Florim CANOLLI (Prishtinë, 9 shkurt) - Kombëtarja e Shqipërisë u njoftua me rivalët e saj në Kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit 2012 e që pesimizmi i përhershëm vazhdoi edhe këtë herë pasi u pa se do të kemi përballë superfuqinë e futbollit evropian Francën, pastaj Bosnja që është në superngritje, Rumania e Bjellorusia që na dërmuan para dy edicioneve, ndërsa ndaj Luksemburgut detyrimisht duhet të sigurohen 6 pikë. Mirëpo, gazeta ‘Sport’ kontaktoi dikë tjetër, një djalë të së ardhmes së kombëtares shqiptare, djaloshi që ndoshta do të jetë ai me shokë që do ta dërgojnë Shqipërinë për herë të parë në ndonjë Kampionat Evropian apo Botëror. Edhe pse shkurt, morëm disa informata rreth sukseseve që po arrin me skuadrën e të rinjve të kampionëve italian Inter, si dhe synimet e tij për të ardhmen. Është Fabio Hoxha nga i cili presim shumë të gjithë. Është ai që edhe Jose Mourinho para do kohe ia kishte shkruar emrin në notesin e tij, e që shpresojmë të mos përfundojë vetëm me aq. Në këtë edicion ai po kalon një formë mjaft të mirë, pasi është sulmuesi i dytë më i mirë i skuadrës duke shënuar 9 gola, 3 më pak se Said Ahmed që ka 12. Madje golin e fundit e ka shënuar më 31 janar ndaj Monzas, duke ia siguruar fitoren Interit 1:0.
Të padiskutueshëm në këtë kategori
Interi në Itali nuk është duke dominuar vetëm me skuadrën e parë, por edhe me gjeneratat e reja. Hoxha me skuadrën e tij në 16 ndeshje në këtë edicion kanë shënuar po aq fitore duke qenë në vendin e parë me 48 pikë, 5 më shumë se Milani që është i dyti me 43. Megjithatë, kjo nuk e befason aspak 16-vjeçarin. “Jemi të padiskutueshëm në këtë kategori, pasi kemi skuadrën më të mirë. Kishim pak frikë nga ndryshimi i trajnerit, pasi tani kemi Giorgio Gattin, mirëpo po shkon mirë duke qenë se ai i ka njohur edhe më parë cilësitë tona”, - ka thënë Hoxha duke mos qenë i kënaqur me golat e shënuara. “Nuk jam i kënaqur pasi besoj se mund të jap më shumë. Por, prapë mendoj se në 16 ndeshje, 9 gola nuk është keq. Shpresoj të shënoj më shumë në ndeshjet e ardhshme. Ndeshja më e mirë për mua këtë vit është ajo ndaj Albinoleffes kur shënova dy gola në fitore 2:1 si mysafir, ndërsa goli ndaj Milanit në fitoren 4:0 ishte shumë i veçantë, edhe pse nuk është hera e parë që shënoi ndaj Milanit”, vazhdoi ai.
Dy shqiptarë te Interi
Fabio Hoxha nuk është i vetmi futbollist shqiptar që luan në Inter. Ai ka një mik të tij, portierin Andrea Qarri, i cili luan për Giovanissimo Nazionale, e që i bie të jetë më i ri se Fabio, mirëpo edhe në një Ligë më të ulët. “Kam një bashkëkombës këtu te Inter. Kalojmë shumë mirë, është Andrea, një portier mjaft i mirë. Ai është në një skuadër më të re të Interit, mirëpo që shihemi shpesh”, - thotë Hoxha. Fabio ka pasur idolin e tij afër Zlatan Ibrahimoviq, por ai tash iku, kë do ta ndjekë tani?.. “Nuk ka rëndësi, ai ka ikur te Barcelona, por mbetet një futbollist shembull për mua. Shpresoj që në të ardhmen të arrijë aq sa ka arritur ai. Unë jam këtu dhe mendoj të qëndroj për një kohë të gjatë, kështu që kur të rritem le ta kujtojnë Ibrën përmes meje”, - shton durrsaku, i cili është blerë për 40 mijë euro nga Piacenza para dy viteve. Burimi: Albania-sport.comE Merkure, 10 Shkurt 2010






 
Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili