Nga Mark Nika / Avokat, Xhaxhai i Aleks Nikës vrarë nga Garda e Republikës në 21 janar
Në vëmendje të:
Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, Ambasadorit të SHBA-së, zotit Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE-së, zotit Ettore Sekui
Pak ditë pas përvjetorit të parë të masakrës së 21 janarit 2011 u njohëm edhe ne, familarët e Aleks Nikës, me rezultatet e ekpertizës së FBI-së në lidhje me vrasjet dhe plagosjet e asaj ditë të zezë.
E kemi ditur qysh ditën e parë, e kemi thënë e shkruar vazhdimisht në media se Aleksi, ashtu sikurse Hekruan Deda, Faik Myrtaj dhe Zever Veizi që ranë bashkë me të, u vranë pa asnjë faj, pa shkelur asnjë ligj, pa kërcënuar jetën e askujt, pa prishur një degë pemë. U vranë vetëm se morën pjesë në një demostratë të ligjshme, të thirrur nga opozita legale shqiptare.
Por prapseprapë përfundimet e ekspetizës së FBI-së janë shokuese. Nga kjo ekspertizë ka dalë përfundimisht se armët vrastare të gardës së Sali Berishës janë shkrehur mbi njerëzit si në masakrat terroriste. Për hesapet e atyre që kanë tërhequr gishtin dhe të atyre që kanë urdhëruar të hapet zjarr në kundërshtim flagrant me ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare, ku Shqipëria ka aderuar sot do të ishin në zi bashkë me ne edhe familjet e protestuesve të plagosur.
Është i përbindshëm krimi i 21 janarit. Por shumë pikwpyetje që na kanë munduar gjatë gjithë këtij viti si familje kanë filluar të marrin përgjigje. Kush na vrau? Kur na vra? Pse na vrau? Po presim me padurim që Prokuroria të shprehet me aktakuzë dhe drejtësia të thotë fjalën e vet me gjithë rreptësinë e ligjit. Kemi qenë e jemi të vendosur për drejtësi sipas ligjeve. I njohim edhe ne ligjet, po shyrtojmë me vemendje provat që po dalin. Nuk do të lejojmë dhe nuk do të pajtohemi kurrë me një drejtësi sa për të kaluar radhën, me gjysëm drejtësie.
Si familjarë të Aleksit, si shtetas dhe si njerëz jemi të shokuar jo vetëm nga vrasjet , por edhe më shumë nga përpjekjet banditeske për të fshehur gjurmët e krimit, duke ndërrur tytat e armëve apo duke fshirë filmimet e 21 janarit nga serveri i kryeministrisë.
Me ketë që kanë bërë me fshehjen e provave na kanë vrarë dy herë. I thonë vetes heronj të ligjit, kur në fakt ishin dhe janë dhunuesit më të egër të tij. Ekspertiza FBI-së ua hoqi maskat. Kjo ekspertizë i tregoi gjithë botës se vrasjet e 21 janarit janë një krim i pastër qeveritar. Kjo ekspertizë dhe hetimet e Prokurorisë shqiptare zhbllokuan dhe futën më në fund në drejtimin e duhur hetimet e sabotuara gjatë gjithë vitit nga Sali Berisha me klikën e tij.
Familja Nika falenderon grupin e prokurorëve në veçanti Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama. Vendosmëria e tyre na jep shpresë së drejtësia që kërkojmë do të bëhët. Për arsye të kuptueshme unë si xhaxhai i Aleksit, që kam folur e shkruar shpesh në media, kam shprehur rezevat e familjes sonë për zvarritjen e hetimeve nga Prokuroria. Kësaj rradhe kërkesa jonë ndaj Prokurorisë është të mos ndalet për asnjë çast dhe për asnjë arsye nga zbaitmi i ligjit ndaj cilindo që ka dorë në mënyrë direkte dhe indirekte në vrasjet e 21 janarit dhe mandej në fshehjen e provave të këtij krimi shumë të rëndë.
