ANDREA STEFANI


Andrea StefaniNuk është e vështirë të kuptohet se Sali Berisha po përpiqet të shfrytëzojë edhe pakënaqësitë e shoferëve të furgonëve dhe familjeve të tyre, në funksion të qëllimit strategjik për tronditjen me protesta të qeverisë dhe më në fund, përmbysjen sa më të shpejtë të saj. Berisha po shfrytëzon po ashtu pakënaqësinë që po ngjall nxitimi i qeverisë për të zbatuar radikalisht një ligj që nuk është zbatuar që nga dita kur lindi në vitin 1998. Ndërkaq, qeveria duhet të kuptojë se ashtu si ndryshku nxjerr jashtë loje një vegël të papërdorur, ashtu edhe ligji i pavënë në punë, ka krijuar një realitet social krejt ndryshe nga ai 15 vjetëve më parë kur u miratua ligji. Ai ligj nuk është më i kohës. Dhe si i tillë nuk mund ta qeverisë realitetin e sotëm pa shkaktuar padrejtësi dhe konflikte. Prandaj duhet amenduar. Mungesa për 15 vjet e realitetit të ligjit, dikton sot ndryshimin e ligjit për realitetin. Dhe kjo do të mundësojë konsensusin duke shmangur konfliktin.


 


***


Në rrafshin ekonomik, është kundër logjikës ekonomike dhe kundërproduktive të shkurtosh vende pune në kohën e pikut të papunësisë. Është kundër logjikës së tregut ti kërkohet një furgoni të transportojë udhëtarë në një qytet tjetër dhe në kthim të mos marrë pasagjerë. Padrejtësia që i bëhet shoferit në këtë rast, është e njëjtë në thelb me padrejtësinë që do ti bëhej një shoqërie ajrore duke i imponuar rregullin absurd që avionët e saj të fluturojnë në një destinacion dhe në kthim të mos marrin pasagjerë. Ky kufizim nuk është në harmoni me logjikën ekonomike. Kostoja e operimit rritet artificialisht. Ndërkaq, në kushtet kur shteti vuan për kapacitete transportuese (p.sh. Shqipëria, praktikisht, nuk ka transport udhëtarësh me tren), vendosja e kufizimeve të tilla burokratike është e pamenduar mirë dhe e parakohshme. Pedantizmi burokratik (ligjor) bie ndesh me realitetin.


 


***


Në rrafshin social, moszbatimi i ligjit që rregullon aktivitetin e furgonëve për rreth 15 vjet, ka legalizuar këtë aktivitet duke nxitur njerëzit të investojnë në të jo vetëm para, por edhe vite të jetëve të tyre. Nëse ligji do qe zbatuar, sot nuk do të kishim këtë situatë që kemi. Por kjo nuk do të thotë aspak që qeveria e re në devocionin e saj për ringjalljen e ligjit, të sakrifikojë interesa jetike të një kategorie sociale. Në këtë rast, interesat e shoferëve dhe familjeve të tyre. Situata është thuajse e ngjashme me legalizimet e shtëpive të paligjshme. Përse nuk i prishim, por i legalizojmë ato? Sepse do të kishte kosto të madhe sociale dhe politike. Edhe në rastin e furgonëve, realiteti i paligjshmërisë në punën e tyre, si dhe i aksidenteve që burojnë nga kjo gjendje, duhet çmontuar me kujdes e gradualitet, që të mos shndërrohet në një shpërthim social që do të kënaqte interesat e një opozite destruktive si kjo e Sali Berishës. Ai këtë lut dhe po frymëzon.


***


Qeveria nuk duhet ta shkelë ligjin që qeveritë e Nanos dhe Berishës e shpërfillën për rreth 15 vjet. Por është edhe shumë vonë që ta zbatojë verbërisht. Ajo duhet ta amendojë, duke e bërë të zbatueshëm për rrethanën e sotme. Sepse nuk duhet të harrojë se ajo qeveris në një truall konkret ekonomik dhe social që ka vazhdimësi, edhe pse qeveritë janë ndërruar. Zbatimi i ligjit duhet të bëhet, madje me vendosmëri. Por hap pas hapi dhe në ato pjesë që nuk vrasin interesat legjitime të qytetarëve, edhe pse të zhvilluara në vitet kur ligji ka heshtur. Paligjshmëria duhet çmontuar, por interesat e qytetarëve nuk duhen viktimizuar. Pa empati për njerëzit dhe problemet e tyre, zbatimi i ligjit shndërrohet në cinizëm.


 


***


Ndërkaq nuk duhet bërë asnjë lëshim për gjendjen teknike të furgonëve. Vendosmëria e policisë në këtë rrafsh duhet mbështetur. Nuk duhen lejuar furgonë pa licencë, produkte të qarta të korrupsionit burokratik të pushteteve lokale dhe padrejtësisë si pabarazi para ligjit. Duhet të respektohet me rigorozitet maksimal vendosja e taksimetrave apo kapaciteti i furgonëve, duke mos lejuar pasagjerë mbi kapacitete. Furgonët nuk duhen lejuar të ndalojnë vend e pa vend, sidomos në autostrada, sepse bëhen premise për aksidente. Të gjitha këto janë kërkesa të ligjit që duhen respektuar dhe kjo është përgjegjësi e policisë ti zbatojë. Kush shkel ligjin duhet të ndëshkohet po nga ligji deri në heqje të licencës. Janë kërkesa që në fund të fundit kanë të bëjnë me sigurinë e pasagjerëve, me sigurinë e jetës së tyre.


 


***


Në rrafshin politik, është jo maturi të presësh me shpatën e ligjit nyjën gordiane të një paligjshmërie të shtresëzuar dhe ramifikuar prej vitesh qeverisjeje që ka injoruar ligjin. Kush nuk ndalon lejon. Janë qeveritë ato që nuk kanë këmbëngulur për zbatimin e ligjit, duke lejuar aktivitetin e furgonëve. Ndaj nuk është e drejtë që për këtë të ndëshkohen furgonët, domethënë qytetarët. Një gjë e tillë do të bënte që të gjitha shtresat sociale të ushqyera nga aktiviteti ilegal, të kthehen kundër qeverisë së sotme, duke u bërë ushqim për opozitën në fakt, qeverinë e djeshme të Berishës që toleroi ilegalitetin. Zbatimi radikal i ligjit me pasoja sociale për shtresa relativisht të gjera sociale pas më shumë se një dekade pa ligj, do të ngjallte në këto shtresa sociale jo respekt, por urrejtje për ligjin dhe qeverinë që kërkon zbatimin e tij. Nostalgji për kohën kur tolerohej shkelja e ligjit, si dhe simpati për qeverinë që toleroi shkeljen e ligjit. Do të qe jo vetëm e rrezikshme, por edhe e padrejtë.


Ky shkrim FURGONËT DHE NEVOJA PËR LIGJ E KONSENSUS u publikua me pare te Gazeta SHQIP.