Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një njoftimi për shtyp në faqen e saj online ka reaguar ndaj akuzave të drejtorit sportiv të Partizanit, Olsi Rama, për akuzat se vendimi i Komisionit të Disiplinës për dy futbollistët Trashi dhe Batha ka qenë tendencioz nga ana e këtij organi.


Në njoftimin për shtyp të saj, FSHF ka theksuar se vendimet e Komisionit të Disiplinës janë të pavarura dhe njëkohësisht të apelueshme dhe çdo klub ka të drejtë ta bëjë këtë.


Në këtë kontekst edhe Vendimi i Komisionit të Disiplinës që u shpall ditën e Premte për skualifikimin e dy lojtarëve të Partizanit, nuk ishte vetëm për këtë klub, por dhe për klube tjera. FSHF i mirëkupton shqetësimet e Klubeve për objektivat sportive që kanë, por dhe Klubet duhet të kuptojnë që edhe fair-play është pjesë e lojës së futbollit.


Njoftimi i Federatës shqiptare të futbollit mbyllet duke bërë të ditur se FSHF është e vendosur maksimalisht të rrisë bashkëpunimin me të gjitha klubet për të respektuar të gjitha rregullat e lojës së futbollit dhe akuzat mediatike dhe paragjykimet nuk i shërbejnë aspak komunikimit dhe përpjekjeve për një garë sportive të ndershme dhe cilësore.


18 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)