Nga Bledar Lumani

“Gazeta Shqiptare”, e cila ka publikuar fakte kompromentuese që implikojnë djalin e kryeministrit Berisha në tragjedinë e Gërdecit, është bllokuar mëngjesin e djeshëm. Kjo e fundit ishte zhdukur nga tregu, teksa dikush mendohet se ka blerë të gjitha kopjet e saj. Sipas drejtuesve të kësaj gazete, bllokimi është bërë për faktin se gjatë ditës së djeshme do të publikoheshin dokumente që implikojnë drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën në shpërthimin e 15 marsit. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe opozita, që e cilësoi atë si një akt të bllokimit të medies së lirë.







Bllokimi




Gjatë mëngjesit të djeshëm, “Gazeta Shqiptare” nuk gjendej në asnjë prej pikave të shitjes së gazetave në Tiranë. Kjo e fundit ishte zhdukur nga tregu, teksa nuk gjendej asnjë kopje e saj, pasi dikush i kishte blerë të gjithë numrat e gazetës së djeshme. Kryeredaktorja e gazetës, Anila Basha, bëri me dije se kopjet e djeshme të “Gazetës Shqiptare” janë bllokuar, për faktin se në numrin e djeshëm të saj do të publikoheshin fakte dhe dokumente, të cilat kompromentojnë rëndë djalin e kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berishën, në tragjedinë e Gërdecit. Për këtë arsye, drejtuesja e njërës prej gazetave më të vjetra në vend thotë se gjithë kopjet e gazetës janë blerë nga njerëz të kryeministrit, me qëllim fshehjen e fakteve të përfshirjes së djalit të tij në aferat korruptive të Gërdecit. Sipas Bashës, bllokimi i gazetës ishte një përpjekje e dështuar për të ndaluar të vërtetën. Sakaq, bordi drejtues i gazetës vendosi që ta botojë sërish numrin e djeshëm dhe e ka rishpërndarë atë në të gjitha pikat e shitjes së gazetave në Tiranë. “Askush të mos mendojë se mund të bllokojë “Gazetën Shqiptare” apo çfarëdo gazete tjetër në vend. Gazeta jonë do të vazhdojë të publikojë fakte dhe të dhëna me atë se çfarë ka ndodhur në Gërdec, si dhe për përgjegjësit e saj”, - tha kryeredaktorja e “Gazetës Shqiptare”, Anila Basha.






Reagimi




Në lidhje me bllokimin e numrit të djeshëm të “Gazetës Shqiptare” ka reaguar edhe politika, e cila e ka cilësuar atë si një akt të rëndë dhe si një përpjekje për të fshehur të vërtetën. Partitë e majta, por dhe parti nga spektri i djathtë, e kanë cilësuar atë si një veprim politik të iniciuar nga vetë kryeministri Berisha, duke cenuar kështu rëndë lirinë e medias. “Dita e sotme është gdhirë me një incident të qeverisë së Shqipërisë me shtypin e lirë. Këto janë shenja të panikut të Berishës, i cili, për të mbrojtur qeverinë e interesave familjare, po shkel përditë e më shumë në dërrasë të kalbur”, - u shpreh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, për këtë ngjarje. Ndërkohë, kreu i PSD, Skënder Gjinushi, akuzoi Berishën se po bllokon medien e pavarur, me qëllim fshehjen e të vërtetave që lidhin familjen e tij në afera të ndryshme korruptive. Zëra kritikë për këtë ngjarje pati edhe nga e djathta, teksa kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e cilësoi atë si një përpjekje për t’i mbyllur gojën shtypit të lirë, i cili gjithnjë e më shumë po nxjerr të vërtetat e korrupsionit në Gërdec, gjë që solli dhe shpërthimin e 15 marsit, ku gjetën vdekjen 26 persona. Sakaq, vetë kryeministri Berisha nuk ka reaguar për bllokimin e “Gazetës Shqiptare”. Zëdhënësja e qeverisë, Juela Meçani, pyetjes së gazetarëve për këtë ngjarje iu përgjigj se nuk kishte koment.






Shkrimi implikues




“Gazeta Shqiptare” publikoi dje dokumente, të cilat vërtetojnë që kompania Southern Ammunition Company”, shkurt SAC, e cila kryente demontimin e municioneve në Gërdec, ka pasur si përfaqësues të vet në Shqipëri Rrahman Selmanllarin, mikun e ngushtë të djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Sipas shkrimit të gazetës, SAC është firma amerikane që fitoi kontratën për demontimin e armëve në Gërdec, por ajo krijoi firmën shqiptare me emrin “AlbaDemil”, që administrohej nga Mihal Delijorgji. Pra, interesat e SAC në Shqipëri mbroheshin nga dy persona, nënkontraktori Mihal Delijorgji dhe përfaqësuesi ligjor i firmës amerikane në Shqipëri, Rrahman Selmanllari. Por, vetë biznesmeni Selmanllari, i pyetur nga prokuroria, ka mohuar çdo lidhje pune apo personale me SAC apo përfaqësues të saj. Në dëshminë e tij ai ka mohuar të ketë ndërtuar punishten e Gërdecit, si dhe njohjet e ngushta me Delijorgjin apo Ylli Pinarin, drejtorin e kompanisë shtetërore të armëve. Sipas “Gazetës Shqiptare”, Selmanllari ka pohuar në prokurori, se dy të akuzuarit kryesorë të Gërdecit, si dhe Patrick Henry-n, nuk i ka njohur ndonjëherë. E vetmja gjë që ai ka pohuar në prokurori ka qenë miqësia 10-vjeçare me djalin e kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berishën. Duke qenë mik me djalin e kryeministrit, Selmanllari dyshohet se ka qenë pikërisht përfaqësuesi i këtij të fundit në biznesin e armëve në Gërdec.







PD mbron Selmanllarin: Nuk e ka blerë “Gazetën Shqiptare”




Zëdhënësja e Partisë Demokratike doli në mbrojtje të mikut të ngushtë të djalit të kryeministrit, Sali Berisha, Rrahman Selmanllarit, duke deklaruar se nuk ka qenë ai që ka blerë të gjithë tirazhin e “Gazetës Shqiptare”.


“E vërteta është se kemi të bëjmë me një truk të pastër të medias në fjalë. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një skenar të thurur dobët që synon të përmirësojë reputacionin e një medieje. Një medieje që e vetmja mënyrë që i ka mbetur për t’u shitur është duke viktimizuar veten dhe duke pretenduar që e kanë hequr me forcë nga dora e lexuesit. Ajo që nuk mund të lejohet është vendosja e trukeve politike-mediatike si një standard për të vërtetën dhe fjalën e lirë. Gazeta në fjalë nuk është bllokuar për shkak të informacioneve që ajo dispononte, por vetëm për shkak të pazareve të menaxherëve të saj. E vërteta është se gazeta ka funksionuar normalisht në tregun e abonimeve, të cilat nuk varen prej menaxherëve të kësaj gazete, e vërteta është se të gjithë abonuesit, si dhe rrethet kanë pasur mundësinë që të kenë të plotë numrin e kësaj gazete. Kjo gjë u verifikua edhe nga shpërndarësi i gazetës RD, Dritan Danaj, i cili bëri një investigim të thjeshtë në të gjitha pikat e shitjes së gazetave, duke vërtetuar se nuk u ka shkuar asnjë numër i gazetës që pretendon se është bllokuar. Kjo është diçka që çdo shqiptar mund ta verifikojë lehtësisht dhe të kuptojnë se në ç’pikë arrin hipokrizia mediatike dhe falsiteti i kësaj medieje”, - tha zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli.