Të tjerë qytetarë i vijnë në ndihmë kësaj familje, ndërkohë komuna u ka lidhur edhe një ndihmë ekonomike. Gjatë ditëve që lamë pas disa qytetarë të thjeshtë kanë dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm dhe jetik për katër vajzat dhe nënën e sëmurë. Njëri prej personave që u ka ardhur në ndihmë është Enri Hide dhe bashkëshortja e tij. Ai ka dhënë për ta ushqime që kapin vlerën e më shumë së 20 mijë lekëve të reja. Më pas Enri Hide ka premtuar se do të ndihmojë në mënyra të tjera, duke sensibilizuar miqtë e tij për ti ardhur në ndihmë familjes. Një tjetër person ose më saktë një zonjë e moshuar, Asia, ka kontribuar. Ajo ka dhënë një shumë prej 30 mijë lekëve si edhe një sasi të madhe në ushqime. Ndërkohë, zonja Asie, ish-punonjëse në shoqatë tha që çdo dy javë do të vijë për ti vizituar dhe do të sjellë për ta elektroshtëpiake. Punonjësit e Komunës së Babrrusë kanë reaguar pas publikimit të shkrimit. Ata kanë shkuar pranë kësaj familjeje dhe u kanë premtuar se do të ofronin një ndihmë ekonomike mujore. Ndonëse është një shifër simbolike, kjo do të jetë më mirë se asgjë. Historia e tyre u publikua një javë më parë në gazetën Shqip dhe që prej asaj dite ka pasur një ndërgjegjësim dhe reagim të madh nga ana e qytetarëve dhe institucioneve. I.H


Ky shkrim Familja në Babrru: Ndihmat nga qytetarët u publikua me pare te Gazeta SHQIP.