së tyre, ishte shtëpia.


Këto foto janë postuar më herët nga arkitekti Kliti Kallamata.


Këtu duket banesa në degradim e tregtarit korçar Irakli Qirjako. Ai shkruan se kjo banesë u ndërtua rreth vitit 1939.


Nisur nga interesimi dhe popullariteti i jashtëzakonshëm e tepër i shpejtë i këtij postimi (brenda 24 orësh u bënë rreth 200 share dhe disa qindra like) e shoh të nevojëshme të jap disa sqarime për të shmangur keqkuptimet e shumta.


Banesa është ndërtuar në vitet 39 të shekullit të kaluar nga një prej tregëtarëve më të mëdhenj të Korçës Irakli Qirjako, ose siç e njohin korçarët Rako. Gjatë viteve të suksesit të tij Irakli Qirjako ndërtoi dyqane, hotel dhe këtë banesë për familjen e tij. Banesa shquhet si një nga ndërtimet më dinjitoze në arkitekturën e qytetit të Korçës për atë periudhë. Për dekorimin e saj Rako angazhoi një nga piktorët më të mirë të asaj kohe në qytetin e Korçës Sotiraq Zografi. Sotiraq Zografi ka dekoruar edhe banesa të tjera, por fatkeqësisht këto nuk janë ruajtur. Kjo banesë, mbasi iu sekuestrua pronarit të saj, shërbeu si residencë për autoritete të ndryshme gjatë regjimit komunist, deri sa përfundoi si banesë shtetërore me qeraxhinj.


Mbas viteve 90 banesa iu rikthye pronarëve të ligjshëm. Gjatë viteve të fundit banesa ka ndërruar disa pronarë. Pronari i sotëm i kësaj banese ka vendosur (dhe fatmirësisht i ka mundësitë) ta restaurojë tërësisht, duke ruajtur të gjitha vlerat e saj, si në arkitekturë ashtu dhe në dekoracion, gjë që shteti nuk do të arrinte ta bënte kurrë. Banesa paraqitet mjaft e dëmtuar edhe në konstruksionin e saj dhe përballet me probleme të shumta të konservimit dhe restaurimit të pikturës dekorative. Por, pavarësisht nga këto, e ardhmja e saj, ndryshe nga ajo e shumë monumenteve të tjera, është optimiste dhe shpresëdhënëse  shkruan Kallamata në Facebook.