TIRANË- Fryma e Re Demokratike diskutoi sot programin e saj mbi sportin në Tiranë. Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, duke shprehur kënaqësinë që ndodhej mes njerëzve të shquar të botës së sportit, theksoi se politika duhet të jetë në funksion të sportit dhe jo e kundërta. Shpesh partitë politike, sidomos në prag fushate, shtoi ai, e shohin sportin si mjet elektoral dhe jo si emblemë të identitetit tonë kombëtar. Ndërsa sportistët që luajnë jashtë vendit z.Topi i titulloi si ambasadorë autentikë të vendit të tyre sepse imazhi i sportit lidhet drejtpërdrejt me imazhin e vendit.

Duke iu referuar rastit të dhunës në ndeshjen Tirana-Skendërbeu kryetari i FRD-së denoncoi publikisht aktin e dhunës të ushtruar ndaj tifozërisë dhe përfaqësuesit të medias. Topi përmendi ekipet elitare të cilat janë braktisur nga shteti dhe gjendjen e mjeruar të stadiumeve dhe ambienteve sportive të cilat janë kthyer në troje ndërtimi. FRD në vendimmarrje, tha kryetari i FRD-së, do të ndryshojë këtë situatë, duke e vënë shtetin dhe institucionet në funksion të sportit.

(d.b/BalkanWeb)