Do të bëhet realitet sot takimi i planifikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit mes drejtuesve të lartë të saj dhe presidentëve të klubeve “rebele” për sa i përket kërkesave, ku pika më e fortë është këmbëngulja për largimin e Koço Kokëdhimës nga posti i kryetarit të Komisionit të Klubeve për Kategorinë Superiore. Të pranishëm do të jenë zv/presidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, dhe shtatë drejtues klubesh të Kategorisë Superiore, Vllaznisë, Kastriotit, Laçit, Besës, Elbasanit, Shkumbinit dhe Bylisit. Presidentët e këtyre klubeve ishin edhe protagonistët e dështimit të mbledhjes së fundit të komisionit, e cila degjeneroi deri në sharje dhe ofendime. Megjithatë, mundësia që të plotësohet kërkesa e klubeve “rebele” për largimin e kryetarit të komisionit Kokëdhima ka pak gjasa të ndodhë, pasi në bazë të rregullores duhen dhjetë firma klubesh.