Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave kanë protestuar sot para Gjykatës së Lartë, duke kërkuar mbrojtjen e Muzeut të Shkencave me statusin e një objekti të rëndësisë së veçantë.



Muzeu, i cili është i rrallë në rajonin tonë, llogarit një shumëllojshmëri speciesh të kapura në territorin shqiptar. Fakulteti i Shkencave kërkon që muzeu të mbrohet si objekti i rëndësisë së veçantë. Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë nesër këtë çështje, ku në konflikt janë ish-pronarët dhe shteti.



Godina ku sot ndodhet muzeu i Shkencave të Natyrës, që nga ndërtimi i saj ka pasur funksione të ndryshme. Në kohën e Mbretit Zog ajo ka shërbyer si konvikt, ndërsa pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia ajo ka shërbyer për riparimin e motorëve të avionëve. Në vitin 1948, ndërtesa u kthye në Muze të Shkencave të Natyrës. Në vitet e para të krijimit të tij, muzeu ishte në varësi të Institutit të Shkencave dhe nga viti 1957 ai kaloi në varësi të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Në vitin 1969, muzeu u riorganizua në tre sektorë: sektori i zoologjisë, sektori i botanikës dhe sektori i gjeologjisë. Në muze ka mjaft eksponate nga bota e kafshëve të Shqipërisë, atje ndodhet i ekspozuar një koleksion nga fauna ekzotike, gjithashtu ka eksponate të drurëve e shkurreve kryesore, si dhe herbarin e bimëve industriale.