“Një kriminel i famshëm në incidentet e fundit më çoi sms pse fola kundër Ramës”


“Jam gati të kandidoj përballë Ramës për Bashkinë e Tiranës”








Rikthimet e Fatos Nanos në skenën politike, dhe pse të rralla, janë të bujshme. Në një intervistë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, ish-kreu historik i PS-së ka akuzuar kundërshtarin dhe pasardhësin e tij se e ka kërcënuar me jetë. Nano ka bërë të ditur se kërcënimi i ka ardhur atë ditë që ka dalë në media me Ilir Metën për t’i bërë ftesë për bashkim Nanos dhe autori është një kriminel i famshëm në incidentet e kohëve të fundit. Ndërkohë, ajo që ka përbërë një risi, ka qenë ambicia më e re e Fatos Nanos për të hyrë në garën për kryetar bashkie në 2011-n. Ai ka thënë se çdo gjë është e mundur në funksion të lëvizjes për ta zbuar Edi Ramën me zgjedhje nga postet që ka uzurpuar.











Zoti Nano, vazhdoni të qëndroni larg politikës. Cili ka qenë angazhimi juaj këto kohë?


Angazhimin im ka qenë mbi palët dhe një pozicion mbipartizan. Qenia jashtë është një avantazh, sepse kur s’je në rrethin e ngushtë të përplasjes së palëve, të jep mundësi të shohësh në prapavijë, të shohësh cilat aspirata dominojnë palët dhe çfarë të përbashkëte ka mes tyre.





A keni arritur ta diagnostikoni atë që po ndodh në PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit?


Zemra e socialistëve është aty dhe është e ngushtuar, madje ka një ritëm të çrregullt, nuk është pulsi i zakonshëm, sepse trupi i këtij organizmi politik është me viruse gjithfarësh. Janë viruse të shoqërisë së vjetër shqiptare, të liderëve politikë...





Edi Rama është lideri më i ri realisht...


Nuk do preferoja mallra vetëm për shkak të etiketës. Mosha është tregues i vitalitetit, por ajo nuk të imunizon në rast se mungon kultivimi i eksperiencës apo institucionet e kontrollit mbi të zgjedhurit dhe përfaqësuesit. Pra, s’të krijon imunitet ndaj traditës ballkanase dhe shoqërisë së vjetër dhe veçanërisht ndaj trysnisë së madhe të afërsisë së politikës me pushtetin, apo ethet e korrupsionit, apo privilegje të kërkuara dhe më shpejt sesa i siguron një moshë mesatare e ulët. Më tej, të gjitha organizimet që vijojnë nga interesa korruptive që nuk burojnë nga meritokracia, zëvendësojnë vetë kuadrin e jetës së një organizate vullnetare, siç janë partitë politike.





A i ka humbur PS këto zgjedhje?


S’ka vend për të bërë lojë fjalësh. Këto zgjedhje patën humbës, patën dhe atë rezultat që pritej, një gjysmë fitore të koalicionit të djathtë që arriti në kufijtë e 70 mandateve që nuk mjaftonin për krijimin e një koalicioni qeverisës dhe siç pritej, krijimi i një koalicioni me bazë të gjerë, që ndodhi me Metën. Humbësi kryesor është opozita kryesore.





E kujt është përgjegjësia?


Përgjegjësia është hierarkike, është politike, është e lidhur me udhëheqjen dhe organizimin që Rama i bëri fushatës elektorale të PS-së, organizimin që Rama i imponoi opozitës dhe PS-së dhe ballafaqimin elektoral me kundërshtarët. Kam kohë që përsëris pa u lodhur me një qëndrim konstruktiv të njëjtat kritika për deformimin dhe mosfunksionimin e rregullave bazë në PS dhe marrëdhënien me shoqërinë e hapur që i japin politikës vitalitet dhe aftësi konkurruese. Në prag të zgjedhjeve përsërita in extremis dhe u përpoqa të sjell në një tryezë dhe në një dialog të shëndoshë liderët e së majtës. Pa bashkimin e së majtës, zgjedhjet ishin të taksura për t’u humbur.





