Ferdinand Dervishi

“Që njeriu të lërë pas vetes një vepër të madhe, duhet praktikisht të vdesë duke e krijuar atë”. Kjo profeci e shkrimtarit amerikan Xhek London, në terrenin shqiptar, zbret të përputhet me rastin tonë. I shkon më së miri gjuhëtarit gjeni të shqipes, Profesor – Doktor Fatmir Agalliut, larguar nga kjo botë në vitin e trazuar 1998, dhe fatkeqësisht apo dashakeqësisht mbetur larg publicitetit dhe mirënjohjes së merituar. Sepse tek ne është ndërtuar prej kohësh një praktikë e mbrapshtë për të vënë në qendër të publicitetit shumëkënd, sidomos politikanët, qoftë edhe kriminelët, por jo shkencëtarët, për më tepër ata të linguistikës. Sikur ta ndiente këtë, i plagosur për vdekje edhe nga humbja e djalit të vetëm, Profesor Agalliu u largua me brengë në zemër, me aq shumë brengë, sa në grahmat e fundit i kërkon të shoqes, Artës, të djegë gjithçka ai kishte ende në dorëshkrime. Një dëshirë që gjithmonë komandohet nga zhgënjimi. Natyrisht që Arta nuk ndezi zjarr. E kishte barazuar Fatmirin me gjeninë dhe e kishte respektuar gjithë jetën, duke mos u lodhur së pari tek ai të jashtëzakonshmin. Madje, kur i shoqi i vdes, në vitin 1998, përmes dhimbjes gjen kohën dhe kurajën t’i kërkojë një mjeku nëse do ishte e mundur t’ia peshonin trurin...
Shkencëtari
Më 19 qershor të këtij viti mbushen 75 vjet nga ditëlindja e Profesor Agalliut. Njeriut që gjithë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe dhe hartimit të teksteve apo punimit të studimeve të ndryshme. “Kam bërë një listë me librat e studimet e tij. Janë shtatë tekste shkollore që përbëjnë bazën e teorisë së gjuhës shqipe, dhe më shumë se 40 punime shkencore të publikuara. Por në shtëpi kam të ruajtur edhe një barrë me dorëshkrime dhe qindra skeda të pabotuara të Fatmirit. Punonte 16 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Edhe kur shkonim me pushime ai s’e kishte mendjen veçse te librat dhe shënimet, që gjithmonë i bënte me laps”, rrëfen Arta, bashkëshortja, e cila tashmë endet e vetme në shtëpinë që dikur ndante me profesorin dhe dy fëmijët. Dhe që të provosh këtë, mjaft të shohësh kopertinat e një pjese të mirë të librave të gjuhësisë që ripublikohen pothuaj vit për vit. Edhe nëse janë grup autorësh, emri i Fatmir Agalliut mbetet gjithmonë në krye. Pasi kolegët e njohin dhe vlerësojnë më mirë. “Në kohën e komunizmit ka pasur raste kur tekstin e hartonte të gjithin Fatmiri, por rregullat e donin që të ishte me grup autorësh. Kështu që pesha e shtuar në tekst nga dy apo tri autorë të tjerë ka qenë shpesh e papërfillshme”, rrëfen Arta. Por ngado që ta shohësh, ai duket i pakapshëm. Sikur të ishte vënë në garë me më të mirët, duke i lënë të gjithë pas, qoftë me anë të “kohës shtesë”, të asaj kohe që të tjerët ia kushtuan vetes, familjes apo edhe shëndetit personal. “Sikur Fatmiri të kishte studiuar për mjekësi, ai do të ishte mjeku më i mirë në Shqipëri, sikur të kishte studiuar për inxhinieri, do të ishte inxhinieri