Tek Ora News, publicisti Fahri Balliu komenton ngërçin e krijuar, pas grevës së urisë, të deputetëve socialistë. “Presidenti Topi le të verifikojë se greva s’ka asnjë karakter institucional”. “Greva e opozitës, formacion jotransparent dhe i ndërtuar mbi alternativa bolshevike”. “PS po kthehet në një parti të parëndësishme”. “Greva ka një karakter donkishotesk, mbështetësit e vetëm të saj, njerëz pa vota, si puna e Spartak Ngjelës”


Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, themeluesi dhe drejtori i gazetës “55”, gjatë një interviste televizive për “Ora News”, komenton situatën politike në vend, duke iu referuar gjerësisht protestave të opozitës dhe grevës së urisë, e shpallur javën e fundit kjo. Balliu u shpreh se greva e socialistëve është ndërtuar në bazë të një alternative bolshevike dhe larg çdo lloj konteksti me realitetin shqiptar, në prag të përmbushjes së sfidave të integrimit, siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat. Publicisti Balliu, e konsideroi grevën si jotransparente, të mbushur me doza të rënda komunisto-bolshevike dhe si lëvizje për të manipuluar opinionin publik. “Konteksti i lindjes së kësaj greve dhe cila është arsyeja reale e kësaj greve, nuk është fort e pranishme në media. Shoqëria shqiptare është ende e prekur nga mentaliteti i filozofisë komuniste. Greva është ndërtuar në bazë të një alternative specifikisht bolshevike. Arsyeja e lindjes së grevës në këto parametra dhe fizionomi, është fakti se shteti shqiptar nuk ka mundur të ndëshkojë abuzuesit me publikun, sepse tradita e Partisë së Punës ka krijuar disa modele politikash tek e majta shqiptare, duke krijuar formulën e politikanit që abuzon me publikun dhe këtë po e ndeshim aktualisht te Partia Socialiste me lidershipin e saj. Greva nuk përmbush asnjë nga kushtet e institucionit të grevës, por është e ndërtuar nga fjali të gjata, që të kujton terminologjinë historike të bolshevizmit si “poshtë ky, poshtë ai”... Të gjitha këto janë shprehje tipike të ngarkesës komuniste bolshevike, krejtësisht të papranueshme me statusin e shoqërisë shqiptare dhe të detyrave të shtetit. Ideatori i kësaj ngjarjeje është një frymëzim sa diktatorial aq edhe bolshevik. Grevës i mungon tërësisht transparenca. Mund të përmend psh, se një pedagog i Korçës është regjistruar si grevist, ndërkohë që shkon dhe jep mësim, e pastaj kthehet përsëri dhe hyn në grevë. Pra, kemi të bëjmë me një grevë të paguar, me një ide manipuluese të grevimit. Greva e ka qendrën në një restorant, në restorantin e deputetit të PS-së, Fidel Ylli. Institucioni i grevës është në pikëpyetje. Ata sëmuren ditën, kur paraqiten në televizor, ndërkohë që sëmundja mund të të prekë realisht gjatë natës. Mbështetësit e grevës janë njerëz si Spartak Ngjela, njeri pa vota. Greva ka një karakter donkishotesk, është sa për të qeshur aq edhe për të qarë”, u shpreh publicisti dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu .


Lidhur me një zgjidhje të mundshme të ngërçit politik dhe dhënies fund të palogrevës, publicisti Balliu theksoi se kreu i shtetit i ka të gjitha atributet e rrugëdaljes, përsa kohë përballë ka një formacion që tenton të dalë mbi ligjet dhe institucionet kushtetuese.


“Presidenti e ka shumë të thjeshtë. Se si janë punët, e di Presidenti Topi, e di organizatori i grevës, e gjithashtu e dinë edhe kryeministri Berisha dhe zv/kryeministri Meta. Presidenti Topi e ka tagrin që të përcaktojë se greva nuk ka baza institucionale. Unë mendoj se është shumë e qartë se ajo grevë është e manipuluar, se në vend që të ketë një kauzë, ajo ka një restorant. Duke kërkuar transparencë për veten e vet - gjithçka e shkaktuar prej vetë Ramës - ai po tenton të dalë mbi gjykatat dhe institucionet e pavarura. Ndaj, shtoj se Presidenti Topi, i ka të gjithë kompetencat për t’i dhënë zgjidhje. Ne nuk mund të lejojmë që Rama, pasi i ka vënë drynin Bashkisë, po i vë drynin edhe grevës, duke mos e bërë transparencën e saj.


Kur flasim për zgjidhje, flasim vetëm për zgjidhje që të kthejmë brenda sistemit Ramën, pasi institucionet, parlamenti dhe pjesa tjetër e politikës normalisht që funksionon dhe s’është në një situatë klasike krize. Mund të them se Rama, kërkesat e grevës le t’i verë në ballë të politikës. Nëse një forcë politike që është në minorancë kërkon të imponohet si mazhorancë, atëherë ajo duhet të marrë përgjigjen e tyre. PS-ja dhe Rama, janë si një motor që po punon pa vaj dhe pa ujë. Nëse ata tejkalojnë të drejtat e tyre, atëherë ata shkelin të drejtat e të tjerëve, që do të thotë po shkel institucionet. Shqipëria pret vizat, ndërsa Rama po tenton të krijojë një real katrahure politike, krejt për interesat e tija dhe të një grupi që s’ka të bëjë me PS-në. Më këtë strategji, Rama po e çon PS-në drejt asaj humbjeje të thellë, krejt të ngjashme me homologët e tij hungarezë, të cilët u katandisën në një parti minorancë, në një parti me përqindje qesharake, në një parti të nivelit të tretë”, deklaroi më tej, Balliu.


Në përfundim ai shtoi se përmes grevës së urisë, Rama kërkon t’i ngulë një thikë pas shpinë vendit, por që s’do ia dalë dot, sepse faktori politik në Shqipëri, por edhe autoritetet drejtuese në BE, e kanë të qartë tablonë politike dhe me izolimin që i kanë bërë, i kanë dhënë goditjen e duhur kësaj greve personale të Edi Ramës dhe shokëve të tij, që po ai vetë i ka marrë peng.

...