Nga Dr. Isidor Koti


Pak ditë më parë, teksa mbeti pa asnjë zgjidhje për tu kthyer në shtëpi me autobusin e linjës (sepse ishte natë dhe ora kishte kaluar 24.00), miku im Artani, i shoqëruar nga tri shokët e tij, mendoi ti telefononte një taksie. Por shokët ishin unanimisht kundër kësaj ideje, që të mos paguanin shumë para për pak kilometra. Ndaj ata propozuan të prisnin ndonjë autobus të rastit që vinte nga rrethet. Por edhe pse kaloi një orë e kusur, asnjë autobus ose fugon nuk u duk. Të mërzitur, ata të tre vendosën të shkonin në një lokal aty afër e ta shtynin kohën duke pirë birra, ndërsa Artani, i çuditur dhe i nevrikosur vendosi të mos shkonte për të pirë me ta, por ta thërriste taksinë dhe ta paguante i vetëm atë, pavarësisht kostos.


Kjo nuk është thjesht një histori elegante urbane, as e trilluar me qesëndi për të arritur te qëllimi i këtij shkrimi. Por një shembull konkret dhe i jetuar për ta përqasur me realitetin e hidhur të një mentaliteti që nuk ndryshon, siç thoshte Ajnshtajni, as duke e thërrmuar atomin. Nuk është problemi si ti bësh në një mendje njerëzit, përndryshe do ekzistonte vetëm diktatura e mendimit si zgjedhje, por zgjidhja racionale në një rast shumë praktik nuk ka pse të jetë faktor kundërshtimi. Kur jemi në një vend dhe në të njëjtën kohë, kemi detyrime të përbashkëta. Nuk është e thënë patjetër të përpjestuara njësoj, por bashkëpjesëmarrja është e detyrueshme moralisht. Në rastet e shërbimeve me kosto, edhe ligjërisht.


Për ta bërë më konkret këtë reflektim, në një kohë kur diskutohet gjithandej për mirëmbajtjen dhe administrimin e pallateve, detyrimeve të Bashkisë dhe banorëve ndaj bashkëpronësisë, mendoj se ka ardhur momenti i shumëpritur. Pagesa e administimit të pallateve duhet të bëhet detyrim ligjor. Përndryshe, nëpër pallatet tona nuk do kemi as administim e as administratorë seriozë, por ca tipa të ngjashëm me faturino autobusi që shtyhen nëpër turma shpërfillëse, të cilat do përpiqen gjithmonë ti shmangen detyrimit të pagesës së ndërgjegjes. Jo o zotëri, nuk ka më ndërgjegje e ndërgjegjësim, por zgjidhje ligjore, që ti angazhojë të gjithë në bashkëjetesën me norma. Fatura zoti banor, fatura!… Zgjidhja e vetme që ky shërbim i domosdoshëm dhe jetik për mirëmbajtjen e ambjenteve të përbashkëta të bëhet i njohur është fatura ekzekutive, e cila duhet të reflektohet te fatura e ujit. Ky do të ishte lajmi më i mirë, edhe pse i dyshimtë në momentin e parë, për të gjithë bashkëpronarët e çdo pallati, të cilët kur ta paguajnë do ta marrin më seriozisht këtë histori, deri tani fakultative.


Tarifa e administrimit të pallatit e reflektuar te fatura e ujit është zgjidhja me efiçente për ta bërë të zbatueshëm ligjin 10112 për bashkëpronësinë nëpër pallatet e banimit. Nisja e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator dhe kalimi i këtij projektligji për zbatim, do qetësonte njëherë e mirë shqetësimet e panumërta brenda dhe jashtë pallateve ku jetojnë qindra e mijëra njerëz që presin të ndryshojë realiteti i bashkëjetesës. Kush do përfitojë e kush do humbasë? Le ti marrim me radhë: Të parët dhe kryesorët që do përfitojnë janë banorët, sepse do ta kenë të garantuar me ligj shërbimin e çdo aspekti të mirëmbajtjes në bashkëpronësi. Së dyti, nuk do ketë më administratorë të tipit faturino autobusi që e ndalon ku të dojë autobusin e linjës që komandon, qoftë edhe për një bidon uji, apo gotë raki, për ironi apo çmenduri, siç ndodh rëndom në autobusat e linjave të transportit në kryeqytet.


Në momentin që do paguajnë të gjithë për pallatin te fatura e ujit, do kemi banorë aktivë, gjithë sy e veshë për të parë si punohet dhe kush punon e kush ia var punës. Nuk mund të justifikohet më pseudo-administratori aktual e pa lishencë, pse nuk ka shërbime pallati (pastrim, ashensor, depozita uji të papastruara, pompa mosfunksionale, kabllo të përdredhur sa andej këndej që shëtisin mbi kokë, lagështi nëpër mure, etj. etj.)


Sistemimi ligjor i kësaj veprimtarie krijon një vetqeverisje efektive brenda asambleve dhe kryesive të banorëve që marrin role kyç në administrimin e bashkëpronësisë. Vërtetë ato (kryesitë me asambletë) duhet të pajtojnë administratorë apo shoqëri administrimi për shërbimet, por kanë të drejta dhe detyrime për ti ndjekur të gjitha proceset, duke ndikuar fuqimisht në rrjedhën normale dhe zhvilluese të ambjentin dhe cilësisë së jetës në komunitet. Prandaj, bashkëpjesëmarrja pa përjashtime në pagesën e administrimit, ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e interesit dhe reagimit ndaj fenomenit të mirëmbajtjes së bashkëpronësisë. Është e padrejtë të vijohet me lënie në dëshirë të njërit apo tjetrit që do apo sdojë të paguajë, ndërsa komshiu i tij paguan rregullisht!!! Përderisa të gjithë marrin shërbime, të gjithë duhet të japin kontribute. Kjo nuk mund të jetë vetëm morale apo në përmbajtjen e ndërgjegjes, por e shprehur dhe e praktikuar edhe ligjërisht.


Është e kuptueshme që do ketë mjaft pikëpyetje dhe diskutime në rritjen e zërave të faturës së ujit dhe në normën e pagesës sipas mundësive ekonomike të familjeve. Por ligji 10112 është demokratik dhe lë në dorën e asambleve dhe kryesive të banorëve për të përcaktuar tarifat. Këto lekë duhet të mblidhen, ndaj mbajtja në faturën e ujit është zgjidhja më e mirë e mundëshme, nëse ligji do zbatohet siç shkruhet e zezë në të bardhë. Lekët duhet të kalojnë automatikisht nga thesari i ujësjellësit tek llogaria bankare e kryesisë së banorëve/administratorit dhe çdo pagesë shërbimesh duhet të deklarohet, sikurse e përcakton edhe vet ligji. Në këtë mënyrë nuk do humbasë askush, kjo reformë është e nevojshme. Vetëm kështu mund të kemi një qeverisje pallatesh sipas parametrave bashkëkohorë, që i kënaqin të gjitha palët, pa prishur qejfe qejfmbeturish, të cilëve iu duket kujtuar jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, shprehja e hershmë arbnore: Në këtë botë, nuk ka asgjë tfalme.