më i mirë...”, kanë thënë miqtë e tij. Por përmasat e vërteta të shkencëtarit, siç ndodh shpesh, për fat të keq janë konturuar vetëm pas vdekjes. Kohë kur e vlerësuan të gjithë ata që vërtet e njihnin veprën dhe fuqinë e tij krijuese. Më i dëshpëruari kishte qenë një shqiptar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Quhej Isuf Luzaj, profesor në universitetin Indiana të Ilionisit, vlerësuar me medalje nga ish-Presidenti amerikan Regan në fushën e arsimit. “Vdiq më i miri linguist i gramatikës shqipe...”, do shkruante në media Luzaj. Vlerësimi më i madh do të vinte në vitin 1999, kur nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Universitetit të Kembrixhit, Fatmir Agalliu nominohet si “Njeriu Ndërkombëtar i Milleniumit”. Një eveniment ku Arta, e shoqja e Fatmirit, nuk shkoi të merrte pjesë për shkak të pamundësisë financiare. “S’mund të blija biletën e avionit për në Angli me 4 mijë lekë të pensionit mujor”, thotë Arta e dëshpëruar. Por mirënjohja nuk mbaron këtu. Tashmë ajo është e barazuar me veprën e Agalliut, jo me qenien e tij. Pasi ka ndodhur shpesh, edhe kur ishte gjallë, që ai të mësonte vite më pas, krejt rastësisht, se punimet e tij ishin përfshirë në tekste të ndryshëm të gjuhësisë, publikuar në vende të ndryshme të globit. Aktualisht të tilla tekste të huaja vazhdon t’i grumbullojë e shoqja, Arta. Dhe të mendosh që vdiq duke shkruar me laps plumbi, pa pasur kurrë mundësinë të kishte një makinë shkrimi, ndërsa për kompjuter nuk bëhej fjalë. Sipas Artës, makinat e shkrimit në kohën e komunizmit nuk lejoheshin për përdorim personal, kështu që Fatmiri paguante nga xhepi për daktilografimin e punimeve të veta.  
Jeta e vështirë
Pamundësia e Profesor Agalliut për të pasur një makinë shkrimi në atë kohë, ishte pjesë e gjithë një shoqërie të ndërtuar keq. Një shoqërie që gjatë gjithë kohës stonoi përballë figurës kompakte të njeriut që kurrë nuk i kërkoi shoqërisë minimalen e asaj që i takonte. I lindur më 19 qershor 1933 në Patos të Fierit, Fatmiri, sipas rrëfimit të së shoqes, vinte shëndetlig, i ftohur në mushkëri që në fëmijëri. Arrin gjithsesi të shkollohet. Nis dhe përfundon me të gjitha notat 5 (më e larta në atë kohë) shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër. “Më kanë rrëfyer se ishte aq i mirë, saqë mësuesit e nxirrnin para shokëve t’ua shpjegonte ai mësimin”, rrëfen Arta. Në vitin 1958, Fatmiri nis studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Pikërisht në këtë kohë ai njihet me bashkëshorten e ardhshme. Arta ishte nxënëse në një nga gjimnazet e Tiranës, saktësisht tek ai “Qemal Stafa”, ku Fatmiri do të kryente praktikën. Por vetëm njihen ama. Asgjë më tepër. Kontakti i dytë do të realizohej në Shkodër, ku Arta shkon të vazhdojë një kurs tregtie. Në të njëjtën kohë, pas përfundimit të fakultetit, Fatmir Agalliun e kishin emëruar pedagog në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Shkodër, me pretekstin se mes folësve