Fier


Gjykata vendos detyrim paraqitje për specialistët e Drejtorisë Arsimore


roskovecNdonëse Prokuroria e Fierit kërkoi vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë arrest në burg pa afat ndaj ish-drejtorit të Shkollës së Mesme të Bashkuar në qytetin e Roskovecit, F. Beqaj dhe tri specialisteve të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Fierit, V. Mitro, M. Emini dhe M. Durmishaj, të arrestuar për bashkëpunim në dhënien e dëftesave false, gjykata duket se është treguar më bujare, duke caktuar një masë sigurie më të lehtë për tri femrat, duke lënë në burg vetëm Beqajn. Gjatë zhvillimit të masës së sigurisë tri specialistet kanë qarë dhe kanë kërkuar që të caktohet një masë më e lehtë sigurie ndaj tyre, duke u shprehur se gjithçka e kanë bërë në mirëbesim dhe jo për përfitime. Mësohet që ato të jenë shprehur se janë nëna me fëmijë dhe se qëndrimi në burg do të sillte pasoja të rënda për familjet e tyre. Pasi gjykata është njohur me pretendimet e palëve ka vendosur që të vlerësojë si të ligjshëm ndalimin e katër të arrestuarve dhe të caktojë masën e sigurisë arrest në burg vetëm për të prangosurin F. Beqaj. Ndërsa ndaj specialisteve V. Mitro, M. Emini dhe M. Durmishaj, është vendosur masa e arrestit detyrim paraqitje. Disa ditë më parë Prokuroria e Fierit urdhëroi ndalimin e ish-drejtorit të Shkollës së Mesme të Roskovecit dhe tre specialisteve të DAR Fier, të cilat duhej të kontrollonin vërtetësinë e lëshimit të vërtetimeve dhe dëftesave. Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme njoftuan atëherë se drejtori i shkollës dhe tre specialistet janë prangosur pas një hetimi të Prokurorisë së Fierit për veprat penale të Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe Falsifikim i dokumenteve shkollore. Informacionet e siguruara prej hetuesve se drejtori i Shkollës së Mesme të Roskovecit, F. Beqaj ka lëshuar vërtetime shkollore të falsifikuara për persona të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë nxënës të kësaj shkolle, kundrejt shumës së 1000 apo 1500 eurove, ka nxitur nisjen e hetimit. Në njoftim thuhet se pas hetimeve speciale të kryera nga Prokuroria e Fierit, është konfirmuar fakti se F. Beqaj ka qenë i angazhuar në këtë veprimtari kriminale në bashkëpunim edhe me specialistet e sipërcituara të DAR Fier, duke u siguruar personave të ndryshëm vërtetime të shkollës së mesme, të falsifikuara. Organi qendror i akuzës bënë me dije se këto dëftesa të falsifikuara janë dhënë në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave, deri në 1500 euro për secilën. Nga hetimi ka rezultuar se vetëm gjatë një muaji janë lëshuar të paktën katër vërtetime të tilla. Nga kontrollet e banesave, sekuestrot e kryera pranë Shkollës së Mesme të Roskovecit dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale të Fierit, ka rezultuar se i prangosuri F. Beqaj, ka përpiluar disa vërtetime notash ose dëftesa pjekurie false, pasi personat përkatës nuk kanë qenë nxënës të asaj shkolle. Nga verifikimet është konstatuar se falsifikimet janë realizuar duke ndërhyrë në regjistrin e nxënësve që kanë përfunduar shkollën, duke u hequr dhe duke u ngjitur atyre fletë. Sipas organit të akuzës, veç katër rasteve të faktuara, edhe nëpërmjet përgjimeve, janë vërejtur edhe heqje të mjaft fletëve të tjera nga regjistrat, në total rreth 40 raste. Kjo, sipas prokurorisë ngre dyshimet se ka pasur edhe falsifikime të tjera të kryera prej Beqajt që mendohet se janë kryer kundrejt ryshfetit. Nga hetimi është konkluduar se vërtetimet dhe dëftesat e falsifikuara nga drejtori i shkollës, duhen verifikuar nga komisioni me tre specialistë, i ngritur për këtë qëllim në Drejtorinë Arsimore të Fierit dhe mandej firmosen nga titullari. Sipas prokurorisë, nga këqyrja që i është bërë ciklimit të diplomave në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Fierit ka rezultuar që rastet e dërguara nga drejtori i shkollës F. Beqaj, të mos jenë verifikuar në shkollën përkatëse nga specialistët e Kurrikulës së Drejtorisë Arsimore të Fierit; V. Mitro, M. Emiri dhe M. Durmishaj, duke i konsideruar ato të pasqyruara prej drejtorit të shkollës, F. Beqaj si të përputhshme me të dhënat që disponon ky institucion arsimor.


E. Hoxhaj


 


Ky shkrim Falsifikuan dëftesat, burg për drejtorin e shkollës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.