TIRANE – Babai dhe bashkëshortja e Dritan Dajtit kërkojnë takim me ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, pasi pretendojnë se jeta e të arrestuarit është në rrezik. Familjarët e të paraburgosurit Dajti, babai i tij Hasan Dajti dhe bashkëshortja Dorela Dajti, kanë qëndruar gjithë paraditen e djeshme para Ministrisë së Drejtësisë në pritje të një takimi me ministrin. Sipas tyre, babai i Dajtit kishte kërkuar takimin paraditen e së mërkurës me ministrin, ndërsa punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë i kishin thënë që të paraqitej të nesërmen (dje). Duke u nisur nga ky fakt, babai dhe bashkëshortja e Dajtit janë paraqitur te recepsioni i ministrisë, ndërsa kanë pritur për disa orë me radhë, derisa ka mbaruar orari zyrtar i pritjes dhe janë larguar. Pas kësaj familjarët e Dajtit i janë drejtuar me letra-ankime të gjitha organizatave joqeveritare, shqiptare dhe të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë. Po kështu të njëjtat letra u janë dërguar edhe institucioneve qendrore të shtetit. Dorela Dajti, bashkëshortja e të arrestuarit si autor i masakrës ndaj policëve në Durrës, pohoi dje se i shoqi, i paraburgosur ndodhet në rrezik për jetën, pasi nuk arrin të kryejë pa ndihmë asnjë funksion jetësor, si ushqyerja, veshja, urinimi etj. Për më tepër, sipas saj, Dajti ka humbur ndjeshmërinë nervore në pjesën e poshtme të trupit, duke filluar që nga zona e legenit. Kërkesa e familjarëve të Dajtit është transferimi i tij nga qelitë e paraburgimit 302 në Spitalin e Burgjeve, në mënyrë që t’i krijohen kushte për të jetuar, pasi në burg ai rrezikon të humbë jetën, pasi është e pamjaftueshme ndihma që i jep një punonjës i Spitalit të Burgjeve një herë në ditë.                fa.ma.