Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka ndëshkuar me -6 pikë Shkumbinin për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në dhomat e zhveshjes mes zv.presidenti të skuadrës së Peqinit, Dashnor Sulaj dhe gjyqtarëve. I mbledhur dje, Komisioni i Disiplinës vendosi ti heqë tre pikët e ndeshjes me Flamurtarin, takim të cilin nga fitore 1-0 skuadra e Shkumbinit e humbet në tavolinë 3-0 dhe -3 pikë të tjera.

Penalizimi

Ky penalizim e zbret në vendin e dhjetë Shkumbinin në kuotën e 27 pikëve, duke rrezikuar seriozisht zonën e plej-autit. Por do të jenë ndeshjet e javës së fundit që do të përcaktojnë përfundimisht tre skuadrat e zonës plej-aut dhe skuadrën tjetër veç Dinamos që bie automatikisht nga Kategoria Superiore.

Dënimi Sulës

Ndërkaq, deputeti Dashnor Sula, është dënuar me 10 ndeshje pezullim dhe me 500 000 lekë gjobë. Këto janë masat e marra nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptarë të Futbollit, pas ngjarjeve të së shtunës në Peqin, ku Shkumbini fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit, por ku deputeti Sula u cilësua fajtor për sjelljen e tij gjatë ndeshjes. Sipas relacioneve, deputeti ushtroi dhunë verbale dhe psikologjike ndaj skuadrës kundërshtare, por vetë Sula e hodhi poshtë këtë akuzë. Anëtari i parlamentit është zv. president i klubit peqinas. Tani, Shkumbini ka 27 pikë, baras me Kamzën dhe një më pak se Tomori, ndërsa javën e fundit do të luajë në Shkodër ndaj Vllaznisë. Së fundi, Kukësi është dënuar që të luajë 6 ndeshjet e radhës në kampionat pa praninë e tifozëve. Ky vendim i Komisionit të Disiplinës u mor pas dhunës që ndodhi në ndeshjen Kukësi-Luftëtari në Kategorinë e Parë.

Reagimi i Sulës

Deputeti Dashnor Sula ka reaguar pas dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke e quajtur jo vetëm të padrejtë, por edhe një hakmarrje politike

Për të është një dënim jo vetëm i papranueshëm, por edhe i paramenduar. Zv. presidenti i Shkumbinit dhe njëkohësisht deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, Dashnor Sula, ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Disiplinës që e dënoi me 10 ndeshje pezullim pas takimit Shkumbini-Flamurtari. Për Sulën, ky vendim ka prapavijë politike Deputeti Sula i bëri thirrje presidentit të FSHF-së, Duka, që të ndërhyjë, ndërsa shqetësimi është i madh edhe për fatin e Shkumbinit që rrezikon Superligën.