Pse e majta nuk u bashkua sipas jush?


Arsyet janë ngritur mbi koncepte të ndryshme politike apo të marra me pushtetin që ka Rama dhe Meta, për të mos i fyer degëzimet e partiçkave të vogla që ushqehen nga trungu, lidhur me interesa dhe grupe interesash që janë në konflikt me njëri-tjetrin. Arsyet lidhen me deformimin e karakterit dhe funksionimit të partive politike. Ka qenë shumë më e hapur PS për shkak të rregullave përpara ciklit Rama, siç e quante Majko, që u jepte mundësi që të bashkëjetonte edhe grupeve politike të dala prej saj ose grupimeve politike brenda saj.





Majko tha që u mbyll cikli Nano, tani është cikli Rama...


Majko nuk thotë atë që mendon. Bën interpretin e dikujt tjetër dhe kështu që nuk e mban mend ose nuk e kupton...





Majko ka qenë dy herë Kryeministër...


Më lejoni të arsyetoj jo për të gjitha incidentet e socialistëve në 18 vjet. Majko thotë: “U mbyllën periodat e Nanos dhe erdhën periodat e Ramës”. U mbyll cikli i profesionistëve dhe u hap cikli i interesave dhe i blerjes së sipërfaqes nëpërmjet interesave.





Rama ka marrë më shumë vota në këto zgjedhje, d.m.th. PS, se asnjëherë më parë?


Nuk besoj se e përballojmë humbjen e zotit Rama sot me shifra aritmetike. Nga analistët është arsyetuar me rritjen demografike të shoqërisë dhe me numrin e votuesve. PS mbetet në ato nivele që është votuar në 10 vitet e fundit. Ajo që dominon në këtë situatë numrash, është se e majta është pjesa më e votuar nga elektorati, por mbetet në opozitë për shkak të përçarjes. Zoti Rama s’kishte mision të merrte më shumë vota se të tjerët, por të fitonte. Pas certifikimit të zgjedhjeve nga institucionet e pavarura kushtetuese apo ndërkombëtarët e specializuar, vëzhguesit e vendeve anëtare të BE-së e NATO-s dhe në vlerësimet e tjera të cilat dominon faktin që s’ka prova për vjedhje apo manipulim votash nuk është as vendi as koha që të mburret me progresin më të madh të votave në krahasim me të kaluarën, por është koha të fillosh jetën parlamentare që zhvillohet në përballje me mazhorancën.





Majko tha se jemi të vendosur për protesta qytetare...


Ti mendon se Ramës e Majkos i shkon njeri pas në protesta? Jemi në vitin 2009, kur bota e madhe s’ka hapësirë për protesta që nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve të certifikuara nga institucionet demokratike. Aventurë e dështuar, e destinuar të përfundojë shpejt dhe unë do vazhdoj të punoj që socialistët ta kundërshtojnë këtë gjë. Shfrytëzoj këtë bisedë dhe u bëj thirrje që sonte socialistëve që më 26 shtator në fletët e lakrorit që ka gatuar Edi Rama të shënojnë me gërma kapitale “Jo bojkotit”.


Është koha për të marrë përgjegjësitë. 65 përfaqësuesit e zgjedhur të PS-së të marrin përgjegjësitë dhe të ushtrojnë detyrën për të cilën janë votuar.








Pse nuk konkurruat me Ramën?


Nuk jam kaq inatçi që do t’u interesonte grindavecëve profesionistë. Unë nuk mund të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë gjatë gjithë jetës sime. Unë e drejtova deri në një moment të mossuksesit dhe vendosa një standard evropian të largimit me humbjen e zgjedhjeve. Unë mund të qëndroja natyrisht. Por gjithë jeta ime në krye të PS-së, në burg apo i lirë, kam qenë i përkushtuar që ta afroj PS-në me partitë e organizatave socialiste dhe të jepja shembullin e liderit për t’i respektuar socialistët.





