Në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk mund të merren ende përgjigjet për humbjen e tretë të kandidatit të tyre për Kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi, përballë atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa.
Lutfi Haziri, të martën, i ka ngritur supet, kur është pyetur për këtë çështje.
“Ne së bashku me partnerët e koalicionit do ta analizojmë bashkë dhe do ta vlerësojmë se si pasojë e çfarë gjëje ka dalë ky rezultat që është”, deklaroi Nënkryetari i LDK’së, në një prononcim për Express.
Ai ka tentuar ta shpërndajë përgjegjësinë e humbjes.
“Në Gjilan ka qenë një garë mes koalicioneve nga LDK’ja dhe PDK’ja. Natyrisht që koalicioni i PDK’së ka dalë fitues dhe ne e kemi pranuar rezultatin”, ka thënë Haziri, duke shtuar se raundi i tretë nuk është tregues i fuqisë politike.
“LDK’ja dhe PDK’ja bazohen mbi bazë të votës dhe rezultatit në raundin e parë. Ai është determinuesi kryesor i fuqisë së partive politike”.
E, derisa Lutfi Haziri tenton ta shpërndajë përgjegjësinë e humbjes së Komunës së Gjilanit, Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi thotë se i di shkaqet e humbjes së Fatmir Rexhepit.
Isufi e drejton gishtin kah LDK’ja.
“Problemi është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Nënkryetari i AAK’së, partia e të cilit, ashtu sikurse edhe LDD’ja e Nexhat Dacit, u angazhua shumë për fitoren e kandidatit të LDK’së për Kryetar të Gjilanit.
“Unë në këtë garë jam angazhuar për Fatmir Rexhepin, po aq sa jam angazhuar për vete në raundin e parë të zgjedhjeve. Krerët e LDK’së, duke filluar nga Presidenti dhe ministrat e LDK’së, nuk e kanë ndihmuar Rexhepin, për shkak se po i ruajnë pozitat e veta në Qeverinë e Hashim Thaçit”, ka shtuar Isufi.
Ai nuk beson se humbja e Fatmir Rexhepit lidhet me raportin e acaruar mes LDK’së dhe AAK’së, pasi që Presidenti Sejdiu e refuzoi ofertën e Ramush Haradinajt për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
LDK’ja humbi për të treten herë në Gjilan. Edhe pse ishte menduar se LDK’së i intereson shumë rikthimi i kësaj komune, javët e fundit zyrtarët e kësaj partie nuk u angazhuan shumë për fitoren e Fatmir Rexhepit.
Madje, spekulohet se Lutfi Hazirit i është premtuar një post ministror në Qeveri, çka ka ndikuar në procesin elektoral të Gjilanit.
Kjo mohohet nga Nënkryetari i LDK’së.
“Absolutisht unë kam qenë shumë aktiv në javën e fundit në procesin zgjedhor në Gjilan. Nuk lidhet asgjë në asnjë formë me emra, për sa i përket riformatizimit të Qeverisë apo angazhimeve konkrete. Ato janë çështje të ndara”, ka deklaruar ai.
Por, Haziri nuk e mohon se koalicioni qendror me LDK’në ka ndikuar në këtë proces.
“Natyrisht që me vetë faktin që LDK’ja dhe PDK’ja janë në qeverisje qendrore, ka pasur impakt në procesin zgjedhor në Gjilan. Ka qenë vështirë për ne ta sqarojmë se jemi në qeverisje në këtë fazë të angazhimeve. Derisa për Kryeministrin dhe ministrat ka qenë shumë e lehtë që të jenë agresivë në Gjilan”, thotë ai.
Por, kush do ta marrë përgjegjësinë e humbjes në LDK?
“Për çdo proces mendoj se përgjegjësia do të vendoset në vend. Ne tani jemi duke e bërë analizën tonë të brendshme në parti për tërë procesin zgjedhor. Raporti i detajuar është i gatshëm me krejt analizën që e përcjell një proces zgjedhor. Besoj se Kryesia e LDK’së në fund të kësaj jave hyn në procesin e vlerësimit të komplet zgjedhjeve lokale”, ka deklaruar Haziri.