Politikanë, analistë, njerëz të penës dhe të dijes kanë paraqitur në emisionin "Exclusive" impresionet e tyre ndaj punës dhe jetës së Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxhës. Njerëz të medias flasin për një televizion që bashkoi shqiptarët dhe për një njeri që pati një vizion kombëtar. Politikanë, njerëz të medias dhe njerëz të thjeshtë nga trevat shqiptare japin përshtypjet e tyre për Dritan Hoxhën. Të gjithë bashkë, krahas impresionove janë shprehur njësoj me fjalën "Faleminderit Tani"!



Hashim Thaçi



U hidhërova shumë për krijuesin e "Top Media"-s. Tani nuk do t‘i mungojë vetëm familjes së tij dhe "Top Media"-s, por mungesa e tij do të ndihet në çdo formë të jetës institucionale. Projekti i tij do të avancohet dhe do ecë në tregun bashkëkohor. Kam pasur shansin që Tanin ta njoh para dhjetë vitesh dhe ka qenë mbështetës i fuqishëm i luftës për çlirimin e Kosovës.



Jakup Krasniqi



Humbja e drejtuesit të "Top Media"-s është një dhembje e madhe për kulturën dhe gjuhën. "Top Media" e ringjalli dashurinë dhe respektin për gjuhën. Një ndërmarrje e tillë do të duhet thjesht që edhe shteti shqiptar të investonte për të ruajtur këtë ndërmarrje të madhe kombëtare.



Arbën Xhaferri



Ai hapi shtegun në kohë shumë të zymta për median shqiptare, ai ndërtoi një institucion pa përkrahjen e askujt, ai arriti të krijojë një institucion të lartë.



Agim Çeku



"Top Media" është pjesë e pandashme e familjes shqiptare. Tani është shuar me një energji të paparë, që do t‘i mungojë shumë "Top Media"-s dhe jam i bindur se kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij do të vazhdojnë të punojnë me profesionalizëm. Vizioni i tij, që është bërë realitet, duhet të na bëjë të jetojmë.



Bujar Bukoshi



Vdekja e Presidentit të "Top Media"-s është një humbje që vështirë se do të kompensohet. Ngriti standardet e një shoqërie moderne dhe siguroi një informim të saktë. Pulsimi i Shqipërisë dhe fenomeni i "Top Media"-s të shkon në mend si fillim për të treguar arritjet e Tan Hoxhës.



Kjo është merita e Tan Hoxhës, i cili personalisht u dha tonin gjithë këtyre ngjyrimeve.



Fatmir Limaj



Ajo që bëri Tani ishte mision dhe unë e quaj atë si misionar, duke kaluar përmasat lokale, duke i çuar ato në ndërkombëtare. Unë nuk pajtohem me njerëzit që thonë se është një humbje e madhe për median, sepse shqiptarët humbën një misionar. Unë mendoj se shqiptarët kanë humbur një misionar që ka arritur t‘i bashkojë shqiptarët.



Veton Surroi



Tani u ka prirë ndryshimeve në sferën mediatike dhe kulturore dhe në debatin politik në Shqipëri. Duket se energjia e tij personale ka mundur të bëjë ndryshime kaq të mëdha. Kam qenë rastësisht në momentet kur përgatitej "Portokalli"-a dhe ai ishte drejtpërsëdrejti në hollësi të përgatitjeve të këtij emisioni. Ai merrej vetë me gjithçka.



Albin Kurti



Dritan Hoxha i realizoi synimet e tij. "Top Channel" është kanali televiziv numër një në Shqipëri. Shumë shpejt shqiptarët iu afruan shumë këtij kanali dhe kjo tregoi suksesin e Tanit.



Kim Mehmeti



Jeta nuk matet me ditët dhe muajt, por me atë që bëjmë. Tik-taku i Tan Hoxhës ishte i mbushur me shumë gjëra. Kishte dinamizëm. Tani është nga ata njerëz të rrallë që shkoi në moshë të re, por nëse merr dhe lexon atë që përbën jetën e tij, ndoshta ai ka jetuar më gjatë se të gjithë ne të tjerët.