Ju mund të tërhiqeshit dhe të rikandidonit?


Nuk jam njeri i prapaskenave, kam qenë dhe mbetem në skenën publike me një moral evropian.





A jeni penduar që jeni larguar nga PS-ja?


Ka qenë e vështirë. Unë jam munduar për të krijuar shembullin e politikës evropiane.





Ç’duhet të bënte Rama pas 28 qershorit?


Të respektonte precedentin. Jo të më imitonte mua si ta bënte, por së paku të jepte dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme dhe ta bënte me të njëjtën dashuri siç e bëra unë.





Ju e keni konsideruar Ramën si kryebashkiaku më i suksesshëm?


Rama ishte partneri im në qeverisjen lokale deri në ditën që pushteti që i dhamë, e vërviti kundër familjes së vet politike.





Ka disa fjalë që qarkullojnë se ju mund të kandidoni për Bashkinë e Tiranës përballë Ramës në zgjedhjet që po afrojnë?


E lëmë varur këtë bisedë më mirë, por unë mund të them se të gjitha vendet që janë në axhendën e konkurrimit të ardhshëm janë një opsion i mundshëm për mua.


Nuk i kam ndërtuar marrëdhëniet në bazën e frikës dhe në bazë të skemave që eliminojnë frikën.





Do të kandidoni apo jo?


Por, më lejoni të them që më vjen shumë keq që aventurizmi i këtij masoni të pasuruar, Edvin Rama, nuk po ndalet dot nga askush. Nuk është fjala për veprime të paligjshme, por për mjedis dhe një trysni normale në një demokraci, në të cilën nuk të lejohet të sillesh në këtë mënyrë as me pushtetin partiak, as në fushën e kontakteve të padukshme me botën informale. Dhe ja ku po jua them tani se po ndodh pikërisht “Hajduti bërtet kapeni hajdutin”, sepse një numër i konsiderueshëm i personave në kërkim ka qenë në stafet e ngushta të Ramës në 28 qershor.





Mund të na sqaroni këtë gjë zoti Nano...


Unë kam folur me organet përkatëse, sepse ditën që iu përgjigjën me të njëjtat tone njëri-tjetrit, një javë para zgjedhjeve, në orët e vona të asaj nate kam marrë mesazhe kërcënuese për jetën. “Ju të dy të bukurit e shejtanit që kërcënoni Ramën me fatin e tij politik do ta paguani me jetë!”





Kush ju ka kërcënuar?


Këtë e kam dorëzuar në organet përkatëse dhe me kontaktet që s’më mungojnë edhe për shkak të detyrave që kam pasur, kam konfirmuar si funksiononin këto. Ishin njerëz pranë Ramës dhe nga ata më të famshmit të incidenteve të kohëve të fundit.





Pra, ju po thoni se jeni gati të kandidoni për kryetar bashkie, d.m.th. keni hequr dorë nga ëndrra për Presidentin?


Bashki, President, në çfarë niveli tjetër që do jetë e nevojshme për të larguar Edi Ramën. Jam i gatshëm të përballem me zotin Rama për t’i dhënë fund aventurës së tij, e cila po merr PS-në në qafë. Është krejtësisht e hapur si mundësi dhe do jetë pjesë organike e skenës politike në 3 vitet e ardhshme.





Shumëkush thotë se pas qëndrimeve tuaja socialistët ndihen armiqësorë me ju?


Unë nuk e kam këtë ndjesi, përkundrazi edhe në momentin e fundit para se të vij këtu sms-të ishin të panumërta për t’u kthyer shpresën, besimin dhe kurat çudibërëse të miat, sepse janë të plagosur rëndë. Nuk besoj se spekulimet për zemra të trafikuara dhe të tradhtuara kanë vlerë. Keni këtu një njeri që kurrë nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet me njerëzit që e kanë mbështetur në burg dhe liri.