Familja jonë ka falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë për ekpertizën e FBI-së si shërbim i specializuar, qoftë për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhenë e po i japin Prokurorisë shqiptare nepërmjet përfaqësuesit të tyre më të lartë në Tiranë, ambasadorit të nderuar Aleksandër Arvizu. Kemi bindjen se familjet e të vrarëve të tjerë dhe mbarë populli shqiptar kanë të njëjtin falenderim.
Pa mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera perendimore, e vërteta e 21 janarit do të kishte mbetur në rrugë pa krye. Pa këtë mbështjeje 21 janari nuk do të zbardhet deri në fund dhe drejtësia nuk do të bëhët. Sepse kundërshtari më i madh i zbardhjes ligjore të vrasjeve të 21 janarit është kryeministri Sali Berisha. Ne familjarët e të vrarëve të asaj dite e kemi marrë vesh me kohë këtë. Tani e kanë marrë vesh gjithë shqiptarët, gjithë bota.
Sot, që e vërteta ka nisur të dalë më në fund në dritë, ne denoncojmë me forcë përpjekjet e këtij kryeministrit për të penguar përsëri hetimet permes presioneve dhe kercënimeve që i drejton Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama apo me paralajmërimet se do të hetojë të vrarët, siç tha në një media se do të hetojë vëllanë e Ziver Veizit. Sali Berisha vazhdon të ngatërrojë detyrat. Po të këtë prova për të vrarët, për opozitën dhe për këdo ai ka për detyrë ti çojë në Prokurori, të kërkojë ekpertizë nga FBI për provat e tij e tjerë. Por ai duhet ta harrojë se është e do të jetë ndonjëherë prokururi i 21 janarit. Ai është palë në tragjedinë e 21 janarit. Ai është subjekt hetimi dhe jo prokuror. Koha që Sali Berisha të përgjigjet para ligjit se kush dha urdhër për të hapur zjarr mbi qytëtarët e pafajshëm, pse e pengoi drejtësinë të vepronte, pse u fshinë filmimet, kush i ka kopjet e filmave që janë kopjuar nga serveri i kryeministrisë, ka ardhur. Sali Berisha nuk mund të mos hetohet.
Le të shpallë heronj të oborrit të tij secilin prej doracëve të 21 janarit, por duhet ta dijë se vetëm thellon borxhet ligjore dhe morale ndaj tragjedisë së 21 janarit. E kanë vënë re të gjithë se si mundohet të gjejë ndonjë shteg, siç di ai, për të vënë në diskutim ekspertizën e FBI-së. Për të bërë atë që bënë me videon e Metës. Kjo është një lojë e rrezikshme, por edhe e pamundur. Ekpertiza e FBI-së është kërkuar ligjërisht nga institucionet e shtetit shqiptar. Kjo është ekspertiza e një shërbimi nga më të kualifikuarit në botë. Për ne si familje ekspertiza e FBI-së është vetë e vërteta e 21 janarit në lidhje me armët e përdorura, plumbat e gjuajtur dhe autorët e vrasjeve.
Në vazhdën e përpjekjeve për të rrumbullakosur 21 janarin janë edhe deklaratat e ditëve të fundit të ish-ministrit të Brëndshëm Lulëzim Basha në vizitën e tij në Uashingron si kryebashkiak i Tiranës. Nuk e shfajëson Bashën përgjigja sferike që dha pas një viti për të vrarët e pafajshëm. Basha ka qenë me 21 janar 2011 Ministër i Brendshëm. Ne e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë përgjegjës menjeherë pas Berishës. Ai duhet të merret ne pyetje nga Prokuroria. Nëqoftese ndjehet i pafajshëm, duhet të shkojë të dëshmoje dhe ta provojë këtë para organeve të drejtësisë.
Një fjalë për të akuzuarit e deritanishëm. Kanë bërë një krim sipër krimit duke ndërruar tytën e njërës prej armëve vrastare. Kanë bërë një krim para ligjit dhe para nesh duke fshirë filmat nga serveri i kryeministrisë. Pse e kanë bërë këtë? Përgjigjet do ti marrim nga hetimi penal i Prokuririsë. Urojmë të jenë përgjigje të vërteta që nuk e rëndojnë por e lehtësojnë sadopak pozitën e tyre.
Mark Nika
Avokat