Feçor Shehu gjate seancave gjyqesore


Feçor Shehu ka shfrytëzuar postin zyrtar dhe ka kryer veprime të pahijshme me femrat. Në karrierën e tij në organet e Sigurimit, rastet e abuzimeve seksuale kanë qenë të shumtaPërballja me këtë akuzë për ish-ministrin e Brendshëm është ndër goditjet më të forta ndaj tij në procesin e vitit 83. Fakti që pjesa më e madhe e pohimeve të tilla vijnë nga dëshmitare femra, e bën edhe më të sikletshëm pozicionin e Feçor Shehut. Në librin e Kastriot Dervishit, shtjellohen raste konkrete duke iu referuar fakteve të siguruara në Hetuesi nga viktimat e perversitetit të ish-kreut të Policisë Sekrete. Njëra ndër to, ish-atletja nga Shkodra, rrëfen se Feçor Shehu pasi e ka takuar në një konferencë sportive, e ka ftuar në zyrë dhe aty e ka puthur me forcë. Fiksimi i tij, pohonte P. Th. para hetuesve në 12 qershor 1983, vazhdoi gjatë, madje Feçori urdhëroi arrestimin e tim shoqi për të qenë pa telashe në lidhjen me mua. Një tjetër dëshmitar, po nga Shkodra, ish-vartës i Feçor Shehut kur ishte kryetar i Degës së Brendshme aty, tregonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Malësisë së Madhe, kur ishin ftuar prej tij për të darkuar. Viktima në fjalë sa ishte ndarë nga martesa e parë, kujtonte oficeri i Sigurimit, Ismail Pepaj dhe, falë ndikimit të Feçorit, pak muaj më pas u martua me titullarin e një ndërmarrjeje. Në vijim të dëshmive për abuzime me femrat, ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka përdorur mekanizmin e arrestimit për të shtënë në dorë vajza të ndryshme. Rasti më flagrant është arrestimi i një vajze nga Tropoja në mesin e viteve 70, i denoncuar më së fundi si veprim monstruoz i inskenuar nga njerëzit e Feçor Shehut. Lidhur me këtë histori,  kreu i akuzës, Rrapi Mino, shprehej në proces se për arrestimin e Rukie Ramës, Feçor Shehu ka dezinformuar edhe Komitetin Qendror, duke e vlerësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova të pakontestueshme, ndërkohë që ka qenë e kundërta. Po kështu, ish- ministri i Brendshëm është akuzuar edhe për prangosjen e Lindita Begës dhe disa grave të tjera nga Tirana, dënimi i të cilave ishte provuar si i kundërligjshëm dhe mbi motive të dyshimta.

30 maj 1983

Lirim Pëllumbi/I vit-lindjes 1943, ish kuadër i MPB-së (kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i drejtorisë së Parë), i dënuar me 10 vjet burg, i burgosur në Spaç, dëshmonte në lidhje me përgatitjen e tezave të analizës vjetore të vitit 1974. Feçori e kishte marrë vete dhe kishte bërë raportin. Dëshmitari kishte qenë edhe përgjegjës i grupit të komplotistëve të ushtrisë. Po ashtu, ai ishte personi që kishte takuar Sami Muhametin (djali i tezes së Feçorit) sipas porosisë së dhënë nga Feçori. Samiu ishte takuar me Lirimin në kafe Drini. Aty i kishte thënë se do informonte rreth disa çështjeve që lidheshin me Feçor Shehun. Ky i fundit i kishte vlerësuar të dhënat dhe kishte kërkuar që ai të tërhiqej në bashkëpunim. Dëshmia e Lirimit është nga më të gjatat. Ai flet për stilin e punës së Feçorit, imoralitetin e tij, për një përdhunim që kishte kryer ndaj B. M. se Feçori ishte feminist…