Zërat kundër janë minorë në PS?


Është një gjendje për të cilën po arsyetojmë edhe ne. Është një gjendje e sëmurë në të cilën masa e socialistëve ndihet e dhunuar nga lidershipi aktual, i cili me manipulim forumesh po mbyll mundësinë e dëgjimit nga publiku i madh të zërave të vërtetë të socialistëve. Ka një dozë militantësh të PS-së të rritur në një klimë tjetër, që kanë funksionuar në një demokraci shumë vitale në PS, të sprovuar dhe të mbushur me eksperiencë politike dhe qeverisëse, të cilët po shihen me simpati jo vetëm nga opinioni publik, por dhe nga PS-ja.





A jeni ju ideatori i kësaj lëvizjeje?


Unë do të thosha se duhet të ketë më shumë frymëmarrje jo vetëm me bazën, por dhe me shoqërinë e hapur shqiptare dhe të mos hezitojnë të kapen kurth nga kurthet statutore të tipit Rama - Ruçi. Detyra e përfaqësuesve sot është të shkojnë në Kuvend se për këtë janë votuar.





Por ndërkohë, PS është e bindur për të shkuar dhe në protesta?


Po flasim për epokën moderne dhe jo për epokën e Haxhi Qamilit. I bie radha e ballkanasve të thonë në çdo ndeshje arbitri është me ne. Por, tani nuk është as arbitri me ata. Sepse e dëgjuam arbitrin ndërkombëtar. Nuk mund të shkojnë në protesta pas një grupi eunukësh në lidershipin e PS-së që nuk lëshojnë pushtetin, që u kanë mbaruar idealet. Janë të gjithë të vjetër e të rinj të rrethuar ndaj Ramës, përfshirë Ruçin, Doklen dhe Majkon...





Po flet për mbështetës e bashkëpunëtorë të tu?


Ata s’kanë qenë mbështetës të mi personalë. Kanë qenë partnerë dhe drejtues të një organizate për aq kohë sa drejtoja PS-në. Sjellja e tyre pas largimit tim është e tillë, që jo vetëm nuk po sjell rikthimin në pushtet të PS-së, por po sjell degradimin e PS-së dhe uljen e vitalitetit dhe pëlqimit të saj në shoqërinë shqiptare.





Përse thoni që Rama po punon kundër PS-së, ndërkohë ai mbështetet nga njerëz që kanë 20 vjet në PS që kanë treguar se kanë vënë interesat e partisë para interesave të tyre personale?


Ata mund të jenë thinjur, por janë ende të papjekur dhe fakti më skandaloz i kësaj papjekurie politike është sjellja e sotme, mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe bojkoti i Kuvendit. Kjo sjellje, që jo vetëm po mbyll frymëmarrjen e socialistëve, po sjell këtë përçudnim të PS-së. Këta emra nuk kanë asnjë test tjetër me publikun përveçse certifikimin dhe pohimin e sjelljes demokratike. Ata mund të më imitojnë mua në sjellje politike në raste të caktuara, por asnjëri nga ata nuk e imitoi shembullin tim të burgosjes politike.





Por ka nga ata që analizojnë se do ishte në favor të Berishës që Rama të linte PS-në në duar të një lidershipi të ri të dobët...


Pse, Rama është lider i fortë?! Lider i fortë për të çuar PS-në nga humbja në humbje? Përjashto bashkitë e qyteteve kryesore në vitin 2007 ai ka humbur të gjitha përballjet elektorale. Ai s’ka treguar asnjë skemë fituese. Liderët e fortë që çojnë partinë në humbje duhet të largohen urgjentisht. Nuk jemi sonte për të gjetur zëvendësuesin se në PS ka aq shumë talente, që në rast se funksionojnë rregullat e të majtës moderne, liderët janë aty dhe lideri i fortë nuk mund të funksionojë pa një ekip të fortë.





S’keni ambicie për të qenë sërish në krye të PS-së?