të dialektit “geg” duhet të ishte qoftë një i vetëm që të fliste gjuhën letrare. Pas dy vitesh njohje, Arta me Fatmirin martohen. Dhënia e vajzës profesor Fatmirit u ishte dukur vërtet fat i mirë të afërmve të Artës, edhe ata mësimdhënës të nderuar. Ndërsa vetë Arta rrëfen se para së gjithash te Fatmiri i ka pëlqyer korrektësia, se ishte i drejtë dhe i përpiktë, edhe pse i rreptë, por dhe sepse, sipas saj, ishte model për gjithçka. Gjatë periudhës prej 7 vitesh të kaluara në Shkodër, Fatmirit i vdesin nëna dhe i ati dhe këtë e vuan shumë. Pas Shkodrës, Fatmirin e emërojnë pedagog në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, atje ku dikur kishte shkëlqyer si student. Në Tiranë familja detyrohet të ndajë një banesë më dysh me një tjetër familje. “Shtëpia tek lagjja ‘21 Dhjetori’ ishte me kushte antihumane dhe sërish Fatmiri gjente mundësinë të studionte 16 orë”, rrëfen Arta. Dikur familja e ka një shtëpi të vetën. Një dhomë e një kuzhinë tek lagjja “Bardhyl”. Por jeta e qetë familjare zgjat vetëm 6 vite të tjera. Pasi Fatmiri duhet të qarkullonte. “Ishte një nga çmenduritë e diktaturës. Sipas kësaj idiotësie, kuadrot nuk duhet të rrinin më shumë se 10 vite në një detyrë, sepse borgjezoheshin. Kështu që neve na degdisën si familje në një fshat, në Symizë të Fierit. Të mendosh që Fatmiri, në atë kohë pedagog dhe autor i disa punimeve shkencore, duhet të jepte rusisht në një shkollë fshati! Nuk durova më...”. Arta rrëfen se si fshehurazi të shoqit kishte shkuar në Tiranë për të takuar ministren e Arsimit, Tefta Camin, e cila e kishte pasur Fatmirin pedagog. Ministrja e ndihmon, por Fatmiri nuk preferon të shkojë ta takojë në Tiranë, qoftë sepse do i dukej vetja si i privilegjuar. Kështu kalon jeta e profesorit, që me një laps plumbi shkroi pavdekësinë e një vepre që tregoi se po i reziston kohës. “Ka edhe një histori me lapsin”, shton Arta. “I ngrinë gishtat me të cilët e mbante për shkak të lodhjes. E vizitova dhe më thanë se është sëmundje profesionale”, shton ajo. Kështu kalojnë vitet, ndërsa profesori mbetet unikal në bindjet e veta profesionale. Derisa gjithçka rrënohet në vitin 1992. Një incident bën që Fatmiri të japë dorëheqjen si pedagog, duke dalë në pension të parakohshëm. Një ngjarje që e ilustron më së miri karakterin e pazakontë të tij. “U largua nga puna në shenjë proteste për shkak të mosemërimit si pedagoge në të njëjtin fakultet të një studenteje të shkëlqyer, njohëse e 8 gjuhëve të huaja. Quhej Iris Demiraj, në mos gabohem, dhe vendin ia zuri dikush që kishte mbaruar me nota mesatare, por që kishte mik të fortë. Kjo padrejtësi e shkatërroi aq shumë Fatmirin, saqë nuk gjeti më forcë për t’u rikthyer në fakultet. Kujtoj se fraza e fundit e tij mes kolegëve dhe eprorëve ka qenë: O do mbahet në punë Irisi, ose unë nuk punoj dot me nxënës të mitë që kanë mbaruar me shtata”, rrëfen Arta duke shtuar se, teksa ishte larguar përfundimisht, Fatmiri ishte ndjerë shumë i fyer.
