Ai që mund të quhet si sulmuesi më i kërkuar i momentit do të ndërrojë skuadër në janar. Bëhet fjalë për kolumbianin Radamel Falkao, lojtarin e Atletikos së Madridit, që besohet se do të kalojë tek Çelsi në kampionatin anglez.
Sipas mediave në Amerikën e Jugut, të cilave u bëjnë jehonë edhe media në Britaninë e Madhe, Falkao do të transferohet në Londër për shifrën e shkëlqyer të 60 milionë eurove.
Sulmuesi shënoi 3 gola në finalen e Superkupës së Europës, të cilën Atletiko e fitoi me rezultatin 4-1 pikërisht ndaj Çelsit.
Kolumbiani ka shkëlqyer që kur ishte tek Porto, ndërsa vazhdimisht është kërkuar nga skuadrat më të mira të Europës si Reali i Madridit, Barcelona apo klubet kryesore italiane dhe angleze.
Atletiko e Madridit e ka hedhur poshtë këtë njoftim mediatik si të pavërtetë, ndërsa flitet se Falkao ka nënshkruar një para kontratë me klubin anglez të pronarit Roman Abramoviç.