Ambiciet e mia nuk vishen me kostume të caktuara. S’jam ambiciozi që zë një kolltuk e s’e lëshoj sikur qameti të bëhet. Jam një tjetër ambicioz.





Nëse Rama humb zgjedhjet lokale, a do kërkoni të riktheheni?


Po flasim për lojëra kalamajsh apo për aventura politike? Rama duhet zbuar me zgjedhje nga cili pushtet që ka uzurpuar. Ja ku po e them qartë, jam kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës.





Kush do t’ju kandidojë, Berisha dhe Meta?


Bëni një skemë shumë interesante në këtë rast, sepse të gjitha palët do të bënin ndryshe llogaritë.





Por mund të futeni në garë vetëm për të nxjerrë Ramën humbës?


Mund ta kisha bërë më 28 qershor me listën time dhe do kishte alibinë më të gatshme, duke thënë se m’i humbi Nano zgjedhjet, por s’e bëra.





Por, në zgjedhjet e fundit ai ju fajëson dhe ju si përgjegjës për humbjen...


Nuk duhet të jetë mirë dhe nga gjendja e funksioneve vitale. Si është e mundur që të prodhojë vazhdimisht armiq, në zgjedhje ishte vetëm një armik, sepse Meta do kthehej në familje, pastaj shpiku tjetër? Ditët e para më thanë ata që hynin e dilnin në zyrën e tij që bërtiste dhe i binte kokës “Fatos Nano ç’më bëre”.





Një pyetje nga publiku më thotë për kë ka votuar Nano?


E kam nxjerrë votën të pavlefshme. Më vjen keq që në listë dominon e keqja. Unë votën e kam 100 për qind të pastër ose e kam për veten time. Nuk mund ta shpërdoroja.





A keni akoma dëshirë të jeni President?


Pse, ke dëgjuar se jam tërhequr?!





Cilën parti mbështet Nano?


Partinë edhe standardin e bashkimit të të majtëve në një familje politike.





Po flisni ju që keni përzënë zotin Meta nga familja socialiste?


Po si është e mundur që Meta më pranon si partner, kemi pasur gabime...





Pse s’bashkoheni me Ramën pra?


Më mungojnë ca vese apo virtyte siç i quan ai, me të cilat ka krijuar bandën e tij të orgjive dhe masonëve. Është mason i pasuruar edhe në kurrizin tuaj si ish-pronarë...








Pse jeni distancuar nga politika?


Nuk jam distancuar nga politika, por nga keqbërësit politikë.





Koalicioni me Metën, sa normal apo sa i deformuar është?


Nuk është një gjë e papritur. Jo për shkak të sjelljes politike të tyre, por për shkak të analizës që iu bë rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve të 28 qershorit.





Po ata që votuan Metën votuan për të larguar Berishën, ndërkohë që këto vota po përdoren për të mbajtur Berishën Kryeministër? Rama e quan tradhti këtë.


Ilir Meta ka dalë me një platformë politike “Plan për veprim” dhe votuesit e kanë votuar për këtë program e këtë sensibilitet. Edhe Shefqet Peçi po të ishte gjallë nuk do e artikulonte si tradhti këtë gjë pas shembjes së komunizmit. Është në të mirë të stabilitetit dhe reformave, sidomos atyre të integrimit që kanë kosto për shkak të polemikave shterpe. Ky koalicion për fat të mirë ka shtuar kredibilitetin e vendit. Askush nga partnerët me të cilët punon Shqipëria dhe as internacionalja socialiste s’ka dhënë as notën më të vogël kritike për këtë aleancë.





Çfarë do bëni ju po të ishit në PS?


Po të isha unë në PS do i kisha fituar zgjedhjet bashkë me Metën. Ky gabim na kushtoi rëndë në 2005-n.





Do të bashkëpunonit me Berishën po të ishit në këto kushte...


Sigurisht që po, për interesat e vendit po.