Goditjet
Në të njëjtin vit fatkeqësia e përfshin sërish profesorin. Krejt papritur një aksident automobilistik i merr jetën djalit të vetëm, Tritanit, 29-vjeçar. Punonte financiar në Partinë Republikane dhe mbetet viktimë e një shoferi të dehur e të papërgjegjshëm, që më pas, me këmbënguljen e familjarëve dënohet me 12 vite burg. Humbja e shkatërron profesorin. “Nuk doli më nga shtëpia, përveç kohës që i duhej të shkonte te varri i djalit dhe të ujiste lulet. Këtë e bënte përditë sa qe gjallë. Kujtoj se vetëm në një rast të vetëm është larguar për në Fier, pasi e njoftuan se i vdiq i vëllai”, rrëfen Arta. Në të njëjtën kohë Fatmiri lë veprimtarinë shkencore dhe fillon të merret me gazetari. Më saktë ai është një nga analistët e parë politikë të medias shqiptare. “Aq i saktë ishte me shkrimet e tij, saqë shumë shpejt shtëpia jonë u bë si fole gazetarësh”, rrëfen bashkëshortja. Dhe në gazetari Fatmiri shkëlqen për herë të fundit. Arta ka ruajtur të gjitha shkrimet e publikuara në gazetat e kohës. Provën për të vërtetuar gjeninë e tij, ose njërën nga provat, mund ta lexosh te gazeta “Zëri i Rinisë” e datës 23 korrik 1993, në shkrimin “Mbi spektrin politik të Shqipërisë së sotme”. Ku Fatmiri është konvertuar në njëfarë profeti për të parashikuar të ardhmen e partive politike shqiptare. Ja parashikimet e tij në mes të vitit 1993: Për Partinë Demokratike thotë se, “në veprimet e saj, sidomos në zbatimin e ligjit të tokës, ajo paraqet mjaft recidiva të komunizmit” dhe se recidiva të tilla shihen në letërsi, art dhe sidomos në drejtësi, ku janë edhe më të tmerrshme. Për Partinë Republikane shkruan se është shumë parti e dobët dhe se dikur ajo “do i bjerë në këmbë Partisë Demokratike që të mbijetojë”. Po kështu ai e cilëson këtë parti si “praparojë të PD-së”. Për Partinë Socialiste shkruan se është një parti që duhet gjykuar jo nga programi, por nga veprimet, porse krejt parashikues ai është për Partinë Socialdemokrate. Ai shkruan se për të mbijetuar kësaj i duhet të ruajë koalicionin e detyruar me PD, “por nesër, në rrethana të favorshme për të, ajo mund të radhitet me Partinë Socialiste”.
Fundi
Fatmir Agalliu mbylli sytë përgjithmonë më 5 qershor 1998, duke lënë pas mijëra faqe publikime e studime të shkencës së gjuhës shqipe. Një punë e barabartë me 40 vjet nga 16 orë për çdo ditë të vitit. Gjithçka për të merituar një emër në krye të shumicës së teksteve të gjuhës shqipe, të gramatikës së saj. Dhe fatmirësisht emri i tij është i destinuar të mbetet përjetësisht në këto tekste. Pasi profesor Agalliu është marrë me ngritjen e themeleve të gjuhës sonë dhe dihet se pa themel ndërtesat nuk mund të ekzistojnë. Iku i pakënaqur, duke i lënë amanet të shoqes që të djegë gjithçka. Dhjetë vjet më pas e njëjta, Arta Agalliu (Minxalli) bashkëshortja e gjuhëtarit, i rrëfen këto dorëshkrime në fleta që janë zverdhur nga koha, si një pasuri të rrallë. Po kështu rrëfen edhe vlerësimet në adresë të bashkëshortit që vijojnë të vijnë. “Oda Buchholz, gjuhëtare e shquar gjermane, autore e gramatikës së gjuhës shqipe, botuar në Gjermani, i kishte thënë një mikut tim, Remzi Përnaskës, se ‘vetëm shkrimet e Fatmir Agalliut për gjuhësinë shqiptare ngrihen në nivelin teorik ballkanik”, rrëfen Arta. Në fakt, gjuhëtarja gjermane nuk është e vetmja. Arta nuk resht së rrëfyeri për konsideratat e shumta që i mbërrijnë për veprën e të shoqit. Gjithsesi vazhdon të mbetet e zhgënjyer për vlerësimin që bashkëshortit të saj duhet t’i bënte vetë shteti shqiptar. Thotë se gjatë gjithë jetës së vet Fatmiri është dekoruar vetëm në një rast, në vitin 1984, me medaljen “Naim Frashëri” dhe asgjë më tepër. Një vlerësim që e kanë nëpër shtëpitë e tyre edhe një varg shumë i gjatë mësuesish të thjeshtë në të gjithë republikën. Për këtë arsye, në vigjilje të përvjetorit të 75 të vdekjes së Fatmir Agalliut, bashkëshortja e tij mundohet të lëshojë një shenjë. Jo fort të padukshme, jo fort të pazëshme. Një propozim i Fakultetit të Gjuhësisë për dekorimin e Fatmir Agalliut nga Presidenti i Republikës, ka pesë vjet që fle në sirtarët e Ministrisë së Arsimit. Sikur të zgjohej! Kohët kanë lëvizur, tani nuk jemi më në 70-vjetorin e vdekjes.    


