Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 11:21
Barcelona është favorit për të mposhtur rivalin historik Real Madridin në finalen e Copa del Rey më 20 prill, në bazë të vlerësimit të sondazheve nga mediet spanjolle të enjten.
Të mërkurën, Barcelona kaloi në finale pas fitores 3-0 ndaj Almerias, ndërsa Reali mposhti Sevillan 2-0 në shtëpi. Një sondazh në ueb faqen e të përditshmes sportive madrilene Marca tregoi se 62.1 për qind e lexuesve shumica prej të cilëve janë tifozë të Realit mendojnë se Barcelona do të fitojë finalen.
Një sondazh i ngjashëm nga e përditshmja katalane Mundo Deportivo ishte edhe më i sigurt, jo më pak se 73 për qind e lexuesve identifikuan Barcelonën si favorit për të fituar kupën.
Dy gjigantët janë përballur pesë herë më parë në finalen e Kupës së Spanjës, ku Barcelona ka fituar tri herë, ndërsa Reali dy herë. Takimi i fundit në finale mes tyre ishte më 1990, kur Barcelona fitoi 2-0 në Valencia.
Reali nuk e ka fituar kupën nga 1993. Ende nuk është e ditur se ku do të zhvillohet finalja. Për kuriozitet, finalja do të vjen vetëm katër ditë pas përballjes së Realit dhe Barcelonës në La Liga në El Clasicon e dytë të këtij sezoni, më 16 prill në Madrid.
Në të parin, gjiganti katalan e shkatërroi atë madrilen duke e mposhtur 5-0 në Nou Camp. Barcelona aktualisht ka shtatë pikë më tepër se Reali në krye të La Ligas.
Barcelona synon rekordin e fitoreve në La Liga
Barcelona planifikon të shënojë rekord të ri në kampionatin spanjoll të shtunën, me 16 fitore të njëpasnjëshme, duke mposhtur Atletico Madridin në shtëpi. Ekipi në formë i Pep Guardiolas tashmë ka barazuar rekordin prej 15 fitoreve me radhë të vendosur nga Real Madridi në sezonin 1960/1961.
Tani ata janë të përqendruar të realizojnë një më tepër se ekipi i Alfredo Di Stefanos, Francisco Gento e të tjerët.
Sulmuesi David Villa tha: Rekordi është me rëndësi për ne. Por, ajo që është edhe më me rëndësi është të vazhdojnë me fitore dhe formën e mirë që kemi aktualisht.
Të mërkurën, Barcelona siguroi kalimin në finale të Copa del Rey me rezultat të përgjithshëm 8-0 ndaj Almerias në dy ndeshje.
Për dallim nga Barcelona, Atletico është në formë të tmerrshme dhe është mposhtur në tri ndeshjet e fundit.
Mirëpo, ai mbetet ekip i paparashikueshëm dhe çifti sulmues, Diego Forlan dhe Sergio Aguero, ka ditur ti shkaktojë probleme Barcelonës në vitet e kaluara.