Rahmush Tahiri



Kishte vizion se çka është e mirë për shqiptarët. "DigitAlb" krijoi një komunikim të nivelit të kombeve të përparuara.



Shkëlzen Maliqi



Nëse bën në media biznes, oferta duhet të jetë e cilësisë së lartë dhe krijimet që janë bërë në "Top Media" kanë qenë të arsyeshme dhe të suksesshme.



Ibrahim Makolli



Idetë e Tanit kanë tejkaluar përmasat ndërkombëtare dhe roli i tij si individ ka qenë për ato që kanë pikëtakuar në shumë çështje të gjitha qëndrimet e shqiptarëve, pavarësisht se ku ndodhen ata. Humbje për median dhe zhgënjim shoqëror. Tashmë ne flasim për një kolos të fushës mediatike. Ai tregoi se vullneti individual mund të kurorëzohet me sukses.



Avni Zogiani



Kur u ndërtua mbretëria e medias, shqiptarët vetëkënaqeshin me koncepte të tejkaluara mediave, por Tani ndikoi pozitivisht. Nisi një rrugë që i tejkaloi edhe rajonin e vendet e tjera. Ishte një uragan, në sensin pozitiv, dhe shpresojmë që ajo që ndërtoi ai të funksionojë ashtu si ka funksionuar edhe më parë nën drejtimin e tij.



Edita Tahiri



Depërtoi një frymë të re në botën shqiptare. Mendoj se njerëzit e tillë, të cilët dinë që vizionin ta implementojnë, bëhen shembuj dhe modele. "Top Channel" është ndërmarrje e ndryshimeve që çdo individ e ndjen dhe përjeton.



Fejzi Hajdari



Instaloi mekanizmat bashkëkohorë evropianë në hapësirat shqiptare. Kontributi i tij duhet t‘u shërbejë shqiptarëve si udhërrëfyes. Atë që bëri Dritan Hoxha, vështirë se do ta arrijnë qeveritë e ardhshme të Shqipërisë. Nëse shqiptarët mund të mburreshin me diçka ndaj evropianëve, kjo ishte "Top Media".



Sadi Bexheti



Vdekja e Presidentit të "Top Media"-s ishte një humbje e dhimbshme. Ishte humbje e madhe e Tanit, për arsye se ky televizion ka dhënë rezultate të mëdha në të gjithë botën.



Afërdita Saraçini



Tanin e kam quajtur gjithmonë si djalin me bisht. Atij i interesonte shumë teknologjia. Ai arriti i pari të bëjë 6 kanale. Ky ishte Tani, ka ditur të respektojë punën e RTV 1 dhe ishte një humbje e madhe. Ka pasur ç‘të ofrojë më tutje, mirëpo ja që jetës nuk i dihet.



Gëzim Podgorica



Kishte një biznes që u shërbeu të gjithëve. Këtu qëndron merita e tij, e cila u kthye në një vlerë të rëndësishme për kulturën dhe për popullin. Të krijosh një media të kësaj përmase, sigurisht që plotëson një mungesë shumë të madhe të komunikimit që kanë shqiptarët jashtë Shqipërisë me vendin e tyre.



Avni Spahiu



Ka futur konkurrencën edhe në skenën e mediave elektronike në Kosovë dhe roli dhe ndikimi i "Top Channel" në shoqërinë shqiptare ka qenë i madh dhe shpresoj se do të vazhdojë të ketë këtë ndikim të zhvillimit të demokracisë në vend.



Lekë Zherka



Tanin e kam njohur para pesë vjetësh. Ishte shumë i pasionuar pas teknologjisë. Shpesh e kam parë të ecte me 150 km në orë, sepse atij i pëlqente t‘i bënte gjërat shpejt.



Suksesi i vërtetë është fryt i përkushtimit që ai ka pasur për këtë lloj pune, çka e tregoi suksesi i "Top Channel".