letra drejtuar presidentit bamir topi

I nderuar Zoti President!

Ju shkruan një ish-arsimtare e trishtuar, e vetmuar, por jo e harruar. Falmëni për shqetësimin dhe për kohën e marrë. Quhem Arta Agalliu dhe jam bashkëshortja e Profesor Doktor Fatmir Agalliut, njeriut dhe shkencëtarit që nuk reshti së punuari deri në ditën që vdiq, më 1998.
Duhet t’ju vë në dijeni se Fatmiri ka qenë një nga gjuhëtarët më të shquar të shqipes dhe, njëkohësisht hartues i një pjese të mirë të teksteve bazë të mësimdhënies si dhe të punimeve të panumërt shkencorë. Që të formoj më saktë përmasat e vërteta të Fatmirit, në pak rreshta po mundohem t’ju shkruaj se si e vlerësuan atë të tjerët:
Më 1 janar 1999, pak muaj pas vdekjes, Qendra Ndërkombëtare e Biografive e Universitetit të Kembrixhit (The International Biographical Centre of Cambridge) e nominoi Fatmirin “Njeriun ndërkombëtar të Milleniumit” (International Man of the Millennium).
Profesor Isuf Luzaj, pedagog në universitetin Indiana të Ilionisit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dekoruar nga ish-Presidenti Ronald Regan, në numrin 8 të revistës “Ylberi” të botuar në Gjenevë më 1988 shkruan për Fatmirin: “Vdiq më i miri linguist i gramatikës shqipe...”.
Oda Buchholz, gjuhëtare e shquar gjermane, autore e gramatikës së gjuhës shqipe, botuar në Gjermani, ka vlerësuar shkrimet e Fatmir Agalliut për gjuhësinë shqiptare, si “të vetmet që ngrihen në nivelin teorik ballkanik”.
I nderuar Zoti President! Vlerësime të ngjashme për bashkëshortin tim, Fatmir Agalliu, ka me shumicë. Madje vazhdojnë të mbërrijnë, pasi vlera e tij si shkencëtar i gjuhës shqipe lexohet nëpër rreshtat e veprës së tij të shkruar.
Zoti President, para pesë vitesh, Rektori i UT të Tiranës, i ka kërkuar Presidentit të Republikës për të dekoruar Profesor Doktor Fatmir Agalliun. Por ende kjo kërkesë nuk ka marrë udhë. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se vepra e Fatmirit në fushën e gjuhësisë është e mirëfilltë shkencore. Ai ka punuar për 40 vjet nga 16 orë në ditë pa u ndalur. Pra, ishte një nga ata njerëz shumë të rrallë që gjithë jetën ia kushtuan shkencës.
I nderuar Zoti President! Unë, bashkëshortja e Fatmir Agalliut, ju kërkoj vetëm vënien e figurës së tij në vendin që meriton. Asnjë gram më tepër.

Me shumë respekt Arta Agalliu
Rr: Ferit Xhajko P: 61. Shk: 2. Ap: 18, Tiranë
Telefon: 232661