Tatimet nisin procedurat për 9 subjekte me bilance negative. Gjykata: Ende ska mbërritur dosja


Bardha Nergjoni


Ruzhdi_Bizhuta_Stadium1Klubi i Futbollit Elbasani, bashkë me disa institucione të tjera, rrezikon përfundimisht që të shpallë falimentin pas një bilanci me humbje që vazhdon prej vitesh. Lajmi është bërë i ditur nga Dega e Tatimeve në Elbasan, e cila pritet të depozitojë në gjykatë listën me emrat e subjekteve, ndër të cilët theksohet Klubi i Futbollit Elbasani, hidrocentrali Banjë, Qendra Balneare Llixhë, Ujësjellësi Fshat etj. Humbjet e mëdha të regjistruara prej vitesh nga këto institucione kanë bërë që Dega e Tatimeve të ndërmarrë hapin e fundit bazuar në ligjin për falimentet. Bilancet me humbje të KF Elbasanit janë bërë të ditura prej kohësh dhe po kështu ndërhyrjet e Bashkisë Elbasan për të përballuar shpenzimet e kontratave për lojtarët. Kreu i bashkisë, i pyetur mbi këtë fakt, deklaroi se nuk ka asnjë njoftim për nisjen e procedurave gjyqësore për shpalljen e falimentit të Klubit të Futbollit. Është e vërtetë që Klubi i Futbollit del prej vitesh me humbje. Bashkia ka financuar disa herë për të bërë të mundur kontratat dhe shpenzimet e tjera, por kjo nuk mund ta ndalë buxhetin me humbje të Klubit të Futbollit, që është një shoqëri aksionere. Nuk mund ta kundërshtojmë këtë proces, pasi është ligji që e dikton. Bashkia Elbasan disponon aksionin e artë, që përfshin stemën dhe emrin. Po kështu, asetet janë pronë e bashkisë dhe jo e shoqërisë aksionere. Të vetmet asete të kësaj shoqërie janë aksionet që disponon, ku bashkia gjithashtu pëson një humbje të madhe, pasi ka 33% të aksioneve. Aksioneri më i madh i shoqërisë, Arben Laze, disponon 44 për qind të aksioneve, Bashkia e Elbasanit 33.3 për qind, ndërsa pjesa tjetër disponohet nga ortaku Gentian Çërraga.


Humbjet e deklaruara në pasqyrën përmbledhëse për KF Elbasanin janë rreth 600 milionë lekë të vjetra. Për këtë shoqëri, si dhe për firmat e tjera, pritet të vazhdojë procesin e falimentit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan. Janë 9 subjekte që tashmë do të duhet të përballen me procedurat e falimentimit. Mes këtyre firmave ka edhe institucione me kapitale shtetërore, të cilat rezultojnë me humbje ose janë të mbyllura prej vitesh. Sipas burimeve tatimore, në listë janë edhe hidrocentrali i Banjës, që gjithashtu rezulton me humbje kur kanë mbetur vetëm rrënojat, Qendra Balneare Llixhë e shumë ndërmarrje e firma private. Përfshirja në procesin e falimentit të Ujësjellës Fshat e bën këtë proces kompleks. Ndërmarrja e ujësjellësit, që rezulton me humbje rreth 400 milionë lekë të vjetra, përgjigjet për furnizimin me ujë të fshatrave në Rrethin e Elbasanit. Kryesisht humbja e krijuar ka lidhje edhe me detyrime të papaguara pranë degës së tatimeve. Kryetari i gjykatës, Arben Vrioni, deklaroi se ende nuk ka mbërritur një dosje e tillë pranë gjykatës. Ai u shpreh se procedurat i ndjek më pas gjykata, por deri në momentin që nuk ka ende një shkresë zyrtare nga Dega e Tatimeve, nuk ka subjekte që përfshihen në procesin gjyqësor të njohjes së falimentimit.


 



Elbasan


Vidhen dhomat e zhveshjes në Pallatin e Sportit


Ndërsa basketbollistët stërviteshin, një person ka menduar të përfitojë nga rasti, duke u vjedhur sendet me vlerë dhe veshjet në ambientet e pallatit të sportit Tomor Sinani në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë gjatë pasdites, ndërsa disa basketbollistë të rinj zhvillonin seancën e stërvitjes. Kur ata kanë lënë veshjet dhe sendet me vlerë dhe i janë bashkuar stërvitjes, një i ri që ka studiuar mirë situatën dhe ka përfituar nga mungesa e vëmendjes, ka hyrë në brendësi duke marrë nga aty aparate celulare të markave të ndryshme, ka pastruar portofolat dhe ka marrë gjithashtu dy xhupa të sportistëve. Këta të fundit janë gjendur përballë faktit të kryer, ndërsa janë kthyer në dhomat e zhveshjes kanë konstatuar vjedhjen duke lajmëruar policinë. Të paktën tre persona kanë nënshkruar denoncimin për vjedhjen e pazakontë. Me denoncimin agjentët filluan procedurat dhe sipas të dhënave është arritur në identifikimin e autorit dhe po punohet për kapjen e tij.


b.n.




Ky shkrim Falimenton Klubi i Futbollit Elbasani u publikua me pare te Gazeta SHQIP.