12 qershor 1983

Atletja P. Th/ E vitlindjes 1937, bobinatore në UEM Durrës, tregonte se e kishte njohur Feçorin kur ishte delegate në konferencën e sportistëve në Tiranë më 1958, sepse i kishte qëlluar të rrinte afër tij në sallë. Feçori i jepte karamele, fërkohej me krahun e tij tek dëshmitarja. Në fund, Feçori i kishte thënë ta çonte me makinën e vet deri në Shkodër, por dëshmitarja nuk kishte shkuar. Kur Feçori kishte shkuar në Shkodër, e kishte kërkuar shpeshherë ti vinte në zyrë, e ngacmonte rrugës, i fërkonte dorën etj. Ngacmimi kishte vazhduar edhe në kohën kur dëshmitarja ishte martuar në Durrës. Fiksimi i tij për të ishte rritur shumë. Burrin dëshmitares ia kishin arrestuar, se ishte kapur me letra pornografike në ndërmarrje. Dëshmitarja kishte shkuar në Ministri, kur Feçori sapo ishte bërë zëvendësministër. Ai e kishte pritur, e kishte puthur dhe i kishte thënë të vinte tek ai, sa herë kishte nevojë. Kur dëshmitarja ishte kthyer në Durrës, kishte gjetur burrin të liruar në shtëpi. Ne vitin 1967, dëshmitarja ishte grumbulluar për të shkuar me ekipin e atletikës jashtë vendit, por në fund merr vesh se emri i saj nuk ishte miratuar (për shkak të të shoqit si i dënuar për shfaqje të huaja shënim). Duke qarë ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të takuar Feçorin, i cili ia kishte nxjerrë pasaportën për katër-pesë orë. Një rast tjetër dëshmitarja mbante mend që Feçori e kishte provokuar sërish në Durrës.

13 qershor 1983,

Ismail Pepaj/I vitlindjes 1923, punonjës i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1949-1967 në zonën e Bunës e Velipojës, dëshmonte në Hetuesi fillimisht për një të dhënë të bashkëpunëtorit Blerimi e me pas për Feçor Shehun si prepotent, intrigant e imoral. Ai pohonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Shkodrës, ku ato po hanin darke. Vajza ishte ndarë nga martesa e parë, ndërsa pak muaj më vonë ishte martuar me titullarin e një ndërmarrjeje të zonës.

Rexhep Kolli/ Funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, duke dëshmuar për rastin e arrestimit të Rukie Ramës, pohonte se për të u bë një proces i falsifikuar me gjithë ato poshtërsi. Sipas dëshmitarit, atë e kishte marrë në qafë një punëtor operativ. Rukien Kolli e vlerësonte një vajzë të emancipuar nga partia, me arsim të lartë, një vajzë që partia e kishte çuar komandante brigade në aksionin e rinisë, e kishte çuar përfaqësuese në Komitetin Qendror të Rinisë, e kishte çuar delegate në Kongresin e Gruas. U montua për të një proces i tillë, tregonte Rexhep Kolli, deri në atë masë saqë u thirr dëshmitar i rremë një bashkëpunëtor i Sigurimit, u sajuan ato pisllëqe, deri në atë masë sa poshtërsia arriti kulmin. Nga dokumentet rezultonte se   në çështjen e saj dilte Feçor Shehu, ky ishte kryesori, se ky kishte miratuar këtë lloj procesi. Pak a shumë kështu ndodhi edhe me Prendushe Dedën. Për çështjen e saj ka internime të pabazuara e poshtërsi të fëlliqura. Janë asgjësuar të gjitha aktet e ekspertimit, dy aktet bazë të laboratorit qendror.


Rukie Rama u arrestua me urdhër të Feçor Shehut



Rukie Rama në moshë të re


FEÇOR SHEHU: Eshtë shkruar në aktakuzë se janë bërë dokumente false për të arrestuar njerëz. Feçor Shehu nuk ka bërë asnjë dokument të tillë, përkundrazi kur ka zbuluar ndonjë rast të tillë, ka mbajtur qëndrim

ARANIT ÇELA: Tashti kjo puna e

FEÇOR SHEHU: Aktakuza sjell aty Rukie Ramën. Kam parë për këtë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Lidhur me akuzat për këtë, le të përgjigjet Sulo Abazi, që ka qenë kryetar i Degës së Brendshme. Unë këtë Rukie Ramën nuk e njoh as si fytyrë, as si lokalitet nga është. Nuk kam pasur asnjë interes që të arrestohet ajo. Prandaj, në qoftë se janë bërë dokumente false, ato i ka bërë Sulo Abazi

RRAPI MINO: Për këtë gjë janë kërkuar tri herë sqarime nga KQ dhe ti e ke dezinformuar

FEÇOR SHEHU: Pra, unë duhet të përgjigjem kështu për falsifikimet që ka bërë Sulo Abazi me punëtorin operativ