Edhe Rama po tenton të bashkojë të majtën pas zgjedhjeve...


Nuk e bën dot as në Pezë, atje mund të bëjë gjëra të tjera, por jo këtë. Sepse ka mbjellë përçarje dhe përjashtimin, ka zëvendësuar përfaqësuesit politik me njerëz pa identitet, me njerëz të panjohur për votuesit, ndaj nuk fitoi. Nëse federata është noj klub meshkujsh, ku bën pjesë Gjinushi, Milo, Zot na ruajt dhe Ngjela, kjo mund të jetë çdo gjë po jo bashkim i së majtës.





A keni ndikuar ju për aleancën mes Berishës dhe Metës?


Unë dhe Shefqet Peçi nuk ishim aty. Këto histori me ballistë dhe të infiltruar...





A ju ka marrë këshillë juve Meta...


Po. Meta më ka vënë në dijeni dhe unë e konsiderova një vendim optimal. Unë i thashë se po bën veprimin e duhur.





Çfarë marrëdhëniesh keni me zotin Berisha?


Përveçse e respektoj si Kryeministër të Shqipërisë, nuk kam marrëdhënie me zotin Berisha dhe as kontakte politike. Ndonjë urim për festa publike apo private dhe kaq.








A e keni zili Ramën që ka sjell të rinj në PS, gjë që ju s’e bëtë dot?


S’ka asgjë për t’u pasur zili, as si mashkull, as si femër, as si bashkiak apo... Të zëvendësosh në mes të natës një numër përfaqësuesish me eksperiencë dhe administrues profesionistë të territoreve elektorale me një grup emrash të panjohur nga opinioni publik, të pafamiljarizuar me familjen politike, është tejkalim i sensit të masës.








Por ata janë të bindur të dalin në protesta në rrugë për Ramën...


Para nja dy vitesh një ambasador i ri i një vendi perëndimor më ftoi për një drekë e më pyeti si nuk ka më dhunë të institucioneve. Ky po përpiqet të imitojë Berishën e parë. S’mund të kthehen në rrugaçë edhe ata të panjohur që ka sjellë Rama në PS, megjithëse ndonjëherë një mollë e kalbur kalb gjithë shportën.





Kur do jemi në BE, cili është parashikimi juaj?


Jo vetëm që s’kam asnjë ngasje pushteti të bëj propagandë, por unë kisha dëshiruar dhe kam pasë thënë që nëse do të mund të ndiqnim së bashku me vendet e rajonit klimën dhe terrenin në 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë në Ballkan, ky rajon do të ishte pak a shumë i integruar në BE. Janë dhe 5 vjet.





Ideja e Berishës për bashkimin me Kosovën në sensin kulturor e më tej...


Është në drejtimin e duhur. Të themi që trasenë e rrugës së lëvizjes së lirë me Kosovën ne e hapëm me luftën për çlirimin e Kosovës. Mezi po pres që të marr makinën, sepse nuk ndahem nga hobi i të ngarit dhe prekjes së gjërave nga dritarja e makinës dhe të lëshohem në autostradën e re.





S’e di a keni ndjekur debatin e fundit për enciklopedinë maqedonase, cili është mendimi juaj?


Ky është një incident i shëmtuar që të lë të kuptosh që në atë shoqëri ka më shumë probleme sesa kaq. Maqedonia është nën trysninë e disa faktorëve.





Para nisjes së fushatës thatë se do ktheheni në punë më datë 29 qershor...


Më keni matur orët e punës...?





Namik Dokle ka thënë që Nano nuk kandidon dot përballë Ramës se humbet....


Këtë që thotë Namiku, e kundërshton Qefserja, shoqja ime e vjetër militante, që do të votonte për mua.





Ku po jetoni zoti Nano?


Në botën e lirë. Për shkak të pasaportës diplomatike që do e mbaj dhe ca kohë, lëviz shpesh, por kjo do jetë gjithmonë e mundur për shkak se do hiqen vizat.